9.1 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Pas Vuçiçit, Trump i shkruan edhe Thaçit: Kosovë-Serbi të normalizojnë marrëdhëniet

Më të lexuarat

Presidenti amerikan, Donald Trump, i ka shkruar një letër presidentit Hashim Thaçi për 11 vjetorin e Pavarësisë së Kosovës. Pasi në mediat e Beogradit u raportua se Trump i ka shkruar kreut të shtetit ser, Aleksandër Vuçiçit, letër nga shefi i Shtëpisë së Bardhë i ka shkuar edhe Presidentit Hashim Thaçi.

Trump ka përgëzuar mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë. Ndër të tjera, Trump në letër ka shkruar se SHBA mban partnerë vetëm ata që janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda. Porosia e Trump është që Kosova dhe Serbia të normalizojnë marrëdhëniet.

“Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës”, thuhet në letrën e presidentit Trump.

Letra e plotë e Presidentit të SHBA-së, publikuar nga Zyra e Presidentit Thaçi:

I nderuari Z. President:

Në emër të popullit amerikan, e përgëzoj mbarë popullin e Kosovës për përvjetorin e njëmbëdhjetë të pavarësisë së shtetit tuaj.

Marrëdhëniet tona të fuqishme bilaterale janë të rrënjosura në vizionin e përbashkët të një Kosove dhe Ballkani Perëndimor stabil, të sigurt dhe të begatë. Tani kur Kosova po fillon dekadën e saj të dytë si një vend i pavarur dhe sovran, unë i inkurajoj qytetarët e Kosovës që të fokusohen në ruajtjen e parimeve demokratike, në forcimin e sundimit të ligjit dhe në avancimin e mundësive ekonomike dhe tregtare.

Më e rëndësishmja, Kosova dhe Serbia duhet t’i normalizojnë marrëdhëniet, që është esenciale për integrimin perëndimor të Kosovës. Ne e shohim njohjen e dyanshme si themel të marrëdhënieve të normalizuara dhe si bazë për çfarëdo zgjidhje gjithëpërfshirëse.

Shtetet e Bashkuara i mbesin partner të gjithë atyre të cilët ndajnë këto vlera dhe janë të gatshëm të kryejnë punë të rënda të nevojshme për suksesin e tanishëm dhe të ardhshëm të Kosovës.

Sinqerisht,

Donald J.Trump/mapo

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit