Pas vizitës në SHBA kreu i KMSH shprehet kundër deportimit të gylenistëve, vendi ynë është i lirë dhe sovran

0
227

Deportimi i 6 shtetasve turq nga Kosova drejt Turqisë nën akuzën e përfshirjes në grushtin e shtetit të ndodhur rreth dy vite më parë vijon të përflitet ende, jo vetëm në shtetin më të ri të Europës, por edhe përtej Atlantikut. I fundit që ka folur rreth kësaj teme ka qenë kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar, Skënder Bruçaj.

I përfolur si një prej njerëzve të Fetullah Gylen dhe lëvizjes së tij “Hizmeti” në Shqipëri, Bruçaj është shprehur se, Shqipëria nuk duhet t’iu bindet urdhërave të Ankarasë zyrtare dhe presidentit Recep Tayyip Erdogan pasi vendi ynë është i lirë dhe sovran.

Ja si shprehet kreu i Komunitetit Mysliman Shqiptar:

Mund të them se ajo që ka ndodhur me arrestimet në Kosovë ka dëmtuar imazhin e Kosovës. Do ishte mirë që në çdo vend të respektohej ligji të drejtat e njeriut dhe te respektohej sovraniteti i atij vendi. Unë besoj që Shqipëria është një vend i lirë dhe sovran dhe e din mirë se çfarë është në interesin e tij si shtet dhe jam i sigurt që do vendosë çfarë është më mirë për kombin, për Shqipërinë. E rëndësishme është që problemet politike që mund të ndodhin në Turqi apo në ndonjë vend tjetër ne shqiptarët nuk ua zgjidhim dot, ne kemi prioritetet tona, ne investojmë për progresin dhe harmoninë dhe stabilitetin e vendit tonë dhe besoj që do ta ruajmë fort këtë vlerë duke respektuar edhe bashkëpunimin me shtetet e tjera”
Këto komente kanë ardhur në Zërin e Amerikës pas një vizite që kreu i KMSH-së zhvilloi në SHBA, ku mbajti edhe leksione në disa universitete.

Sipas informacioneve të mediave turke, përveç 6 “gylenistëve” të ekstraduar tashmë, në Kosovë ndodhen edhe 200 të tjerë të shpallur në kërkim nga autoritetet turke, ndërsa në këtë temë nuk mbetet pas as Shqipëria. Në vendin tonë aktiviteti i lëvizjes Gylen vijon prej disa vitesh tashmë.