5.5 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Partitë e reja mund të rikthejnë legjitimitetin e shqiptarëve në Maqedoni*

Më të lexuarat

Afrimi i zgjedhjeve në Maqedoni risjell edhe një herë pyetjen: Çfarë do ndodhë me shqiptarët pas 11 dhjetorit? Në fakt, 15 vite pas Marrëveshjes së Ohrit do të ishte e udhës të pyesnim se si bashkëqeverisin shqiptarët bashkë me partnerët e tyre në qeverisje. Pra, duhej normalisht të pyesnim se sa shqiptarët ndihen të përfaqësuar në pushtetin që zgjedhin? Por, referuar debateve që vijnë nga partitë shqiptare, duket se përgjigjet për këto pyetje mund të jenë në një stad të trishtë si përpara Marrëveshjes së Ohrit, më 2001. Faktet e dala nga përgjimet e publikuara disa muaj më parë treguan se përfaqësuesit shqiptarë në qeverisje, në rastin më të mirë, kishin heshtur lidhur me shkeljet flagrante ndaj të drejtave të shqiptarëve jo vetëm si elementë shtetformues, por edhe në çështjen e të drejtave të njeriut. Të mbetur që prej themelimit të tyre në Tetovë, dy partitë që kanë qenë partnerë në pushtet me partitë maqedonase, BDI e PDSH, duket se u kanë dhënë garancinë e keqe partnerëve të tyre politikë se, atyre u kanë interesuar ngastrat e tyre politike, duke i lënë shqiptarët të papërfaqësuar denjësisht. Në kontaktet personale përgjatë intervistave të ndryshme në vite me faktorë politikë në Maqedoni, teksa pyesja liderët e atyre partive për faktin se përse ata qëndronin në Tetovë e jo në kryeqytetin politik të Maqedonisë, në Shkup, ata shpreheshin se shumë shpejt do të shkonin në selinë e tyre në Shkup­ një premtim që kurrë nuk mbërriti të jetë real, të paktën deri më sot. Kjo politikë inferiore e dy partive që kanë zotëruar votat e shqiptarëve duke u bërë pjesë e qeverisjes, ka zbehur shumë nga të drejtat që shqiptarët i arritën pas Marrëveshjes së Ohrit, që vinte nga një përballje mes betejave. Ndërkohë që heshtja ndaj shkeljes së të drejtave të shqiptarëve nga ana e BDI­së, që ka qenë në pushtet gjatë mandateve të fundit, ka zbehur edhe ëndrrën e shumë prej shqiptarëve se tashmë do të kishin bashkëjetesën e duhur me maqedonasit dhe me çdo bashkëqytetar tjetër të kombësive që jetojnë në Maqedoni. Përballë kësaj panorame politike që kanë sjellë dy partitë që kanë marrë pjesë në bashkëqeverisje, duket se skena e shqiptarëve ka nevojë të ridimensionohet me liderë apo forca politike që nuk kanë frikë nga e shkuara.

Dhe mënyra më e mirë është të zgjedhurit e njerëzve që e shohin pushtetin si një rrugëtim bashkëjetese, e jo në ndarje ngastrash për të mbijetuar për interesa të vogla. E më së pari, duhet që ata që do të përfaqësojnë pas 11 dhjetorit zërin e shqiptarëve, të jenë luftëtarë politikë në Shkup, e jo në rrethina. Ajo që besoj se është e rëndësishme në Maqedoni, është krahasimi me atë çfarë shqiptarët e fituan përmes betejës së tyre që më 2001. Partitë e reja, që tashmë u janë kundërvënë dy partive bashkëqeverisëse të derisotme, kanë armën më të rëndësishme pikërisht rikthimin e legjitimitetit të bashkëqeverisjes së vërtetë të shqiptarëve me këdo që maqedonasit apo përfaqësues të etnive të tjera do të votojnë. E ndoshta, sfida e fituesve të votave të shqiptarëve do të ishte kthimi i syve edhe nga bashkëqytetarët e tyre maqedonas, me të cilët ata duhet të shohin përditshmërinë e jetës së tyre. Ndarja e ngastrave politike, dhe mbetja në kufijtë e fshatit politik, ka vërtetuar se shqiptarët shënojnë veçse humbje në funksionimin e të drejtave të tyre legjitime si pjesë e domosdoshme e bashkëqeverisjes në shtetin e tyre.

Ndaj, më e rëndësishme në këto zgjedhje është rikthimi i një politike që ka në qendër të saj gjetjen e rrugëve të bashkëjetesës përmes respektimit të të drejtave të tjetrit për kombësinë dhe gjuhën, por duke vënë në themel aftësinë për të gjetur gjithçka që mund t’i bëjë bashkë. Shqiptarët kanë nevojë të ndihen pjesë e qeverisjes që vendos çdo ditë për ta dhe që këtë qeverisje e sheh të lidhur ngushtë­ sisht me vlerat tradicionale të shqiptarëve në këto treva ku kanë jetuar të parët e tyre. Dhe Marrëveshja e Ohrit është një gur i rëndësishëm për të rinisur një udhëtim tjetër, që askush të mos ndihet refugjat në vendin e të parëve të tij. Dhe shqiptarët e Shkupit, Tetovës, Gostivarit e kujtdo komune e fshati tjetër ku ata jetojnë, duhet të zgjedhin pikërisht ata që i përfaqësojnë denjësisht, duke i trajtuar ata si qytetarë me të drejta të barabarta me këdo tjetër që është shtetas i Maqedonisë.

(*Titulli është i redaksisë sv Gazetës Lajm. Titulli origjinal është : Udhëkryqi i shqiptarëve në Maqedoni)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit