20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Papa i ri Françesku, një papë kalimtar?

Më të lexuarat

Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio u zgjodh papa i 266-të. Duke komentuar për DW Klaus Krämer pyet nëse Françesku duhet vlerësuar si papë kalimtar.
Edhe një herë u vërtetua fjala e urtë: Kush shkon në konklavë si papë, del prej saj si kardinal! Kjo sepse nuk u zgjodh asnjëri prej favoritëve kryesorë, po një funksionar kishe, i cili është i njohur për stilin e tij të thjeshtë të jetesës dhe për angazhimin e madh humanitar. Kardinali argjentinas Jorge Mario Bergoglio është i treti papë i mijëvjeçarit të tretë. Françesk e quan veten jezuiti. Në atdheun e tij ai ka dëshmuar se gjendet pranë njerëzve, se i njeh hallet dhe nevojat e të varfërve. Edhe vetëm kaq përbën një sinjal shprese për katolikët në lagjet e varfra (favelas, slums, townships) dhe në kampet e refugjatëve të kësaj bote. Në Amerikën Latine dëshira e besimtarëve për të pasur një papë të lidhur ngushtë me rrethanat e jetës reale ishte veçanërisht e madhe.
Edhe ky pasardhës i apostullit Pjetër është një konservator, çka nuk të çudit, sepse për 35 vjet dy paraardhësit e tij kanë bërë kardinalë vetëm ipeshkvij e fretër konservatorë, e kësisoj edhe zgjedhës të papës. Pra Françesku nuk lë aspak shkas të mendosh se do të jetë modernizuesi që dëshirojnë shumë kritikues të kishës. Jezuiti ka shfrytëzuar shumë raste për të kritikuar me fjalë të qarta padrejtësitë sociale, mirëpo ai ka qëndrime të afërta me organizatën katolike tejet konservatore «Comunione e Liberazione» [bashkësia dhe çlirimi]. Teologjia e çlirimit ishte për të kokëçarje. A do të vërë në pyetje një papë i tillë momente epokale në dogmatikën katolike?
Dhe a mund të përgëzohet ky papë për marrjen e postit? Detyrat dhe problemet, me të cilat duhet të përballet 76-vjeçari, janë gjigante. Së pari Françesku duhet të rifitojë besim. Skandali rreth abuzimit të fëmijëve dhe të rinjve prej klerikëve katolikë e ka dëmtuar rëndë imazhin e kishës së tij dhe (para së gjithash në vendet perëndimore) ka shkaktuar braktisje në masë të kishës.
Françesku duhet t’u futet urgjentisht reformave brendakishtare (të cilat duhet të ishin kryer me kohë). Duhet ndryshuar shoqëria me dy klasa midis priftërinjve dhe bashkëpunëtorëve laikë dhe duhet forcuar pozicioni i laikëve në kishë. Gratë, të cilat kontribuojnë pjesën e luanit në punën kishtare në bazë, meritojnë vlerësim. Me kohë pritet e nuk zhvillohet një dialog pro-kundër celibatit. Në planin teologjik presin ndreqje trajtimi i personave që janë ndarë nga bashkëshortët si dhe refuzimi i vrazhdë në eukaristi i çifteve bashkëshortore me besime të ndryshme. Raporti me kishat jokatolike, veçanërisht me ato të reformacionit, duhet rishikuar. Dialogu ndërfetar duhet të bëjë përpara. E shumë të tjera.
Mirëpo edhe në Vatikan ka gjëra të parregulluara. Afera Vatileaks rreth dokumenteve papnore sekrete, të cilat janë vjedhur, intrigat dhe mashtrimet në detyrë nën rrogoz: të gjitha këto krijojnë përshtypjen se papa Benedikt XVI nuk e ka më në kontroll kishën.
Jo, kryebariu i ri i 1,2 miliardëve nuk është për t’ia pasur zilinë për postin e tij. Edhe vetëm mosha e tij e avancuar ngjall dyshime nëse ai është njeriu i së ardhmes. Më saktë të krijohet përshtypja se kardinalët kanë zgjedhur sërish një papë kalimtar dhe jo një papë të shtigjeve të reja. Ndoshta, përballë gjendjes së Kishës Katolike, konklava ka humbur një shans./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit