12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

PAMUNDËSIA E “SHTETIT ISLAMIK TË KOSOVËS”

Më të lexuarat

Shkruan: Agim Fazliu

Në shkrimin “Letër myslimanëve të Facebook-ut”, autori Mehmet Kraja ka bërë ftesë për të shpjeguar qartë se çfarë shteti synojnë të ndërtojnë myslimanët, do ta drejtojnë atë nga Lindja apo nga Perëndimi. Pyetja është e qëlluar, por qasja është e gabuar. Pavarësisht kësaj, nisur nga logjika se gjërat duhet shikuar nga qëllimi, shpresojmë që Kraja vërtet synonte për të sqaruar gjërat, e jo për t’i komplikuar më tej ato. E ndërkohë, tentimi për grushtshtet në Turqi ka ndezur edhe më tej debatet për muslimanët, “islamin politik” e erdoganizmin.

Para se të analizohet mundësia e “Shtetit Islamik të Kosovës”, që është brenga e të ashtuquajturës klasë laike e kombëtariste, është e nevojshme të analiziohet shtrati kulturor mbi të cilin mund të ngritet një strukturë shtetërore e bazuar në parime fetare. Në dritë të kësaj, fillimisht duhet që të analizohen të përbashkëtat dhe dallimet ndërmjet vizionit të krishterë dhe islam të çështjes. Mendoj se shumë debate për aktualitetin ngulfaten që në fillim për shkak të mungesës së njohurive të qarta se si përceptohet shteti, ose më saktë ndarja e fesë (organizatave fetare) nga shteti.

Përvoja historike na jep një pasqyrë të manifestimit real të parimeve krishtere (katolike) gjatë Mesjetës dhe të parimeve islame gjatë epokës së kalifateve (perandorive) islame. E rëndësishme në këtë rast mendoj se është analiza, zbardhja e asaj se sa është vepruar në praktikë sipas parimeve të kodifikuara në librat e shenjtë dhe literaturën e fesë së caktuar. Duke vrojtuar besimin katolik, mund të thuhet se fryma obskurantiste e materializuar gjatë mesjetës, reflektohet kryesisht në rolin e udhëheqësit, priftit kristian.

Nëse analizohet konteksti fetar dhe kulturor i profilit të priftit, e shohim atë si autoritet të padiskutueshëm. E kemi të njohur institucionin e rrëfimit në kishë. Të penduarit për veprat e këqija futeshin në dhomën e errët për të rrëfyer për mëkatet. I rrëfeheshin Zotit, por në fakt flisnin para priftit, i cili e kishte autoritetin e deleguar për të vendosur nëse do t’i faleshin ose jo mëkatet robit. Kishte priftërinj që në një periudhë të caktuar lëshonin edhe indulgjencat, dokumentin e faljes për mëkatet që do t’i bëntë robi në të ardhmen. Prifti ishte hallka e fundit e hierarkisë së kishës, e cila kishte në krye Papën, Atin e Shenjtë, i cili është mishërimi i Jezu Krishtit, të cilin të krishterët e besojnë si i biri i Zotit ose në disa raste si zoti vet. Kjo strukturë që në njëfare mënyre monopolizon shenjtërinë, sidomos në epokën e Mesjetës, ishte fuqia më e pushtetshme e kohës. Mendoj se është superstruktura më e fuqishme e të gjitha kohërave, sidomos për shkak të informacioneve që kishte për pothuajse të gjitha veprimet e fshehta, mëkatët, të kqijat që i bënin njerëzit që jetonin nën autoritetin e Kishës.

Edhe sot, paravarësisht zhvillimit të teknologjisë, shtrirjes së Google-s, Facebooku-t, përgjimit të telefonatave, një autoritet shtetëror ose një strukturë mbishtetërore nuk mund të ketë informacionet që kishte kisha. Kjo për shkak se njerëzit edhe gjatë komunikimeve në rrjetet sociale ruhen të mos thonë ato më të fshehtat e tyre, e të cilat i rrëfejnë besimtarët para priftit. është kjo “mrekullia e besimit”, e shenjtë për të krishterët, por e shumëkritikuar nga të tjerët, sidomos nga Islami. Kjo është arsyeja përse u kodifikua e ashtuquajtura ndarja e fesë nga shteti, sepse realisht ndodhi vetëm ndarja e Kishës nga shteti. Feja, brendësia e saj besimi nuk mund të ndahet nga shteti, në fakt nga njerëzit që drejtojnë shtetin. Ky defekt është tipik për fenë e krishterë, e cila e hyjnizon krijesën njerëzore, duke i hapur rrugë keqpërdorimeve fatale.

Nga këtu lindi laicizmi, demokracia parlamentare, liberalizmi, që solli të mira në sferën shoqërore e publike, por që e dërrmoi besimin fetar, familjen e anën shpirtërore të njerëzimit. Qasja e hyjnizimit të njeriut është thellësisht e kontestuar nga parimet e besimit pa ndërmjetësues te Zoti, ku mbështetet feja islame.

Imami, udhëheqësi i ceremonive fetare islame, por edhe të veprimtarive tjera jetësore, ka rol krejtësisht të ndryshëm. Nuk e ka “shenjtërinë e deleguar nga Zoti” sikur të priftit, por imami gëzon një shenjtëri tjetër, të dhuruar nga njerëzit që janë sikur ai, rob të Zotit. Nuk mund të reflektohet kjo më mirë tjetërkund sesa tek mënyra se si zgjidhet imami që drejton faljen e namazit. Jemi mësuar të flasim për imamin e një xhamie që e zgjedhë një organizatë ose institucion fetar islam, por ky nuk është imami tipik sipas frymës së fesë islame. Besimtarët që e falin namazin e kanë të njohur situatën kur në xhami nuk ndodhet imami zyrtar i caktuar nga institucioni përkatës fetar. Pasi thirret ikameti, besimtarët nisin të bëjnë safat dhe për një moment secili nisë të shohë tjetrin, e dikush thotë: Vllazën, kush po na e falë namazin?! “Le të na e falë ky vllau”, thotë dikush. I propozuari zakonisht thotë: Jo, le të na falë ky vllau se e di më mirë Kur’anin. Kështu zgjidhet imam çdokush, një punëtor krahu, një mjek a profesor. Ai është sikur të tjerët, por që të tjerët besojnë se është më i merituari. Dhe kështu, përditë, në çdo kohë zgjidhet imami. Islami e njeh të njëjtën skenë edhe gjatë zgjedhjes së drejtuesve të lartë të shtetit. Pejgamberi Muhamed nuk e caktoi zëvendësin, halifen, të cilin e zgjodhën muslimanët pas vdekjes së tij me anë të Shuras, një kuvend popullor i kohës. Një praktikë e tillë u ndoq disa breza më pas, ndërsa kalifatet e mëvonshme u drejtuan nga dinastitë familjare, një shkarje deterministe, para së gjithash e imponuar nga sistemi politik i kohës.

Edhe në ditët e sotshme muslimanët i nënshtrohen një qasje pragmatike të përfshirjes në qeverisje. Kjo mund të bëhet në mënyrë individuale, edhe nëse institucionet janë jofetare. (Kujtojmë këtu këshillën pejgamberike që muslimani duhet të pranojë sistemin që nuk ushtron dhunë). Duke pasur parasysh sistemin aktual politik, muslimanët mund të mblidhen në një parti politike, e cila mund të përkufizohet si një bashkësi që mbledh persona që shfaqin qëndrime të përafërta, i kushtojnë rëndësi familjes dhe vlerave morale. Këta mund ta kenë të përbashkët faktin se janë praktikues të obligimeve fetare, por në radhët e tyre mund të ketë edhe laikë që bartin në vete vlera të njëjta. Parti të tilla janë treguar të suksesshme në Turqi, Malejzi e Tunizi, dhe mund të jenë të mundshme në secilën shoqëri me shumicë muslimane. Një sistem politik ku pushtetin e ka një grup politik i klerikëve, siç ndodhë në Iran (E ashtuquajtura Republika Islamike), nuk është produkt i frymës tipike islame, është thjesht agregat i keqpërdorimeve të qasjes mesatare që e proklamon feja. Prandaj, të gjithë islamofobët, paranojakët e dyshuesit të jenë të qetë, nuk është i mundshëm “Shteti Islamik i Kosovës”. E gjithë çfarë mund të ndodhë, po ndodhë fatkeqsisht, është një përballje ekstremistësh. Në njërën anë janë ekstremistët që nuk i kuptojnë drejt parimet islame dhe me retorikën dhe veprimet e tyre nxisin paragjykime për islamin si fe e dhunshme. Në anën tjetër është grupi që është zhytur në thirrje histerike për të luftuar me ashpërsi kundër ‘ekstremistëve muslimanë’. Përvoja historike, e bën të qartë se zgjidhja nuk është te përballja e ekstremeve.

Ekstremistët e të dy anëve janë pakicë dhe mendoj se kjo është ndarja më e drejtë e taborreve, sipas logjikës Ne dhe Ata. Shumicë janë ata që duan që të mos ketë ekstremistë, e të mos stimulohet krijimi i më shumë ekstremistëve tjerë me anë të pasqyrimit, trumbetimit të zhurmshëm të akteve të dyshimta të të ashtuquajturve “xhihadistë”, pjesëtarë të surrogatit ‘Shteti Islamik’. Shumica e mediave botërore, të imituara verbërisht nga shumë media në gjuhën shqipe flasin për “xhihadistë” e për “Shtet Islamik”. Ky është edhe qëllimi i këtyre ekstremistëve që keqpërdorin parimet fetare, duke u nisur nga emërtimet që bartin në vete shenjtërinë e mesazhit. Shumë liderë botërorë u kanë bërë thirrje mediave që të përdorin emërtimim ISIS, ISIL ose DAESH e jo “Shteti Islamik”. Së fundi, një zyrtar i lartë amerikan foli për DAESH-in, por kur u përkthye nga një medium i huaj që transmeton në gjuhën shqipe u përdor termi ‘Shteti islamik’. Këto ditë një opinionist shqiptar publikoi tekstin “Myslimani me sakicë”, një qasje paragjykuese që nuk dallon shumë nga etiketimi “Shqiptarët me bisht”, që u bëhej dikur shqiptarëve në kuzhinat e propagandës serbe.

Shumica e mediave, me ose pa vetëdije po i shërbejnë propagandës së grupeve ekstremiste. Nëse doni më pak ekstremistë rrudheni pak gjuhën, kthjelleni mendjen!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit