Pacolli nervozon lobuesit e Kosovës

0
49

Behgjet Pacolli ka paralajmëruar se në vjeshtë Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në OKB. Por deklaratat e tij i kanë nervozuar lobuesit e pavarësisë së Kosovës në Washington dhe New York. Burime nga këto dy qendra amerikane të vendosjes thonë se aplikimi do të ndodhë vetëm kur të jenë votat e sigurta dhe kur të evitohet mundësia që Rusia dhe Kina ta përdorin veton e tyre.

Zëvendëskryeministri Behgjet Pacolli  ka paralajmëruar se në vjeshtën e këtij vitit Kosova mund të aplikojë për anëtarësim në Organizatën e Kombeve të Bashkuara.

Palestina vitin e kaluar ka aplikuar për anëtarësim në këtë institucion, pavarësisht se e dinte se nuk mund të anëtarësohet për shkak të vetos së Shteteve të Bashkuara.

E njëjta mund t’i ndodhë edhe Kosovës nëse aplikon për anëtarësim në OKB, por në këtë rast mund të jetë Federata Ruse apo Kina ato që përdorin veton e tyre.

Kosova deri më tash është njohur nga 91 shtete, por jo të gjitha vendet anëtare me të drejtë vetoje në Këshillin e Sigurimit e njohin shtetin e ri. Madje, Rusia njihet si kundërshtare e fuqishme e shtetit të Kosovës.

Pavarësisht kësaj, Zëvendëskryeministri i Parë, Behgjet Pacolli ka përmendur faktin se shifra prej gati 100 njohjeve e ka mobilizuar diplomacinë e Kosovës të aplikojë për anëtarësim në OKB.

“Pas njohjes së Çadit, numri i njohjeve të Kosovës po i afrohet shifrës 100 dhe mund t’ju them se shtatorin e ardhshëm diplomacia e Kosovës po përgatitet të aplikojë për anëtarësim në Kombet e Bashkuara”, ka thënë Zëvendëskryeministri Pacolli, për Presheva Jonë, të shtunën/koha/kohaislame