10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Pa pavarësi financiare nuk ka mirëqenie intelektuale

Më të lexuarat

Përmbajtja

PA PAVARËSI FINANCIARE NUK KA MIRËQENIE INTELEKTUALE

Në vitet 2004/05 në Univerzitetin Islamik të Medinës po diplomoheshim afër 15 shqiptarë, gjë që ishte arritje e madhe për popullin tonë dhe për të gjithë ata që kishin kontribuuar për atë ditë. Mes dhimbjes së largimit nga Medina e dashur dhe dashurisë së kthimit në vendlindje për të bërë një jetë aktive, bënim edhe aktivitetet e fundit që kishim mundësi në atë qytet të bekuar. I vizitonim dijetarët, përsëritnim disa lëndë mësimore në xhaminë e Profetit, alejhi salatu ue selam, si dhe organizoheshim si t’i dërgojmë librat tona në vendlindje, pasi përveç harxhimeve të mëdha të avionit duhet të mbanim dertin edhe të kufirit maqedon, përgjegjësit e të cilit kishin një alergji të paparë nga kopertinat me dizajn arabisht. Atëbotë, të sillje libra arabisht në Maqedoni ishte kontrabandë ndoshta më e rëndë se e drogës, sepse këto nuk i fsheh dot siç e fsheh drogën, megjithatë ia dolëm disi. Nuk po e them si, sepse kushedi, ndoshta përsëri duhet ta bëjmë.

Nejse, vizitat tona dijetarëve dhe profesorëve ishin shumë të çmuara, të them të drejtën, ndoshta atëherë jo aq sa sot këshillat e tyre po i kuptojmë. Një ndër edukatorët dhe prindërit e dhembshur të studentëve ishte edhe Dr. Jahja el-Jahja, të cilin më së shumti e kemi vizituar, sepse dera e shtëpisë së tij ishte gjithmonë hapur për të marrë mësime nga librat që shpjegonte.

Një ndër këshillat e tij ndaj nesh që ishim absolventë – po e parafrazoj – ishte: Ju që po ktheheni në vendlindje keni pozitën e njëjtë sikur të Ibën Bazit dhe Uthejminit që kanë në vendin tonë. Peshë e rëndë dhe fisnike, por ju atje nuk do t’i keni përkrahësit e duhur për atë pozitë, as nga aspekti shoqëror dhe as nga ai financiar. Prandaj, nëse ndokush prej jush ka biznes familjar, le të kyçet aty! Nëse jo, provoni ndonjë tregti që do t’ju lejë hapësirë edhe për të vazhduar mësimet. Nëse jo, mësoni ndonjë zanat dhe nëpërmjet tij kërkoni rizkun që Allahu e ka garantuar për ju. Por kurrë dhe asnjëherë, mos pranoni të paguheni nga xhemati për davetin që bëni!

Po flas për veten, fjalët e para të shejhut më bën të ndihem i madh, madje më i madh seç isha atëherë dhe seç jam sot. Është e vërtetë se në një shoqëri ku mbretëron mosdija, në një shoqëri ku hoxha është vetëm një standard jetese, në një shoqëri ku bidati ka përparësi ndaj sunetit, në një shoqëri ku paragjykohesh për shkak të mjekrës, në një shoqëri ku arritjet bëhen me loja dhe dredhi është më se normale se nuk do gjejmë përkrahjen e duhur, por shpresa se drita dhe shkëlqimi i të vërtetës që bartnim do të prekte thellë në zemrat e popullit, do ta sillte një realitet krejt tjetër. POR, ajo këshilla me biznesin, tregtinë dhe zanatin personalisht më zhgënjeu, më bëri të mendoja sadopak, ashtu siç thonë disa: “dijetarët e Saudisë nuk e dijnë dynjanë, flasin jashtë çdo konteksti”. Ky ishte mendimi im, sipas këtij mendimi punova ndërsa sot, pas 13 viteve them: Ai na paska dashur ne më shumë se sa ne vetveten.

Si fëmijë kam qenë i pasionuar pas ndërtimtarisë dhe teknologjisë, madje mendoja se një ditë do të jem një arkitekt apo inzhinier i suksesshëm në shumë aspekte. Pak më vonë, diku në moshën njëmbëdhjetë vjeçare mu dhez një dritë në horizont se duhej të merresha me mësimin e Fesë dhe me përhapjen e tij në familjen time, në mëhallën time dhe në popullin tim. Kjo dritë çdo ditë e më shumë rritej derisa mu bë dëshirë e flaktë dhe pasion. Me ndihmën e Zotit, arrita të futem në këtë rrugë, të cilës nuk do t’i largohem – me ndihmën e Zotit – sa të jem gjallë, mirëpo biznes, tregti e zanat, asnjërën nga këto nuk i bëra e as që i mendoja. Jo që ishin të pamundshme, por mendoja se një hoxhë nuk mund të jetë i suksesshëm nëse derdh mundin edhe diku tjetër përveçse në hoxhallëk.

Pas më shumë se një dekade aktivitet në fushën e thirrjes islame më duhet të konkludoj se pa pavarësi financiare nuk ka mirëqenie intelektuale. Në fakt asgjë të re s’po them, shkurt e shqip, fjalët e të dashurit Dr. Jahja el-Jahja. Halli i Bashkësive Islame është i njohur dhe tentimi për t’i lëviz gjërat përpara është në vendnumëro; shoqatat që janë mjet për të qenë aktiv dhe kontribuues në shoqëri, për shqiptarët janë vetëm mjet për tu afirmuar tre-katër emra dhe pak diçka më shumë; nëpër xhamia në një mënyrë të thuhet: hoxho, ke mësuar çka ke mësuar, por këtu i kemi rendet tona, duhesh mu ba “këngëtar” i mirë dhe n’daç me punu këtu mos hyr në disa tema që nuk na pëlqejnë; kurse nëpër klubet që hapen në perëndim dhe në saje të tyre hapen edhe disa lokale që njihen si xhami, fol e mos u ndal, çohet tipi e thotë unë jam penduar qe dy vjet dhe tash jam punëdhënësi yt, tjetri thotë se mos me qenë ne shkupjanët (vetëm shembull) kjo xhami mbyllet, i treti kur të hyjë në lokal kërkon në një farë mënyre t’i ngrihesh në këmbë, t’i vallëzosh dhe t’i thurësh fjalë lavdie sepse shiheni kush ka ardh – kush ka ardh, ose për shkak se “ta ka ba vizën” apo për arsye se të ka qaros mish me tatli, i katërti thotë se hoxha ka devijuar sepse ka futur gra pa shami në xhami ose e ka shkurtuar mjekrën, i pesti thotë hoxha e ka vendin te mihrabi edhe s’ka pse me u përzi në jetën tonë të përditshme si organizatë. Këto të gjitha nuk i kam përjetuar unë, por kolegët nëpër klube të ndryshme të Evropës ma kanë vërtetuar më shumë se tre herë këtë realitet të hidhur.

Arsyeja pse po shkruaj në rend të parë ka të bëjë me mua, sepse kur shkruaj ndihmoj shpirtin tim të gabuar dhe të lënduar kurse arsyeja tjetër ka të bëjë me kontributin tim që dua ta jap, që ky realitet yni të kuptohet si gabim dhe pastaj të merren hapa konkretë dhe seriozë që të përmirësohet. Nuk po shkruaj që dikujt t’i shkaktoj dhimbje, por nëse dikush ndien dhimbje, atëherë ky shkrim do të jetë një shkak për shërimin e tij, normalisht, nëse ai/ajo do.

Studentët e rinj, hoxhallarët e rinj, magjistrat dhe doktorët e rinj nuk guxojnë të mendojnë se pa pavarësi financiare mund të bëjnë punë të mirëfilltë intelektuale. Ata e kuptojnë shumë mirë theksin e shumë profetëve të Zotit, kur i thoshin popujve të tyre: “Ne prej jush nuk duam as pagesë dhe as mirënjohje”.

Mos u mashtroni të mendoni se vetëm pushtetet e padrejta, mediet islamofobe dhe shiat punojnë kundër hoxhallarëve, përkundrazi, ka shumë të tjerë dhe me petk goxha të zbukuruar. Kujdes, Allahu na ruajttë të gjithëve!

Sinqerisht!

Juaji

Omer R. Berisha

p.s. në foto me Dr. Jahja el-Jahja në vitin 2017 në Medinë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit