16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Orwelli dhe rreziku tiranik i medias sociale

Më të lexuarat

THE WEEK

Edhe sa kohë qytetarët e konsumuar prej dëshirës së panginjshme për të ndaluar dhe degdisur kundërshtarët ideologjikë në honet më të thella, do të vazhdojnë të shohin ndarjen dhe këmbimin e qeverisjes, si një zakon dhe ritual qytetar me vlerë? Mund t’i jemi afruar rrezikshëm zbulimit të kësaj. Ka qenë një javë thellësisht demoralizuese për median amerikane dhe kulturën demokratike – me pasoja që mund të tregojnë se gjërat do të përkeqësohen shumë më tepër. Së pari, të enjten mbrëma, Buzzfeed botoi një scoop sensacional ku hidheshin dyshime se Presidenti Trump korruptoi dëshminë e rreme të ish avokatit të tij, Michael Cohen. Siç raportuan shumë media me reputacion dhe personalitete mediatike në Twitter gjatë ditës pasardhëse, nëse ishte i vërtetë, ky ishte një akt shumë i rëndë. Karakteri i paverifikuar i akuzës nuk bëri asgjë për të penguar një sërë komentatorësh që të sugjeronin, se presidenti ishte tashmë në prag të impeachment-it dhe largimit nga detyra. Megjithatë, të premten mbrëma, lajmi pësoi një goditje të fortë kur Këshilltari Special Robert Mueller nxori një deklaratë nëpërmjet zyrës së tij, ku vihej në diskutim saktësia e akuzës. Më pas, të shtunën, u shfaq në Twitter një video, në të cilën dallohej një grup nxënësish të shkollës së mesme që përplaseshin dhe tallnin një protestues me origjinë nga indianët e Amerikës, njëkohësisht veteran i luftës në Vietnam. Deri të shtunën herët pasdite, kjo video kishte shkaktuar spazma të forta denoncimesh në Twitter – për adoleshentët racistë, për shkollën e tyre katolike fanatike në Kentucky, për lëvizjen e mbushur me urrejtje të Pro Jetës, dhe në fakt për këdo që mban një kapele MAGA në publik.

Adoleshenti kryesor që shfaqej në video u trajtua si simboli i supremacisë së bardhë, dhe buzëqeshja e tij (apo ngërdheshja) tek përballej me kundërprotestuesin, u ilustrua si provë që ai është pasardhës i drejtpërdrejtë i fanatikëve që dikur u ngritën kundër Lëvizjes për të Drejtat Civile. Edhe pasi u shfaqën video më të gjata dhe më të plota të përplasjes, ku dukej qartë se ngjarjet ishin shumë më pak të rënda nga sa ishte raportuar fillimisht, turma e Twitterit vazhdoi që të sulmojë nxënësit, duke thënë se fytyrat e tyre meritonin një grusht të fortë. Asnjë prej këtyre dy ngjarjeve nuk është shumë e rëndësishme në skemën e madhe të gjërave. E para ose do të vërtetohet, ose do të groposet nga raporti që Muelleri do të nxjerrë, në lidhje me bashkëpunim të mundshëm të fushatës së Trumpit dhe qeverisë ruse, në zgjedhjet e vitit 2016. E dyta do të humbasë dhe harrohet nën një mal shpërthimesh të reja zemërimi, që do të vazhdojë të tronditë vendin, gjatë epokës Trump dhe përtej saj. Megjithatë, të dyja janë treguese të diçkaje ogurzezë që po ndodh në kulturën tonë politike. Polarizimi ekstrem partiak është duke u kombinuar me teknologjinë dhe mediat sociale, e sidomos Twitterin, për të provokuar një formë çmendurie të përsëritur politike, mes anëtarëve të elitës kulturore dhe intelektuale të vendit. Dhe kjo çmenduri, kur kombinohet me ekstremizmin në rritje të së djathtës populiste, po e shtyn vendin drejt disa formave të rrezikshme joliberale të politikës. Kultivimi dhe ruajtja e politikës liberale, në një shtet me përmasa kontinentale dhe me më shumë se 300 milion banorë, është gjë e vështirë. Kjo bëhet veçanërisht e vërtetë, kur polarizimi ideologjik dhe zhvillimet teknologjike inkurajojnë tendenca politike dhe kulturore që e vështirësojnë edhe më shumë. Të dy këto gjëra ndihmuan për të sjellë Donald Trumpin në Shtëpinë e Bardhë. Por ato na kanë dhënë gjithashtu një reagim joliberal ndaj presidencës së tij, nga ana e aktivistëve progresistë, gazetarëve, dhe personaliteteve të tjera mediatike. Shumë është thënë për mënyrën se si Twitteri shërben si një megafon për zemërimin popullor, gjë që është forcuar më shumë prej shpejtësisë së ciklit të lajmeve dhe ligësisë së spikatur si dhe absurditetit të Shtëpisë së Bardhë të Trumpit.

Por shumë pak vëmendje i është kushtuar atij që mund të jetë aspekti më i fuqishëm i platformës së medias sociale: aftësisë së saj për të ushqyer vanitetin e përdoruesve. Ka gjithmonë një element egoizmi në debatin intelektual dhe politik. Por Twitteri vendos çdo përdorues në një skenë masive, me sharjet, fyerjet dhe provokimet më të ndyra, që zakonisht marrin më shumë duartrokitje. Dhe ky është një stimul shumë i madh politik për të përshkallëzuar denoncimin e armiqve politikë. Sa më shumë që shprehet zemërimi ndaj të këqijave që bëjnë të tjerët, aq më shumë shijohet miklimi i turmës virtuale. Po a nuk është një turmë virtuale, shumë më pak e dëmshme se një turmë reale? Unë vetë e kam sugjeruar këtë gjë në një shkrim të kohëve të fundit, me titull: “Nëse mendoni që një luftë civile është pranë, largohuni nga Twitteri”. E megjithatë, gjithmonë e më shumë helm është derdhur në botën reale, me bojkote, dëbime, kërcënime me vdekje, dhe apologji puthadoraze për të zbutur sfurqet digjitale të turmës. Gjithnjë e më shumë duket se është çështje kohe, përpara se dhuna e botës reale të shpërthejë, si pasojë e një acarimi online. Por ky nuk është rreziku i vetëm që Twitteri paraqet për jetën tonë civile. Siç shkruante Andrew Sullivan tre vjet më parë, në një ese mbi rrëshqitjen e Amerikës drejt tiranisë, Platoni besonte që regjimet politike dhe shpirtrat e qytetarëve janë pasqyra të njëri-tjetrit. Një ndryshim në formën politike mund të shkaktojë ndryshim në karakterin e qytetarëve, dhe e anasjella. Tiranitë shfaqen në shumë mënyra, por ndonjëherë ato ngrihen kur qytetarët e një komuniteti politik demokratik, zhvillojnë frymë tiranike.

Ajo që na shfaq Twitteri, është një radiografi në kohë reale i shpirtit të elitës intelektuale dhe kulturore të Amerikës dhe aktivistëve të saj më të përkushtuar – njerëzit që kanë detyrë të shpërndajnë dijen dhe që marrin udhëheqjen, në organizimin e veprimit politik në shoqërinë tonë. Panorama që zbulon është e shëmtuar, vulgare, e frikshme dhe jotolerante, me shpirtra që nxjerrin zbuluar paaftësinë e tyre për të përtypur, peshuar provat dhe gjykuar me objektivitet. Ata shfaqin një impulsivitet dhe zemërim ndaj armiqve politikë, që janë të papajtueshme me mendimin e arsyeshëm, mbi mënyrën si duhet të qeverisemi, shërojmë ndarjet, dhe shmangim kolapsin në dhunë civile, që mund të shpjerë më tej në tirani. Te “1984”, George Orwelli përshkruante një rend politik totalitar ku njerëzit mbaheshin si qengja të urtë, përmes një rituali të përditshëm që quhej “Urrejtja 2-Minutëshe”, gjatë të cilit popullsia drejton gjithë zemërimin e vet te “Goldstein”, një armik i sajuar i shtetit. Falë Twitterit, tani e dimë që e njëjta dinamikë mund të shfaqet spontanisht, me zemërimin që orientohet nga manifestimet e reja të armikut partiak, pothuaj përditë. Kjo na tregon se në rrethana të caktuara – rrethanat tona – njerëzit mund të kapen dhe do të kapen pas një njëpasnjëshmërie Goldstein-ësh të jetës reale, thjesht për ta shijuar – për kënaqësinë e pastër të denoncimit të manifestimeve të ligësisë në mesin tonë. Me sa duket, asgjë nuk kënaq më shumë se sa denoncimi i bashkatdhetarëve tanë për dështimet e tyre morale, dhe të zhyturit në kënaqësinë e fantazive të ndëshkimit të tyre. E shohim këtë në të djathtë, e shohim në të majtë, dhe e shohim gjithnjë e më shumë edhe mes gazetarëve jopartiakë. Pavarësisht se ku e ka origjinën në spektrin politik, është një impuls që e ushqejmë, për të keqen tonë. Edhe sa kohë, qytetarët e konsumuar prej dëshirës së panginjshme për të ndaluar dhe degdisur kundërshtarët ideologjikë në honet më të thella, do të vazhdojnë të shohin ndarjen dhe këmbimin e qeverisjes, si një zakon dhe ritual qytetar me vlerë? Mund t’i jemi afruar rrezikshëm zbulimit të kësaj.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit