9.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Origjina e hallvës dhe receta klasike

Më të lexuarat

Nga Dhurata Thanasi Daneri

Hallvë ose “helva”, në gjuhën arabe do të thotë “i/e ëmbël”. Në Perandorinë Osmane, deri në shekullin e 18-të, të gjitha ëmbëlsirat quheshin helvas. Por edhe pse emri e ka origjinën nga Arabia, hallva është një ëmbëlsirë autoktone e turqve myslimane. Nuk është një ëmbëlsirë vetëm e Pallatit të Sulltanit, por e të gjithë Perandorisë Otomane. Nuk është ëmbelsirë elitare, por gatuhet nga të gjitha shtresat e popullsisë.
Një ndër artikujt e shkruar nga Irene Melikoff, mbi “Ceremoninë (Festën) e Hallvës” thekson se “Festat e Hallvës” e humbën natyrën e tyre festive gjatë kohërave deri në shekullin e 17-të, duke u kthyer si shoqërues ushqimor në tavolinat e shtruara për djemtë pasanikë qytetarë gjatë argëtimeve rreth sofrave mondane në periudhën e dimrit.

Në kuzhinën otomane, përbërësit kryesorë të hallves ishin:
miell gruri, yndyrë, mjaltë, ujë ose qumësht. Në kohët antike përdoreshin shumë dhe hurmat arabe, por me kalimin e kohës ky përbërës nuk rezistoi, në sajë të faktit që hurmat arabe nuk rriteshin në Anadoll.

Mielli i grurit ose ëheatstarch, apo hera-herës dhe te dy tok, skuqen ngadalë në vaj susami apo në sallo deleje ose gjalpë, në një tigan bakri të kallajisur. Pasi ka arritur skuqjen e duhur por jo të djegur, i shtohet mjalti i përzierë dhe njëtrajtësuar me qumështin derisa masa të fryhet, të fillojnë të dalin flluska ajri dhe të “shqitet” nga tigani. Shumëkush i shton dhe bajame të pjekura apo lëng musku apo trëndafili. Në Turqi, me kalimin e viteve e deri në ditët e sotme, varietetet e hallvës janë shtuar e mund të flasim për më shumë se 20-25 lloje hallvash. Sido e sado qofshin, ne shqiptareve, sa herë na vjen të gatuajmë diçka të ëmbël e pa shumë telashe, “dy lugë hallve na e sjellin terezinë në vend”. Apo jo?

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit