11.5 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Oligarkë të fuqishëm, shtresë e mesme e varfër

Më të lexuarat

Hendeku midis të varfërve dhe të pasurve në Evropën Juglindore është veçanërisht i thellë. Këtu përpiqet që të zërë vend një shtresë e re e mesme. Por ajo vetë shpesh kërcënohet nga degradimi social.
Shumë e varfër, për t’u quajtur e pasur, shumë e pasur, për të qenë e varfër: kjo vlen për shtresën e mesme në Rumani. Në dekadën e parë pas kthesës politike të vitit 1989 kjo shtresë – në shtetet perëndimore një shtyllë mbajtëse e shoqërisë- thuajse ka munguar krejtësisht. Siç del e qartë në disa studime, në vitin 2008 vetëm 20 përqind e popullatës në Rumani mund të llogaritej se bënte pjesë në këtë shtresë. Kriza ekonomike dhe financiare megjithatë ka bërë që rrogat të ulen edhe më tej dhe ka çuar pjesërisht në një përgjysmim të shtresës së mesme. Për krahasim: gati dy të tretat e njerëzve në Gjermani marrin 70 deri 150 përqind të të ardhurave mesatare dhe bëjnë pjesë në këtë mënyrë në shtresën e mesme.
Ngjashëm si në Rumani është situata edhe në vendet e tjera evropianolindore. Po të nisesh nga të ardhurat, në Serbi dhe në Kroaci në shtresën e mesme bëjnë pjesë vetëm dhjetë përqind e popullit, në një kohë që në Bullgari madje flitet për një shtresë “të padukshme” të mesme: sepse në bazë të studimeve aktuale, në të bëjnë pjesë vetëm katër deri në tetë përqind të punonjësve. Në një popullatë prej 7,5 milionë banorësh, këtu kemi të bëjmë me 100.000 deri 200.000 vetë: kryesisht punonjës të mirëpaguar të sipërmarrjeve të huaja, banka dhe sigurime, të cilët megjithatë kërcënohen nga degradimi social, sapo punëdhënësi i tyre të largohet nga Rumania.

Shtresa e mesme si motor i demokratizimit
Por shtresa e mesme nuk përkufizohet vetëm përmes kritereve ekonomike. “Me konceptin e shtresës së mesme lidhet edhe kuptimi që ka për veten një grup social, që është shtresa bartëse e rendit demokratik si dhe e shoqërisë së konkurencës politike dhe ekonomike,” thotë Wolfgang Höpken nga Shoqata e Evropës Juglindore. Megjithë disa përjashtime, bën pjesë në doktrinën e teorisë historike-sociologjike se një shtresë e formësuar qartë e mesme është në thelb e interesuar që të krijojë raporte stabile demokratike dhe ekonomike si dhe që t’i ruajë ato , thekson eksperti i Ballkanit. Por në Evropën Juglindore, shtresa e mesme ka qenë e pranishme, që para Luftës së Dytë Botërore dhe vendosjes së sistemit socialist, vetëm në formë rudimentare. Ideologjia komuniste e luftës së klasave kontribuoi në mënyrë vendimtare që edhe ajo pak borgjezi që ishte të zhdukej thuajse krejtësisht. “Në kohën komuniste, shtresa e mesme përfaqësohej thuajse krejtësisht nga e ashtuquajtura inteligjencë, nga profesionet akademike ose përfaqësues të burokracisë,” por kjo është diçka krejt tjetër në krahasim me atë që ne quajmë shtresë e mesme.”

Gabime të së shkuarës
Kthesa në fillim të viteve 90 nuk çoi patjetër në forcimin e shtresës së mesme. Në Bullgari, për shembull, presidenti i parë jokomunist i vendit, Petar Stojanov pranon se paratë u derdhën në qarqet e vjetra të pushtetit, të cilat e patën ruajtur ndikimin edhe pas kthesës politike. Këtë Stojanovi ia tha pak kohë më parë gazetës bullgare “24 orë”. Funksionarë partiakë të vjetër, si dhe punonjës të shërbimit të fshehtë u bënë brenda natës kapitalistë: kështu në ekonomi dhe politikë u ndërtuan struktura oligarkike, të cilat e pengojnë deri sot konkurencën e lirë në shumë fusha të shoqërisë, tha Stojanovi.

Të pasurit e rinj përcaktojnë tonin
Kjo “shtresë e re e mesme”, e quajtur kështu vetëm duke u nisur nga pasuria, nuk e ka siguruar këtë pasuri përmes shkollimit apo të rendimentit të sipërmarrjeve, por “i ka bërë paratë në zonën gri të legalitetit” dhe prandaj nuk duhet vlerësuar si “shtresë e mesme e legjitimuar demokratike”, thekson Wolfgang Höpken. Ajo nuk është fare e interesuar për një “shtet juridik mirëfunksionues”, por për “marrëdhënie klienteliste dhe në struktura politike, që i mundësojnë asaj të veprojë edhe më tej në atë mënyrë si është mësuar.” Prandaj ajo nuk mund të krahasohet patjetër me shtresën e mesme klasike të tipit evropianoperëndimor.

Kjo pasqyrohet edhe në një fenomen tipik për Ballkanin: “në njëkohësinë e të panjëkohshmeve”, thotë Gabriela Schubert, profesore e slavistikës në Universitetin e Jenës. “Nga njëra anë, banorët e qyteteve kanë tendencë drejt teknikës më të fundit, drejt modës më të re dhe arritjeve më të reja, siç i njohin ato nga Perëndimi. Nga ana tjetër, ato preferojnë ende simbolet e vjetra patriarkale dhe vlerat patriarkale.” Përfytyrime seksiste për gratë lënë gjurmët e tyre në kulturën pop thuajse në të gjitha vendet e Evropës Juglindore është e përhapur muzika shoviniste mashkullore “turbo-folk”.

Migrimi si rrezik dhe shans
Edhe vazhdimi i “largimit të trurit” drejt Perëndimit paraqet një rrezik për shtresën e mesme në Evropën Juglindore. Janë para së gjithash të rinj të shkolluar mirë, dinamikë dhe kreativë ata që migrojnë. Por në plan afatgjatë, procese të tilla nuk janë vetëm negative, ato mund të kenë edhe ndikim pozitiv tek shoqëria- për shembull kur njerëzit të kthehen nga bota e jashtme dhe t’i përcjellin normat e përvetësuara, ose kur ata krijojnë lidhje ekonomike me atdheun, mendon Wolfgan Höpken./dw

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit