OKB: Mbi 1000 fëmijë janë plagosur në Gaza që nga 30 marsi

0
23

GJENEVË (AA) – Mbi 1,000 fëmijë janë plagosur nga forcat izraelite në Rripin e Gazës të rrethuar gjatë demonstratave që nga 30 marsi, sipas të dhënave nga Fondi i Kombeve të Bashkuara për Fëmijët (UNICEF), raporton Anadolu Agency (AA).

Fondi i OKB-së thekson se disa lëndime kanë qenë të rënda dhe potencialisht lënë pasoja në jetë, duke përfshirë edhe amputimet.

“Dhuna e fundit ka përkeqësuar sistemin tashmë të dobët shëndetësor në Rripin e Gazës, i cili po shkatërrohet për shkak të ndërprerjeve të mëdha të energjisë dhe mungesës së karburantit, ilaçeve dhe pajisjeve”, thuhet në deklaratën e UNICEF-it. “Objektet mjekësore janë nën kërcënimin e një shkatërrimi të vazhdueshëm” theksohet më tej.

Të mërkurën, UNICEF dhe partnerët e tij dorëzuan dy kamionë me furnizime mjekësore në Rripin e Gazës për rreth 70 mijë njerëz.

Ilaçet dhe pajisjet mjekësore përfshijnë antibiotikë, solucion fiziologjik dhe shiringa për trajtimin e lëndimeve, thuhet më tej.

Të hënën, të paktën 62 demonstrues palestinezë u martirizuan dhe qindra të tjerë u plagosën nga trupat izraelite të vendosura përgjatë anës së tyre të rrethojës së kufirit në mes Gazës dhe izraelit.

Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë, më shumë se 100 demonstrues palestinezë janë martirizuar nga zjarri i ushtrisë izraelite që nga fillimi i tubimeve në Gaza më 30 mars. Të paktën 7 të mitur dhe një fëmijë 8 muajsh janë në mesin e të vrarëve.

Palestinezët protestuan kundër hapjes së ambasadës së SHBA-ve në Kuds dhe në përkujtim të 70 vjetorit të Nakba-së (Fatkeqësia e Madhe).

Javën e kaluar, qeveria izraelite tha se protestat e vazhdueshme përgjatë kufirit të Gazës me izraelin përbëjnë “gjendje lufte” në të cilën nuk zbatohej ligji ndërkombëtar humanitar.