7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

OKB duhet të reformohet, nuk ndaloi maskrat, vrasjet e varfërinë nëpër botë – kritika të fuqishme nga Erdogan

Më të lexuarat

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan ka deklaruar se “Turqia edhe pse nuk është një super fuqi ekonomike apo ushtarake është shndërruar në një lider global si pjesë e zgjidhjes në Irak, Siri dhe vendet tjera”.

Erdoğan për revistën “Foreign Policy” me seli në SHBA ka shkruar një artikull me titullin “Si dhe pse duhet ta rregullojmë OKB-në”, ku ka bërë një vlerësim për krizën, reputacionin e OKB-së dhe propozimet për reforma në këtë drejtim.

Ai tha se liderë nga të gjitha vendet e botës në OKB-në kanë vendosur në tryezë problemet më të mëdha me të cilat po ballafaqohet njerëzimi. Sipas tij, organizimi i kësaj mbledhjeje me temën kryesore “Për të bërë OKB-në të rëndësishme për të gjithë njerëzit” është një abstrakt për vështirësitë e vërteta me të cilat ballafaqohet kjo organizatë.

Sipas presidentit turk, OKB-ja përkundër përpjekjeve të stafit të institucioneve të saj të ndryshme po përjeton një krizë të paprecedentë të reputacionit.

Erdoğan theksoi se në thelbin e problemeve aktuale është mospërmbushja e kërkesës së Këshillit të Sigurimit për “ofrimin e sigurisë dhe të paqes në çdo vend të botës”.

“Ky organ më i lartë vendimmarrës i kësaj organizate nuk ka arritur që të parandalojë veprat penale të përjetuara në vende të shumta duke filluar nga Bosnja, Ruanda, Siria, Jemeni e deri në Palestinë, si dhe nuk ka arritur që t’ia dorëzojë drejtësisë përgjegjësit e këtyre sulmeve mizore. Regjimet autoritare nga rajone të ndryshme të botës, përpara syve të Kombeve të Bashkuara kanë marrë në objektiv civilët e pafajshëm me armë konvencionale dhe armë të shkatërrimit në masë, disa regjime kanë kryer gjenocid pa u ballafaquar me asnjë sanksion”, thotë ai.

“Organizata në të njëjtën kohë ka lënë të vetëm miliona fëmijë të cilët vuajnë nga varfëria ekstreme dhe mungesa e ushqimit dhe se nuk ka ndërmarrë hapa për lehtësimin e dhimbjes së refugjatëve”, tha Erdoğan duke shtuar se “Mund ta zgjasim këtë listë. Por, pulsi i Kombeve të Bashkuara i cili pritet të jetë zemra e njerëzimit, sot nuk punon”.

– Ka ardhur koha për ridefinimin e “udhëheqjes globale”

Erdoğan thotë se ata të cilët e kritikojnë organizatën, janë ndarë në dysh për nga aspekti se çfarë duhet bërë.

Sipas tij, grupin e parë e përbëjnë shtetet në mesin të cilëve ndodhen edhe Turqia dhe Gjermania, të cilët bëjnë thirrje për reformë në mënyrë që të zgjidhen problemet që po përjetohen në OKB.

“Ndërsa kampi i kundërt përfshin SHBA-në që përpiqet të gërryejë themelin e rendit ndërkombëtar liberal, duke keqpërdorur anët e dobëta të Kombeve të Bashkuara. Vendimet e presidentit të SHBA-ve Donald Trump si tërheqja nga UNESCO dhe Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut si dhe ndërprerja e ndihmave financiare për Agjencinë e Kombeve të Bashkuara për Refugjatët Palestinezë (UNRWA), janë shembuj të hapur për këtë gjendje. Trump në fjalimin e ditës së martë, këtë qëndrim e ka cilësuar si ‘politika e realizmit parimor'”, ta Erdoğan.

Ai tha se “në këto ditë ku më së shumti ka nevojë për udhëheqjen globale, duhet të përmirësojmë e jo të rrënojmë Kombet e Bashkuara”. Më tej Erdoğan thotë se “Nëse fuqitë e mëdha nuk duan ta marrin këtë përgjegjësi, nëse një grusht i shteteve të cilat përfitojnë nga sistemi aktual nuk duan të bëjnë reforma dhe nëse arkitektët e Kombeve të Bashkuara në mesin e të cilëve janë edhe SHBA-të dëmtojnë parimin e shumëanshmërisë duke ndërmarrë hapa të njëanshme, atëherë kjo nënkupton se ka ardhur koha e ridefinimit të ‘udhëheqjes globale'”.

– “Turqia është shndërruar në një lider global”

Erdogan thotë se “Nëse fuqitë e mëdha nuk ndërmarrin apo nuk mund të ndërmarrin veprime atëherë pjesa tjetër duhet të bëjë atë që duhet nën ombrellën e OKB-së apo organizatave tjera”. Sipas tij, Turqia do të jetë anëtare e këtij komuniteti.

“Sot edhe një herë ritheksoj thirrjen time që t’i jepet fund praktikës së anëtarësimit të përjetshëm në KS të OKB-së, rritjen e numrit të anëtarëve në 20 dhe përfaqësimin e të gjitha shteteve me radhë në këtë platformë. Turqia edhe pse nuk është një super fuqi ekonomike apo ushtarake është shndërruar në një lider global si pjesë e zgjidhjes në Irak, Siri dhe vendet tjera”, tha presidenti turk.

– “Në OKB duhet të nisë një proces i reformave gjithëpërfshirëse”

Presidenti Erdogan nënvizoi se sot Turqia, si nikoqire e 4 milionë refugjatëve nga të cilët 3,5 milionë sirianë, është në mesin e donatorëve kryesorë për ndihma humanitare.

“Në anën tjetër dimensionet në të cilat ka arritur kriza e refugjatëve tregon se kjo çështje nuk mund të zgjidhet pa praninë e një bashkëpunimi më të ngushtë me organizatat si OKB-ja”, tha ai duke shtuar se “Nëse fuqitë globale nuk ndihmojnë atëherë të tjerët nga komuniteti ndërkombëtar duhet të marrin iniciativë dhe të nisin procesin e reformës gjithëpërfshirëse në OKB”.

Ai së fundmi ka thënë se “Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara duhet të bëhet më shumë se një platformë ku liderët botërorë vijnë për të mbajtur fjalime dhe për t’ radhitur ankesat e tyre. 2018 duhet të bëhet viti i vendosjes së themeleve për një sistem të ri të Kombeve të Bashkuara”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit