8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Objektivat e ligjit Islam

Më të lexuarat

Ligji islam është në dobi të njerëzve

“Ne të dërguam ty (Muhammed) si mëshirë për të gjitha krijesat.” (Kur’an: El-Enbija, 107)

Se Pejgamberi i Zotit është dërguar mëshirë për njerëzimin, do të thotë se ai është dërguar me udhëzimin i cili me të vërtetë është në dobi të njerëzve. “Udhëzimi” e “mëshira” është sjellje e asaj që është e dobishme për njerëzit dhe largim i së dëmshmes nga ata, dhe pikërisht ky është interesi i përgjithshëm dhe i përbashkët i njerëzimit. Vlerësimi absolut i një sendi si i mirë apo i keq/i dobishëm apo i dëmshëm i takon vetëm Sheriatit – Ligjit të Zotit, ngase të vërtetën e plotë për njeriun dhe për atë se ku qëndron e mira e dobishme për të nuk e di askush përveç Krijuesit dhe Zotit të njeriut. Dhe poqë se kjo detyrë do t’i lihej njeriut, do të hasnim në lloj-llojshmëri të ideve kundërthënëse të varura nga kultura, nga niveli intelektual, nga shoqëria, nga koha dhe nga individi. Së këndejmi e mira dhe e keqja do të “merrnin” karakter konvencional, ashtu siç argumentonin sofistët.

“Besimi përbëhet nga shtatëdhjetë e disa degë, më e larta e të cilave është Nuk ka zot përveç All-llahut (La ilahe il-lall-llah) dhe më e ulëta largimi i një pengese nga rruga.” (Pejgamberi Muhammed, paqja qoftë mbi të)

Nga kjo thënie kuptojmë se besimi është kryerja e të gjitha punëve të mira dhe të dobishme, të vogla qofshin apo të mëdha. Vërejmë se Pejgamberi në këtë hadith ka përkufizuar dhe shpjeguar konceptin e besimit duke lidhë dy skaje: besimin dhe adhurimin e Zotit nga njëra anë dhe largimin e pengesave nga rruga nga ana tjetër.

Ekzistojnë edhe shumë e shumë dëshmi nga tekstet islamike se Ligji islam – Sheriati jep parametrat e një jete kualitative me të cilën realizohen interesat më të larta dhe arrihet mirëqenia më e lartë e mundshmne për njeriun në këtë botë dhe në të ardhmen. Ja disa prej tyre:

“All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna.” (Kur’an: En-Nahl, 90)

“O ju që besuat, përgjigjuni All-llahut dhe të dërguarit kur ju ftojnë në atë që ju jep jetë” (Kur’an: El-Enfal, 24)

“All-llahu dëshiron lehtësim për ju, e nuk dëshiron vështirësim për ju.” (Kur’an: El-Bekare, 185)

“Ai është që krijoi vdekjen dhe jetën, për t’ju provuar se cili prej jush bën vepër më të mirë.” (Kur’an: El-Mulk, 2)

“O ju të zotët e mendjes! Në masat e dënimit ka jetë për ju, ashtu që të ruheni (nga krimi dhe zullumi).” (Kur’an: El-Bekare,179)

“Të pyesin ty për verën dhe bixhozin. Thuaj: “Që të dyja janë mëkat i madh, e ka edhe dobi në to për njerëz, por dëmi i tyre është më i madh se dobia e tyre.” (Kur’an: El-Bekare, 219)

“Për çdo nyjë në trupin e tij njeriu duhet të japë lëmoshë (sadaka). اdo ditë në të cilën njeriu vendos drejtësi në mes të dy njerëzve është lëmoshë. Ndihma që i ipet tjetrit për të hipur mbi kafshën e tij apo për t’i ngarkuar plaçkat mbi kafshë është lëmoshë. Fjala e mirë është lëmoshë. اdo hap që qet njeriu kur të shkojë për t’u falur është lëmoshë. Largimi i pengesave nga rruga është lëmoshë.” (hadith)

“Nuk lejohet t’i shkaktohet dëm askujt, por as nuk lejohet të kthehet e keqja me të keqe (dëmi me dëm).” (hadith)

Dëshmi tjetër për këtë është se Ligji islam respekton dhe pranon të gjitha traditat dhe zakonet e mira të individëve dhe grupeve shoqërore të cilat nuk kundërshtojnë shpirtin e Sheriatit. Ekzistojnë shumë adete të arabëve në kohën e Pejgamberit Muhammed të cilat Ligji i Sheriatit i ka mirartuar dhe lavdëruar, si për shembull, pagesa e një shume të caktuar të parave me rastin e vrasjes apo plagosjes së personit tjetër, ngjashmëria (shoqërore, ekonomike etj.) e çiftit që don të lidhë martesë, ortakëria në biznes, mbulimi i Qabesë me pëlhurë e të tjera.

Edhe një argument logjik: duke u nisur nga atributi i Zotit se Ai është i Urtë, ligji që rrjedh nga Ai duhet të jetë i dobishëm dhe në interes të njerëzve. Zoti ka çuar pejgamberë ndër njerëzit në kohë të ndryshme të historisë dhe kështu Ai ka manifestuar mëshrën, dhembshurinë dhe bamirësinë e Tij për njerëzit, në mënyrë që t’i udhëzojë ata në rrugë të drejtë që të jetojnë në mirëqenie në këtë botë dhe në të ardhmen.

PIKESYNIMET E LIGJIT ISLAM – SHERIATIT

Sheriati është ligji të cilin Zoti e shpalli dhe e qartësoi për njerëzit. Burimi i këtij ligji të Tij pra, është shpallja nga Zoti, e cila përfaqësohet në Kur’an, si fjalë e Zotit, dhe në Sunneh apo Hadith të të Dërguarit të Tij, si fjalët, veprat dhe miratimet e Tij. Ai mbron interesat e njerëzve dhe realizon ato në mënyrën më të përsosur që është e mundur. Ibën Tejmije thotë: “Ligji islam ka ardhur të realizojë ato që janë të dobishme për njeriun në mënyrë sa më të plotë dhe t’i ndërpresë apo t’i pakësojë e zvogëlojë të dëmshmet.” (Minhaxhus-sunnetin-nebevijjeti, 2/131) Islami thërret që të promovohet e mira dhe vlerat shpirtërore e morale.

Islami përmirëson njerëzimin duke përmirësuar individët. Prandaj, ai porosit të korrektohet besimi, i cili është burim i mendimit dhe i sjelljes së njeriut. Pastaj, njeriun e përmirëson duke thirrur në pastrim të shpirtit, zemrës apo brendësisë së tij, ngase e brendshmja e shëndoshë është lëvizësi i njeriut drejt punëve të mira. Më tutje jetën e njeriut dhe raportet mes njerëzve i trajton dhe i përmirëson përmes ligjeve të cilat i ka paraparë Urtësia hyjnore.

Në bazë të studimit sistematik të normave dhe rregullave të Sheriatit, apo Ligjit islam, hetojmë se ai, me urdhëresat dhe ndalesat e tij, synon të realizojë dhe të sigurojë të mirat e përgjithshme apo interesat e njerëzve (MESآLIH) duke promovuar mirëqenien e tyre si individë dhe si trup kolektiv dhe duke larguar dëmin nga ata (EL-MEFآSID). Ose me fjalë të tjera qëllimi kryesor i Sheriatit është t’i largojë të gjitha veprimet e dëmshme apo të këqia nga njerëzit si dhe t’i kultivojë e t’i mbrojë ato që janë të dobishme apo të mira për ata. Në të vërtetë ky ka qenë boshti i të gjitha mesazheve të profetëve të Zotit. Në mënyrë që të arrihet ky qëllim i madh Sheriati siguron një numër normash që kanë të bëjnë me njeriun dhe me besimin që aludojnë mëshirën, dhembshurinë, drejtësinë, mirësinë, lehtësinë e jo vështirësinë. Nga këto norma të larta mund të përmendim: obligueshmëria e drejtësisë dhe ndalimi i padrejtësisë (zullumit), mbrojtja e të drejtave, mbrojtja nga dëmtimi, norma për sinqeritet e dëlirësi, përmbushje të premtimit dhe parime të tjera të moralit islam të cilat realizojnë interesat që janë në dobi të individit dhe shoqërisë.

Dijetarët islamë këtë tematikë e kanë shqyrtuar në librat e shkencës së Usulul-fikhit, me një qasje përafërsisht të njëjtë.

LARGIMI I SE DEMSHMES

(DER’UL-MEFآSID)

El-mefsedeh, apo el-mefâsid në shumës, nga gjuha arabe ka kuptim e keqja, e dëmshmja, ajo që çrregullon, shkatërron, korrupton dhe kuptime të ngjashme.

E dëmshmja mund të jetë në jetën e kësaj bote, që është çdo veprim që i sjell dëm njeriut në këtë jetë, si dhe në jetën pas kësaj, ku Zoti realizon drejtësinë absolute dhe atëbotë ndëshkimi i Tij është dëmi më i madh për ata të cilët e vuajnë atë.


SIGURIMI / TERHEQJA DHE RUAJTJA E SE DOBISHMES

(XHELBUL-MESآLIH)

Nocioni el-maslaha, apo në shumës el-mesâlih është e mira, e dobishmja, lumturia dhe shkaqet e saj, dhe të gjitha ato që i do dhe i pëlqen njeriu.

Objektivi i Sheriatit është arritja e kufirit më të lartë të mirëqenies së njerëzve, prandaj ligjet e tij synojnë t’i sigurojnë, t’i mbrojnë dhe t’i kultivojnë të gjitha ato punë që janë në interes apo në dobi të njerëzve. Ajo që është e dobishme për njeriun nuk kufizohet vetëm në çështjet e kësaj bote, por në Sheriat ajo përfshin këtë botë, por edhe botën e ardhshme e cila është e amshuar; përfshin trupin material dhe shpirtin. Ligji islam – Sheriati, më tutje, synon të pajtojë dhe të barazpeshojë interesat e individit me ato të shoqërisë; interesat e të gjitha shtresave të shoqërsisë; interesat e një kombi në veçanti me ato të njerëzimit në përgjithësi; interesat e gjeneratave të tanishme me ato të gjeneratave të ardhme. Këtë ai synon ta bëjë, sipas rendit të përparësisë, përmes:

1. garantimit të nevojave të domosdoshme, qenësorë dhe vitalë (el-mesâlihu ad-darûrijjetu) të tyre,

2. plotësimit të kërkesave ose nevojave të tyre (el-mesâlihu el-hâxhijjetu),

3. përmirësimit të kualitetit të jetës së tyre (el-mesâlihu et-tahsînijjetu).

Ne shohim dhe jemi dëshmitarë se interesat dhe të mirat e të dobishmet të cilat njerëzit synojnë t’i sigurojnë në jetën e tyre individuale dhe shoqërore nuk dalin jashtë këtyre tri tipeve që i përmendëm. Kur njeriu ka nevojë për shtëpi ose së paku një shpellë ku do të ruhet nga të ftohtët dhe të nxehtët dhe nga gjëra të tjera që mund t’i shkaktojnë edhe vdekjen, ai në rastin tonë plotëson një nga interesat e domosdoshme. Ndërsa kur ai dëshiron që shtëpia e tij të ketë dritare dhe dyer që të dalë e të hyjë kur të dojë pa vështirësi dhe t’i hapë e t’i mbyllë dritaret pa vështirësi dhe kurdo që ka nevojë për fllad, rreze dielli apo ajër të pastër, ai në të vërtetë plotëson njërën nga ato që ne po i quajmë interesat e nevojshëm. Kurse kur atij i pëlqen që të ketë në shtëpi orendi funksionale dhe të bukura, shtrat të rahatshëm dhe gjëra të tjera pa të cilat përndryshe nuk do t’i ishte rrezikuar jeta, ai plotëson një interes përmirësues, siç po e quajmë në këtë kontekst. Ligji islam – Sheriati shërben që të sigurohen, të garantohen dhe të ruhen të gjitha këto tipe të interesave të njeriut si individ dhe shoqëri. Këtë mund ta hetojmë nga studimi i ligjeve të tij në sfera dhe aspekte të ndryshme të jetës, dhe duke studiuar shkaqet dhe urtësitë që fshihen pas ligjeve përkatëse.

Meqë interesat e njerëzve në jetë përfshijnë çështjet e domosdoshme, të nevojshme dhe përmirësuese, atëherë kurdo që atyre u sigurohen këto çështje mund të thuhet se u janë realizuar interesat e tyre. Ligji islamik përmban norma dhe dispozita përkitazi me fusha të ndryshme të veprimit të njerëzve me të cilat realizon këto tri kategori interesash për individin dhe shoqërinë.

Pra, e dobishmja apo e mira të cilën Sheriati synon ta sigurojë mund të jetë njëra nga këto kategori të lartpërmendura. Të flasim në vazhdim për secilën nga këto veç e veç pak më gjerësisht.

Nevojat apo interesat e domosdoshëm, qenësorë dhe jetikë ose vetëm domosdoshmëritë

(El-mesâlihu ad-darûrijjetu ose shkurt ad-darûrijât)

Nevojat e domosdoshme dhe qenësore vitale të cilat Sheriati synon t’i mbrojë janë ato nga të cilat varet jeta e njeriut dhe pa të cilat jeta njerëzore nuk funksionon mirëfilli. Nëse ndonjë nga këto nevoja privohet ose kërcënohet, korruptohet apo prishet, atëherë kjo do të rezultojë në jetën e individit si dhe të kolektivit duke prishur dhe shkaktuar prishje të rendit në jetë.

Këto nevoja të domosdoshme, sipas rendit të përparësisë, janë pesë:

1. Feja ose sistemi natyral i besimit dhe mënyra islame e jetës (hifdhud-dîni);

2. Jeta e individit dhe e gjinisë njerëzore (hifdhun-nefsi);

3. Mendja e individit (hifdhul-akli),

4. Lidhshmëria e gjakut apo përkatësia familjare dhe nderi i individit (hifdhun-nesli ose hifdhun-nesebi dhe hifdhul-irdi) dhe

5. Pasuria apo prona (hifdhul-mali).

Disa dijetarë nën këtë kategori rradhisin edhe:

Shteti (hifdhud-devleti),

Siguria (hifdhul-emni) dhe

Dinjiteti i njeriut (hifdhul-kerâmetil-insânijjeti).

Ruajtja e secilës nga këto është e domosdoshme për mirëqenien e individëve dhe të shoqërisë. Prandaj, çdo gjë që garanton sigurimin dhe ruajtjen e këtyre parimeve, është e mirë dhe e dobishme, ndërsa çdo gjë që rrezikon këto, është e keqe dhe e dëmshme. Sheriati i mbron këto nevoja të domosdoshme për mirëqenien e jetës së njeriut, ashtu që përkitazi me to ka paraparë ligje të prera dhe për ata që shkelin këto ka përcaktuar masa, ndëshkime dhe sanksione. Ai parasheh ligje, dispozita dhe norma të cilat garantojnë këto nevoja jetike si dhe sistem e konventa penale me të cilën i mbron këto domosdoshmëri.

Me Fe nënkuptohet tërësia e besimeve, praktikave dhe ligjeve me të cilat Islami rregullon marrëdhëniet në mes njeriut dhe Krijuesit të tij dhe në mes njerëzve në mënyrë të ndërsjellë. Ruajtja e fesë nënkupton ruajtjen e saj nga devijimi dhe gabimi dhe thirrjen e të tjerëve që të pranohet dhe të jetohet në pajtim me të, dhe të mbrohet nga forcat që e rrezikojnë atë. Prandaj besimi, ritet e adhurimit (ibadetet), ndalesa nga risitë në Fe (bid-ah), ligjet përkitazi me luftën (xhihadin), me dispozitat për renegatët, të gjitha këto janë për ruajtjen e Fesë.

Me ruajtjen e jetës nënkuptohen masat për ruajtjen e gjinisë njerëzore në mënyrën më të mirë të mundshme, dhe kjo përfshin ligjet në lidhje me martesën dhe shtimin. Ajo gjithashtu përfshin sigurimin e nevojave të domosdoshme të ushqimit, pijes, veshmbathjes, strehimit dhe sigurisë, si dhe ligjet përkitazi me ndalimin e vetëvrasjes dhe abortit dhe dënimin për vrasësin. Për të garantuar jetën, është paraparë banimi në shtëpi, pastaj martesa, dispozitat në lidhje me familjen, ndalesa për vetëvrasje, urdhri për shërim, lejimi i ngrënies së coftinës dhe ushqimeve të tjera parimisht të ndaluara në raste kur jeta varet nga këto ushqime, sepse nuk gjindet ushqim tjetër etj. Ligjet në lidhje me ndëshkimet dhe dëmshpërbëlimet për ata që privojnë të tjerët nga jeta e tyre janë vënë për ta ruajtur jetën e njeriut.

Ruajtja e mendjes është interes, për realizimin e të cilit Sheriati ka ndaluar konsumimin e alkoolit dhe të gjitha substancave dehëse. Gjithashtu, për këtë qëllim, Sheriati ka urdhëruar nxënien e diturisë, që mendja të pasurohet me njohuri dhe dituri, të mendohet për krijimin e qiejve, të tokës dhe çfarë ka në to. Më tutje Sheriati ka paraparë ndëshkim për ata që e konsumojnë alkoolin.

Nxitja e të rinjëve për t’u martuar, ndëshkimi për marëdhënie seksuale joligjore (zina), ligjet që kanë të bëjnë me kufizimin apo përmbajtjen e shikimit, ndalesa nga vetmimi i mashkullit dhe femrës së huaj, ndalimi nga provokimi i gjinisë tjetër më veshje, me të folur etj., janë vënë për ta ruajtur pastërtinë morale dhe nderin. Ligjet në lidhje me ndëshkimet për ata që ngrenë akuza të pabaza kundër njerëzve të cilët janë të pafajshëm dhe të pastër kanë për qëllim të ruajnë nderin dhe dëlirësinë e njeriut. Ndalimi që fëmiu i huaj t’i mvishet një njeriu që në të vërtetë nuk është prind i tij ruan prejardhjen e individit.

Për ruajtjen e pronës dhe pasurisë janë përkujdesur ligjet e Sheriatit që nxitin njerëzit të punojnë dhe të fitojnë të mirat materiale në mënyrë të ligjshme dhe të cilat ndalojnë shfrytëzimin dhe padrejtësinë. Për t’u furnizuar dhe pasuruar njerëzit me të mirat e botës, All-llahu ka obliguar punën, ka sqaruar rrugët e lejuara për t’u pasuruar dhe ka përcaktuar ligjet që rregullojnë dhe lehtësojnë tregtinë dhe veprimtaritë tjera afariste. Ndëshkimet për vjedhje, ryshfet e korrupcion janë për ta ruajtur pasurinë, e kështu me radhë. Gjithashtu ka obliguar të pasurit të japin një pjesë të caktuar nga pasuria e tyre për të varfërit dhe nevojtarët, dhe i ka nxitur ata për lëmosha të tjera vullnetare në mënyrë që edhe atyre t’u sigurohen bile nevojat më elementare për një jetë sa më normale.

Për ruajtjen e shtetit, All-llahu ka obliguar emërimin e halifes (kryetari i shtetit islam) për të gjithë muslimanët dhe ka ndaluar rebelimin ndaj shtetit, ka përcaktuar dënimet për ata që shkelin ligjet, ka ndaluar racizmin, nacionalizmin dhe format e tjera të diskriminimit dhe ka obliguar respektimin e halifes në ato çështje të cilat janë në pajtimin me Sheriatin.

Për të ruajtur sigurinë, All-llahu ka urdhëruar të pregatiten forcat me të cilat do të luftohet krimi dhe ata që e rrezikojnë sigurinë, ka urdhëruar promovimin e të mirave, thirrjen në punë të mira dhe ndalimin nga punët e liga, ka urdhëruar drejtësi në mes të njerëzve, ka ndaluar terrorizimin e njerëzve të pafajshëm etj.

Për të ruajtur dinjitetin e njeriut, Islami ka ndaluar zbatimin e dënimit mbi të akuzuarin para se të gjykohet bindshëm për fajësinë e tij; ka ndaluar të dënohet fajtori me dënime të shëmtuara të cilat nuk i ka paraparë Sheriati, si ndukja e thonjëve, djegia me zjarr etj.; ka ndaluar fyerjen, përgojimin dhe akuzimin për zina pa patur dëshmitarë, e bile ai dënon ata që bëjnë këtë.

Interesat e nevojshëm apo vetëm nevojat apo kërkesat

(El-mesâlihu el-hâxhijjetu ose el-hâxhijjât)

Këto kanë të bëjnë me ligjet e Sheriatit të cilat kanë për qëllim lehtësim në raste vështirësie dhe të cilat largojnë apo zvogëlojnë vështirësinë nga jetët e njerëzve dhe kanë për qëllim masat parandaluese që pengojnë të dëmshmet (el-ihtijât) apo ato që rrezikojnë domosdoshmëritë. Si shembull të këtyre, po përmendim llojet e ndryshme të kontratave dhe praktikave tregtare në veprimtaritë e biznesit që i ka pranuar Sheriati. Pastaj lejimin e shkurorëzimit në rast nevoje; ndalimin e shitjes së alkoolit në mënyrë që të pengohet apo vështirësohet arritja deri tek ai, apo për shembull joobligueshmëria e agjërimit për personin që është në udhë apo i sëmurë, tejemumi për atë që nuk gjen ujë, lejimi i shkurorëzimit dhe dispozita tjera të cilat e bëjnë jetën më të lehtë. Fjala është pra, për ato dispozita të cilat u mundësojnë njerëzve të çojnë jetë sa më të lehtë dhe poqë se mungon njëra nga këto nuk prishet rregulli i jetës së tyre, por jeta dhe aktiviteti njerëzor vështirësohet.

Nga ilustrimi vijues vërehet dallimi në mes të domosdoshmërive dhe nevojave: të ngrënit dhe veshmbathja janë nga dispozitat që bëjnë pjesë në domosdoshmëritë, ndërsa ushqimet e mira e të shijshme dhe veshmbathja e mirë dhe e rahatshme bëjnë pjesë në nevojat. Kështu, nëse ushqimi nuk është kushedi se sa i shijshëm apo rrobat nuk janë kushedi se sa të mira, kjo nuk don të thotë se njeriu do të vdesë urie, apo nga të ftohtit, respektivisht nga të nxehtit, porse jeta e tij nuk është e lehtë dhe e rahatshme sikurse e atij që në bazë të kulturë së vet zgjedh ushqimet dhe rrobat e të mbathuarat më të mira.

Interesat përmirësuese të kualitetit të jetës ose përmirësueset

(El-mesâlihu et-tahsînijjetu ose et-tahsînijjât)

Këto kanë të bëjnë me të gjitha ligjet e Sheriatit të cilat lidhen me përmirësimin e kualitetit dhe kushteve të jetës si dhe moralit të njerëzve. Përfshijnë ligjet në lidhje me pastrimin e trupit, rrobave dhe mjedisit, mbulimin e pjesëve private, mënyrën e largimit të papastërtisë, kryerjen e veprave jo të obliguara të adhurimit siç është agjërimi vullnetar, lëmosha e kështu me rradhë. Përmirësueset nënkuptojnë sjelljet dhe traditat e mira dhe largim nga situatat dhe sjelljet që janë të papranueshme. Fjala është pra për moralin dhe sjelljet e mira, si dhe për ato që e ruajnë dinjitetin dhe nderin e njeriut, si për shembull mbrojtja e njeriut nga akuzat e rrejshme dhe nga të fyerit. Fyerja, për shembull, nuk e rrezikon jetën e njeriut, dhe as privon një nevojë nga nevojat e tij, por ndalimi i saj e mbron njeriun nga gjërat që e poshtërojnë dhe e irritojnë atë. Në këtë kategori rradhiten normat që kanë të bëjnë me moralin, ato me pastërtinë, ta zëmë pastrimi i fëlliqësirave nga rrobat dhe ambienti ku jeton, prerja e thonjëve, larja, veshja e rrobave të bukura, largimi i pengesave nga rruga, mikëpritja dhe dispozitat tjera të cilat e zbukurojnë jetën. Nëse mungojnë përmirësueset nuk prishet rregulli i jetës dhe as nuk vështirësohet jeta, por ajo zhvishet nga edukata dhe kultura, ndërkaq kualiteti i jetës do të jetë më i ulët gjithsesi.

Interesat plotësuese

(El-mesâlihu et-tekmîlijjetu ose et-tekmîlijjat)

Në literaturë mund të hasim edhe në këtë kategori të veçuar nga të tjerat. Këto plotësojnë interesat e domosdoshme dhe të nevojshme ashtu që ato realizohen në mënyrë sa më të përsosur.

Në të vërtetë, nevojat janë plotësim i domosdoshmërive dhe plotësueset janë plotësim i nevojave. Prandaj, kur All-llahu ndalon një gjë, Ai ndalon edhe gjërat që çojnë te ndalesa përkatëse. Kështu kur Ai ndaloi marrëdhëniet seksuale jashtë martesës (zina) ndaloi të gjitha situatat dhe rrugët që çojnë tek ato, si për shembull qëndrimi vetëm i mashkullit dhe femrës së huaj në një vend, përzierja e gjinive pa kontroll, zbulimi i pjesëve provokative të trupit e të tjera. Për këtë në Kur’an thuhet: “Mos iu afroni zinasë…” Kjo aludon mbylljen e çdo rruge që çon te zinaja. Një shembull tjetër i interesave plotësuese mund të përmendet edhe ndalimi i kamatës që është plotësim i parimit të ruajtjes së pasurisë, që bën pjesë në domosdoshmëritë, ngase pjesa e shtuar që ipet si kamatë është pjesë e së mirës materiale që paguhet pa kundërvlerë. Në interesat plotësuese aludojnë rregullat e përgjithshme të fikhut, si: rruga që çon te harami është haram; çfarë ndalohet të merret, ndalohet edhe të jepet; çfarë ndalohet të hahet a të pihet, ndalohet edhe të shitet; ajo pa të cilën nuk mund të kryhet vaxhibi është vaxhib etj., si dhe dispozitat e veçanta si për shembull ajo që u cek më lartë në lidhje me ndalimin e vetmimit të mashkullit dhe femrës së huaj së bashku etj.

Kategoritë e lartpërmendura ndërlidhen me qëllimet e përgjithshme të Sheriartit. Nga këto, mund të shohim se interesat e Sheriatit nuk kanë të bëjnë vetëm me aspektet personale të fesë ose riteve të adhurimit, por merren me të gjitha aspektet e jetës.

LLOJET E INTERESAVE PER NGA TE MARRET E TYRE NE KONSIDERATE NGA SHERIATI

Vështruar nga ky aspekt interesat i grupojmë në tri lloje:

1. Ato të cilat i merr në konsideratë, ose ua hedh vëmendjen Sheriati duke i mbrojtur ato dhe duke ndaluar çdo gjë që rrezikon dhe i kundërshton ato, siç është ruajtja e fesë që realizohet përmes përhapjes së diturisë fetare dhe propagandimit të tij si dhe duke ndaluar të gjitha ato që dobësojnë apo janë në kundërshtim me të;

2. Ato të cilat Sheriati nuk i pranon, siç është për shembull interesi i gruas për të qenë e barabartë me mashkullin në trashëgimi. Në këtë grup hyjnë të gjitha ato që nuk pranohen nga Sheriati, edhe pse njeriu mund t’i marrë si të mira, por nuk janë të tilla, sepse ose janë në kundërshtim me Sheriatin, ose bien ndesh me një nga qëllimet e tij, ose bien ndesh me një interes më të madh,

3. Ato për të cilat Sheriati nuk flet fare, pra as i ruan e as i kundërshton. Në këtë grup hyjnë të ashtuquajturat el-mesâlihul-murseletu.

LLOJET E INTERESAVE PER NGA NDRYSHUESHMERIA

Sipas ndryshueshmërisë interesat mund të jenë:

1. Të pandryshueshëm apo të qëndrueshëm, siç janë obligimet (vâxhib) dhe ndalesat fetare (harâm) dhe

2. Të ndryshueshëm varësisht nga situatat që i imponojnë kushtet kohore dhe vendore, siç janë ndëshkimet që nuk i parasheh Sheriati, por i propozojnë juristët ligjvënës, përdorimi i metodave dhe mjeteve të ndryshme me qëllim të propagandimit të Fesë, të cilat nuk kundërshtojnë ndonjë normë të Sheriatit e kështu me rradhë.

OBJEKTIVAT E SHERIATIT NE RAPORT ME NEVOJAT E NATYRSHME TE NJERIUT

Varësisht se si qëndrojnë interesat që i përfaqëson Ligji islam në raport me nevojat dhe kërkesat e natyrshme të njeriut ato janë dy llojesh:

1. Ato të cilat janë të pajtueshme me kërkesat e natyrshme të njeriut, pra janë të ngulitura në natyrën e tij dhe ai ndjen nevojë për to dhe

2. Ato që sipas natyrës së tij njeriu nuk i kërkon dhe nuk kanë dobi të dukshme për të.

Pra, fjala është për dobi apo interesa të dukshme dhe të padukshme, ngase shumë interesa të llojit të dytë në sy të njeriut nuk janë të dobishme, por në të vërtetë kanë dobi të fshehura, edhe pse njeriu mund të mos i sheh ato dobi.

Si shembull nga lloji i parë mund të përmendim: veshmbathja, të ngrënit dhe të pirët për të ruajtur jetën dhe kënaqja e nevojës seksuale. Ndërsa nga lloji i dytë po përmendim: zgjerimi i rrugëve, caktimi i rojeve natën e kështu me radhë.

Tekstet sheriatike nuk kërkojnë në mënyrë urdhërore nga njeriu të kryejë veprat që ia sigurojnë interesat nga lloji i parë, sepse vetë kërkesat dhe nevojat e natyrës apo trupit të tij do ta motivojnë atë për t’u angazhuar në ato punë, por roli i Sheriatit në këso raste është të ndalojë çdo gjë që pengon realizimin dhe arrtijen e këtyre interesave. Për shembull Sheriati ndalon të merret pa të drejtë nga pasuria e tjetrit dhe ai të mbetet pa ushqim e veshmbathje. Ndërkaq Ligji (Sheriati) vë theks mbi veprat nga të cilat rezultojnë interesat e llojit të dytë, kërkon të kryhen ato si dhe kërcënon poqë se nuk kryhen ato.

RENDESIA E NJOHJES SE OBJEKTIVAVE TE LIGJIT TE SHERIATIT

Gjithë Ligji islam duhet të kuptohet në dritë të objektivave të tij.

Ekspertët e ligjvënies në qeveritë bashkëkohore kujdesen që të shkruajnë dhe përmbledhin shënime shpjeguese për të sqaruar qëllimin e përgjithshëm të ligjit dhe qëllimet e secilit nen në veçanti. Pikërisht këto shënime shpjeguese bashkë me të gjitha hulumtimet dhe debatet të cilat shënohen me rastin e propozimit dhe miratimit të një ligji shërbejnë si ndihmesë për juristët dhe gjykatësit për të kuptuar ligjin përkatës dhe për të zbatuar atë.

Ligjet e Sheriatit nuk kuptohen drejt nëse nuk njihen qëllimet e përgjithshme të Sheriati dhe qëllimet e veçanta të secilit ligj, rastet dhe shkaqet për të cilat kanë zbritur ligjet qofshin ato nga Kur’ani apo nga Sunneti. Njohja e qëllimeve të përgjithshme të Sheriatit është njohja më e rëndësishme me anë të së cilës kuptojmë drejt tekstet e Sheriatit, praktikojmë ato dhe nxjerrim ligje për të cilat nuk ka tekst përkatës nga burimet e Sheriatit. Ndërsa kuptimi dhe gjykimi vetëm në bazë të teksteve të veçanta në lidhje me një çështje të caktuar shpeshherë jep rezultate gjysmake dhe të njëanshme, pra të gabuara dhe të rrezikshme nëse implementohen ato.

Shpeshherë shprehjet e teksteve të Sheriatit aludojnë në më tepër se një kuptim apo përmbajnë më shumë se një aspekt kuptimor. Bile disa tekste, shikuar sipërfaqësisht, mund të kenë kuptime kundërthënëse ndërmjet veti. Për të zgjedhur një kuptim si më të saktë dhe më të vërtetë, apo për të shpjeguar “kundërthëniet”, merret parasysh qëllimi i Sheriatit që rezulton nga dispozita apo ligji përkatës. Mund të ndodhë që për probleme të caktuara të mos gjindet ligj përkatës në tekstet e Sheriatit që do t’i zgjedhë ato probleme, ndërsa njerëzve u intereson gjykimi apo qëndrimi i Sheriatit në lidhje me to. Prandaj edhe në këso rastesh, për të dhënë përgjigje duhet të njihen qëllimet e përgjithshme të Sheriatit që të nxirren gjykime të reja në dritë të tyre dhe në pajtim me shpirtin e këtyre objektivave.

Sheriati islam ka metodë të veçantë dhe të pashoqe në realizimin e këtyre dy qëllimeve, pra largimin e së dëmshmes dhe sigurimin e mbrojtjen e së dobishmes për njerëzimin. Kjo metodë e urtë hyjnore ndërtohet mbi parime dhe rregulla të caktuara të shpjeguara gjerë e gjatë në literaturën e shkencës së Usulul-fikhut.

Njohja e thellë e kësaj lamie na jep përgjigje në situata kur ndodhemi të zgjedhim ndërmjet dy të këqiave apo të dëmshmeve se çfarë duhet të veprojmë, në rast se bien ndesh dy a më shumë të dobishme cilës duhet t’i japim përparësi si dhe në situata të tjera të pshtjelluara në jetë në të cilën e bardha dhe e zeza janë të përziera ndërmjet veti.

Peshimi i dobive dhe i dëmeve dhe gjykimi në situata të ndërlikuara në jetë, konsiderohet nga çështjet më precize të cilën kanë kompetencë ta bëjnë vetëm dhe vetëm ekspertët e kësaj lamie, pra ata që njohin mirë tekstet dhe objektivat e Ligjit islam – Sheriatit.

Gëzim Selaci

Literaturë e konsulltuar:

• El-Muvafekatu fi usulish-sheriati, Esh-Shatibi(2/5-39),

• El-Mustesfa min ilmil-usul, Ebu Hamid El-Gazali (1/287),

• Minhaxhus-sunnetin-nebevijjeti, Ibnu Tejmijje,

• El-emru bil-maruf ven-nehju anil-munker, Halid Ibn Uthman Es-Sebt,

• Ilmu usulil-fikh, Abdul-vehhab Hilaf,

• Nahve thekafetin islamijjetin asiletin, Umer El-Eshkar,

• Nadharatun fith-thekafetil-islamijjeti, grup autorësh,

• Mexhel-letu El-Hikmeh, nr. 7, 11, 17, 18.

redaktuar nga: AlbIslam.Com

 

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit