10 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

O hoxhallarë!

Më të lexuarat

Allahun e falënderoj kurse lavdet dhe bekimet i dërgoj mbi Muhammedin!

Në këtë botë tejet dinamike dhe që kalon shumë shpejtë dëshirova ti them disa porosi nga thellësia e zemrës dhe me sinqeritetin më të madh tua drejtoj njerëzve më të mirë në fytyrën e tokës, atyre që e mësojnë fenë e Allahut dhe ua mësojnë tjerëve.

Porosi të shkurtra me shpresë për përfitim të gjithëve, edhe mua që i them edhe juve që ua them.

1- Imam Ibën Rexhepi, rahimehullah, ka thënë: Katër imamët kanë thënë se kërkimi i diturisë është më i vlefshëm se namazi nafile. Andaj rruga e përfitimit të diturisë nuk përfundon me përfundimin e fakultetit e as me marrjen e titujve akademik.

2- Dituria dhe vepra janë binjak, andaj nuk bën dobi dituria pa vepër, fillo me dituri e pastaj diturinë shoqëroje me vepra. “Dije se nuk ka hyjni që meriton adhurim veç Allahut e pastaj kërko falje për mëkatet tuaja”.

3- Muslimanët e më hershëm na kanë dhanë shembuj të mrekullueshëm të sakrificës dhe ambicieve të mëdha në kërkimin e diturisë dhe plotësimin e saj, andaj ndjek rrugën e tyre. Ky është një mejdan në të cilin ti duhesh të garosh me ata që garojnë në te. Kjo garë nuk përfundon përderisa jemi gjallë. Kur njeriu ka shpirt të madh, ambicie të larta, i lodhet trupi por lodhen edhe ata që e shoqërojnë.

4- Ke kujdes nivelet e nxënies së diturisë, mos u ndal nga mësimi përmendsh i Kuranit, mëso rregullat e besimit të shëndosh islam, aftësohu për debate me jobesimtarë, ateistë e gnostikë. Mëso dispozitat e të drejtës islame (fikhut) dhe përgjigju muslimanëve me fakte dhe argumente. Mëso nga komentet e shumta të Kuranit, lexo librat që nxjerrin urtësitë, perlat nga ky Libër dhe me to pasuro mendjen e muslimanëve dhe gëzo zemrat e tyre. Mësohu me hadithet e sahihut të Imam Buhariut dhe imam Muslimi, dhe koleksionet tjera të hadithit. Mos u mëso muslimanëve hadithe të pa verifikuara. Jeto me dijetarët dhe kolosët e islamit dhe merr prej tyre sinqeritetin, diturinë, adhurimin dhe urtësinë e komunikimit. Le të jetë qëllimi i mësimeve tuaja afrimi i njerëzve te Allahu dhe shtimi i veprave të tyre të mira dhe jo fama e publiciteti, e as debati dhe polemika, sepse ajo që është për Allahun do të mbetet e ajo që nuk është për Allahun do të tretet, siç ka thënë Imam Maliku, rahimehullah.

5- Mos merr guximin të dalësh para më të diturve, mos merr përsipër të japësh fetva duke patë dijetarë më të mëdhenj dhe më të vjetër, sepse fetvaja është nënshkrim në emër të Zotit, andaj ke kujdes. Çdo herë që pyetesh për ndonjë gjë dhe nuk e di, kurrë mos hezito të thuash nuk e di.

6- Ji modest, mos u bë mendjemadh, stolisu me edukatë të lartë islame, ji shembull për njerëzit dhe mos lejo që të dëmtohet Islami nga ana jote.

7- Kurrë mos u ndaj nga leximi i Kuranit me arsyetim se ke angazhime, ligjërata, hutbe e mësime. Imam Shafiu gjatë udhëtimit të tij prej Mekës në Medinë 16 herë përfundoji leximin e Kuranit, duke qenë 14 vjeçar.

8- Largohu nga mëkatet që të shtosh diturinë dhe të jetë kjo dituri e dobishme për njerëzit që i ke përreth. Dituria është dritë e drita e Allahut nuk i jepet mëkatarit.

9- Ji me hallet e popullit dhe brengosu për gjendjen e përgjithshme të popullit dhe shoqërisë, madje jep kontribut konkret për tejkalimin e gjendjeve të vështira.

10- Ji i guximshëm në thënien e të vërtetës dhe mos bë lajka në lidhje me të vërtetën dhe gënjeshtrën, sepse nëse edhe ti nuk e ke këtë guxim, kush atëherë duhet ta ketë?!

Bekir Halimi

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit