Nuk i jepet trualli i “preferuar” në Arbëri për ambasadë

0
44

Ambasada e Turqisë ka disa muaj që pret ndarjen e një parcele


“Ambasada e Turqisë nga Ministria e Punëve të Jashtë, ka kërkuar pronë për ndërtimin e godinës së tyre që nga muaji nëntor i vitit të kaluar. Ka ekzistuar vullneti që të zgjidhet çështja, por deri tash nuk i është ndarë për shkak se ajo hapësirë ka tjetër destinim”, tha Sylë Ukshini, nga Ministria e Punëve të Jashtme

Kanë kaluar disa muaj që kur Ambasada e Turqisë në Kosovë ka kërkuar nga institucionet përkatëse qendrore të Kosovës dhe të kryeqytetit për dhënie të një lokacion për ndërtimin e godinës së kësaj ambasade. Edhe përkundër kësaj kërkese drejtuar Ministrisë së Punëve te Jashtme dhe Komunës së Prishtinës deri tash nuk është realizuar ndarja e një sipërfaqe. Burimet e sigurta të gazetës nga institucionet tregojnë se Ambasada e Turqisë, ka kërkuar një lokacion të preferuar në lagjen Arbëria jo larg sipërfaqes së ndarë për Ambasadën Amerikane apo përballë saj. Ndërsa Ministria e Punëve të Jashtme i kanë kthyer përgjigje Ambasadës së Turqisë se hapësira e kërkuar është pronë e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ka destinacion tjetër atë për ndërtimin e kazermave. Ndërsa edhe Komuna e Prishtinës, ka hartuar e përgatitur edhe një planë për Kompleksin e Ambasadave në Arbëri apo Dragodan, e cila pronë është e Forcës së Sigurisë apo e Qeverisë së Kosovës. Burimet tona tregojnë se zyrtarë e Ambasadës së Turqisë, pas kësaj përgjigje janë hidhëruar, por zyrtarisht nga ata nuk kemi mundur të marrin ndonjë informacion. Edhe përkundër kërkesave tonë disa ditëshe drejtuar Ambasadës së Turqisë në Kosovë për marrje të informacioneve rreth kësaj çështje, deri më tash nuk kemi marr ndonjë përgjigje.
Do ti gjendet trualli Ambasadës së Turqisë
Sylë Ukshini, drejtor i Departamentin për Ballkanin në Ministrinë e Punëve të Jashtme, tha për gazetën “Bota sot” se Ambasada e Turqisë në Kosovë i ka dërguar kërkesë MPJ-së së Kosovës për ndarjen e një trolli për ndërtimin e ambasadës. Pas kësaj ky institucion ka kontaktuar me zyrtarët e Komunës së Prishtinës për këtë. “Natyrisht se ka ekzistuar vullneti që të zgjidhet çështja apo kërkesa e Ambasadës së Turqisë. Qëllimi i MPJ-së, ka qenë që lokacioni që është në Arbëri, e i cili ishte përdorur nga KFOR-i anglez, të ridestinohet në një destinacion tjetër. Sepse është një kompleks i ambasadave. Komuna ka shprehur gatishmërinë për të marr përsipër çështjen e urbanizimit dhe atë me mjetet qeveritare, sepse shpenzimet janë të mëdha”, tha Sylë Ukshini. Ai më tej tregoi se kërkesa nga Ambasada e Turqisë tek Ministria e Punëve të Jashtme ka shkuar nga muaji nëntor i vitit të kaluar, ku kjo ambasadë në Kosovë ka kërkuar lokacion për ndërtimin e godinës së tyre. Drejtor i Departamentin për Ballkanin në MPJ shtoi se sugjerimi ishte që ngastra me numër 2930 dhe 7512 është dashur të ridestinohet çështja e pronësisë, për shkak se në të kaluar në dokumente figuron se ishte pronë e armatës jugosllave. “Në këtë kuadër ne i jemi drejtuar Forcës së Sigurisë së Kosovës, nga e cila ka ardhur shkresa se nga komisioni i ngritur nga MFSK-ja, të cilët kanë dalë në vend ngjarje edhe me zyrtarët e Komunës së Prishtinës dhe sipas orto-fotove të dërguara nga FSK-jë te MPJ-a shihet se në këto ngastra kadastrale do të ndërtohen objekte për FSK-në. “Në bazë të shkresave dhe raporteve të dërguar nga FSK-ja këto hapësira nuk guxojnë të shfrytëzohen për destinacione të tjera”, tha Sylë Ukshini. Sipas tij mbi bazën e kësaj shkrese të FSK-ja ne jemi detyruar ti kthejmë përgjigje Ambasadës së Turqisë se sipërfaqen nuk po mundemi me ua ndarë për shkak se në atë sipërfaqe do të ketë destinim tjetër. Drejtor i Departamentin për Ballkanin në MPJ tregon se menjëherë pas marrjes së shkresës nga FSK-ja i ka kthyer përgjigje zyrtare Ambasadës së Turqisë. Zyrtarët e saj janë njoftuar se institucionet e Republikës së Kosovës do të angazhohen për gjetjen e një trualli adekuat. Drejtori Sylë Ukshini,thotë se shkresa e dërguar Ambasadës së Turqisë nuk ishte negative. Sipas tij koha nuk është e gjatë nga kërkesa dhe po ashtu sqarimet. “Ne jemi të interesuar që sa më shpejt së bashku me Komunën e Prishtinës ta gjejmë një hapësirë të përshtatshme, jo vetëm për Ambasadën e Turqisë, por edhe për të tjerat. Ata kanë kërkuar një lokacion, por jo të preferuar dhe as ambasada nuk do të pranonte një truall ku prona do të ishte e pasqaruar”, tha Sylë Ukshini nga Ministria e Punëve të Jashtme. Ai shtoi më tej se në momentin kur të gjendet lokacioni adekuat do t’ia japin Ambasadës së Turqisë. Ai thotë se më mirë të qartësohet titullari i pronës, sesa të ndahet prona, të bëhen investimet dhe më pastaj të ndalen e të shkaktohen probleme. Duhet gjithçka të qartësohet çdo detal për pronën. Kjo kërkesë duhet të zgjidhet sa më parë dhe para se të dali në qeveri MPJ ka dashur që kjo çështje e pronës ku është menduar që të jetë një kompleks ambasadash dhe para se të merren veprimet kanë dashur të qartësohen gjërat që jo më pastaj të kontestohen pas nisjes së investimeve nga ana e ambasadave. “Këtu nuk ka mungesë vullneti për ndarje të lokacionit, por është çështje institucionesh e rregullash e jo tjetër gjë. Vullneti ekziston dhe lokacioni do të grindet, sepse fundi fundit interesi është i përbashkët”, tha Sylë Ukshini. Ai përsëriti se prona e kërkuar është në pronësi të Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe aty është paraparë ndërtimi i kazermave.
Komuna ka bërë planin për Kompleksin e Ambasadave në tokën e FSK-së
Nga ana tjetër Avdullah Hoti, nënkryetar i Komunës së Prishtinës, tha për gazetën “Bota sot” se prej vitit të kaluar kanë marr kërkesa të ndryshme, jo vetëm nga Ambasada e Turqisë, por edhe ambasada tjera për ndarje të lokacioneve. “Ne kemi shqyrtuar të gjitha kërkesat dhe se Komuna e Prishtinës, ka hartuar e përgatitur edhe një plan për Kompleksin e Ambasadave në Arbëri apo Dragodan, por tashmë sipërfaqja e paraparë është në pronësi të Qeverisë së Kosovës, konkretisht Forcës së Sigurisë dhe fati ka mbetur tek qeveria e jo tek komuna”, tha Avdullah Hoti. Nënkryetari i Komunës së Prishtinës, nuk deshi të flas asgjë më shumë, pos asaj se kanë përgatitur planin për Kompleksin e Ambasadave dhe për të cilën çështje vendos qeveria, sepse ajo menaxhon me FSK-në dhe toka nuk është e komunës. Ndërsa zv. ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Shemsi Veseli, i pyetur nga gazeta “Bota sot”, nuk ka dashur të flas rreth kësaj çështje, duke thënë se nuk ka njohuri. Zyrtarët e Ambasadës së Turqisë në Kosovë edhe për kundë kërkesave të njëpasnjëshme nuk kanë folur e as kthyer përgjigje. Ndërsa qytetarë nga komuniteti turk që jetojnë në Kosovë dhe punojnë në institucione tregojnë së zyrtarëve të Ambasadës janë hidhëruar./BS/kohaislame