7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nuk erdhën njohjet e paralajmëruara nga Hoxhaj

Më të lexuarat

Shefi i diplomacisë kosovare, Enver Hoxhaj, më datën 28 maj kishte paralajmëruar që brenda pak ditësh do të vijnë tri njohje për Republikën e Kosovës, por një gjë e tillë nuk ndodhi, sepse Kosovës i erdhi vetëm njohja nga Republika e Çadit, më 1 qershor. Zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Jashtme vazhdojnë të thonë se njohjet do të vijnë në ditët dhe muajt në vazhdim, ndërsa ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, këto paralajmërime i quan të dëmshme për procesin e njohjes së Kosovës.

Ministri Hoxhaj më 28 maj, në një deklarim për mediat vendore, kishte premtuar se brenda pak ditësh Kosova do të njihet nga tri shtete, por kanë kaluar gati një muaj dhe ka ardhur vetëm një njohje.

Këshilltari politik i ministrit, Artan Behrami ka thënë se ministri ka premtuar që do të vijnë ato njohje dhe ka ardhur ajo nga Republika e Çadit. I pyetur se cilat janë shtetet që kanë paralajmëruar njohjen ai nuk ka dashur të jap emrat e shteteve.

“Ju e dini që ministri pat thënë që brenda një kohe shumë të shkurtër do të ketë disa njohje të Republikës së Kosovës, një ka ardhur nga Republika e Çadit, ndërsa për shtet e tjera jemi në pritje. Në këto rrethana nuk jemi në gjendje të themi emra se do të dëmtonim procesin, por unë besoj që është çështje kohës, ditësh, javësh, muajsh që do të ketë njohje të Republikës së Kosovës”, ka thënë Behrami.

Nga ana tjetër ish-ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni ka thënë se paralajmërimet e tilla janë të dëmshme për procesin e njohjes së Kosovës, duke i quajtura si deklarime të pamatura.

“Është dëmtim shumë i rëndë të paralajmërohen njohjet, nëse ka pas premtime apo jo, sepse paralajmërimi për njohje e dëmton vet procesin e njohjeve, ose do të shpinte Serbinë që të lobonte kundër njohjeve. Prandaj paralajmërimi është si veprim politik është i konsumuar, ndërsa si veprim diplomatik është i pavend. Në fund të fund dëmton procesin e njohjeve. Ne nuk mund të detyrojmë vendet e botës që me çdo kusht të na njohin, ne duhet të kryejmë punën tonë, të zhvillojmë Kosovën për brenda. Suksesi për brenda Kosovës e përcakton edhe suksesin e njohjeve”, ka theksuar Hyseni.

Ndryshe edhe pse kishte paralajmërime të shumta nga zëvendëskryeministri i Qeverisë së Kosovës, Behgjet Pacolli dhe ministri Hoxhaj se gjatë këtij viti do të vijnë shumë njohje, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Në faqen zyrtare të ministrisë së Punëve të Jashtme figurojnë vetëm gjashtë njohje që kanë ardhur këtë vit, nga Republika e Ganës, Haitit, Ugandës, Sao Tome dhe Principe, Brunesi Darussalam dhe ajo nga Republika e Çadit ishte njohja e fundit që ka ardhur më 1 qershor./Telegrafi/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit