13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Norbert Mappes-Niediek: Kosova e pjekur, por…

Më të lexuarat

Vazhdimi i mbikqyrjes së pavarësisë është i pakuptimtë. Por Kosova gjendet para sfidave të mëdha, pohon analisti i njohur gjerman Norbert Mappes-Niediek.
Të hënën hiqet zyrtarisht mbikqyrja e pavarësisë së Kosovës. Mendoni se Kosova e ka arritur pjekurinë e duhur për pavarësi pa mbikqyrje?
Norbert Mappes-Niediek: Sigurisht. Besoj se 12-13 vitet e fundit kanë dëshmuar se përdorimi i pjekurisë si argument është i pakuptueshëm. Pavarësia e ndonjë vendi me siguri që nuk mund të arrihet me mbikqyrje të pjekurisë. Pavarësia arrihet kur dikush sillet si i pavarur. Kosova e ka dëshmuar këtë. Kosovarët janë çliruar. Një kohë të gjatë ata kanë bërë një rezistencë paqësore. Më pas kanë luftuar kundër Serbisë dhe në këtë mënyrë janë bërë komb. Ndaj askush nuk mund të bëj atestimin nëse ata e kanë arritur pjekurinë apo jo.

Megjithatë Kosova edhe sot gjendet para sfidave dhe problemeve të mëdha, të cila duhet të zgjidhen…

Norbert Mappes-Niediek: Është e vërtetë që Kosova gjendet para problemeve shumë të mëdha. Ajo nuk është rimëkëmbur ekonomikisht. Kosova është vendi më i varfër i rajonit. Një numër i madh i të rinjëve të shkollur ka ikur nga vendi. Arsimi në Kosovë ka qenë në 12 vitet e fundit në një nivel shumë të ulët, ndaj mund të flitet për gjenerata të humbura. Kosova është çindustrializuar dhe ka një papunësi prej gati 50 %. Ky vend mund të mbijetojë vetëm duke i falënderuar ndihmave nga jashtë dhe kjo me siguri që kufizon shumë sovranitetin e Kosovës. Ndaj marrja zyrtare e sovranitetit të plotë nuk ka kurfarë domethënie. Sovraniteti i Kosovës mbetet edhe më tej shumë i kufizuar, për shkak të varësisë së saj ekonomike dhe politike nga vendet e jashtme dhe institucionet ndërkombëtare. Përfaqësuesi ndërkombëtar Peter Faith nuk i ka përdorur asnjë herë kompetencat që i takojnë. Ndaj me këtë datë nuk do të ndryshojë asgjë në Kosovë.
Zoti Mappes-Niediek, një prej problemeve më të mëdha mbetet edhe veriu i Kosovës. Si mund të zgjidhet ky problem dhe çfarë mund të pritet nga dialogu politik mes Prishtinës dhe Beogradit?
Norbert Mappes-Niediek: Problemi i veriut nuk mund të zgjidhet me dhunë. Problemi nuk mund të zgjidhet as me negociata të drejtëpërdrjeta me kryetarët e bashkive në veri të Kosovës. Ai mund të zgjidhet vetëm përmes negociatave me Beogradin. Besoj se dialogu politik është rruga më e mirë. Mbetet të shihet nëse Beogradi me të vërtetë është i gatshëm për lëshime dhe nëse mund të gjendet një zgjidhje. Teorikisht ka shumë mundësi. Për shembull, modeli i propozuar nga ish-diaplomati gjerman Wolfgang Ischinger, që çështja të zgjidhet ngjashëm me marrëveshjen mes dy Gjermanive nga viti 1972. Besoj se mund të gjendet ndonjë zgjidhje e qëndrueshme, nëse palët tregojnë vullnetin e duhur politik dhe nëse janë kreative. Por kjo varet nga ajo se sa Beogradi është në gjendje të kapërcejë hijen e vet dhe sa bashkësia ndërkombëtare është kreative. Në veri do të ketë një kompromis, i cili mund të arrihet, në qoftë se palët duan.
Pra ju më shumë besoni në një kompromis se sa në mundësinë e shkallëzimit të gjendjes?
Norbert Mappes-Niediek: Nuk besoj në mundësinë e shkallëzimit të gjendjes gjatë kësaj vjeshte, sepse Berlini po kërkon fuqishëm rifillimin e bisedimeve. Ndaj një ndërhyrje ushtarake në veri nuk përputhet me këto plane. Ndërhyrja ushtarake do të ishte shkatërruese, sepse do të shkaktonte ikjen e 40.000 deri 50.000 njerëzve. Një valë të re refugjatësh dhe kolona me traktorë në vitin 2012 apo 2013 nuk duam të shohim.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit