Njohja e Allahut me bukuritë e Tij

0
91

Nga njohjet më primare të Allahut është edhe njohja e bukurisë së Tij, e cila ka domethënien e njohjes së krijesave më të spikatura. Secila nga ato e bën të njohur Atë me një nga cilësitë e Tij, dhe më e përsosura në këtë njohje është ajo krijesë që e bën të njohur Atë me përsosmërinë e Tij, me madhështinë e Tij dhe me bukurinë e Tij i lartësuar qoftë Ai! Nuk ka asgjë si Ai, e marrë kjo në të gjitha cilësitë e Tij. Sikur të supozohet që të gjitha krijesat të kenë pamjen më të bukur dhe të gjitha të kenë të njëjtën pamje dhe ta krahasoje bukurinë e tyre të dukshme dhe të padukshme me bukurinë e Zotit të Lartë, do të dukej më pak sesa duket një llampë në diskun e diellit. I mjafton bukurisë së Tij ( të flitet për të), kur dihet se nëse hiqet hixhabi nga fytyra e Tij, do të digjeshin të gjitha krijesat e Tij (Muslimi). I mjafton bukurisë së Tij, që çdo bukuri e dukshme apo e padukshme në dynja apo në ahiret është nga prodhimet e Tij, pra ç’mund të mendohet për atë nga i cili buron kjo bukuri?

Gjithashtu, i mjafton bukurisë së Tij, që e gjithë krenaria i takon Atij, e gjithë forca, e gjithë bamirësia, e gjithë dija, e gjithë mirësisa, e gjithë përsosja i takon  vetëm Atij. Nga drita e Fytyrës së Tij ndriçohen errësirat.

Abdullah Ibn Mesudi ka thënë: “Nuk ka tek Zoti juaj ditë dhe natë, drita e qiejve dhe e tokës janë nga drita e Fytyrës së Tij.”

Nga emrat e Tij të bukur është edhe “Xhemijl”, i Bukur. Në sahih transmetohet nga Abdullah Ibn Mesudi se profeti (Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: “Vërtet Allahu është i bukur, e do bukurinë.”

Bukuria e Tij, i Lartësuar qoftë ka katër renditje:

·        Bukuria e vetes së Tij

·        Bukuria e cilësive të Tij.

·        Bukuria e veprave të Tij.

·        Bukuria e emrave të Tij.

Emrat e Tij janë që të gjithë të bukur, vetitë e Tij janë që të gjitha të plotësuara (të përsosura) dhe veprimet e tij janë që të gjitha mençuri, dobi, drejtësi dhe mëshirë. Ndërsa përsa i përket bukurisë së veprës së Tij, është një çështje që nuk e di askush përveç Tij dhe tek krijesat e Tij  nuk ekzistojnë njohuri për këtë. Përveç disa njohurive të cilat ia ka bërë të njohura atij që e ka nderuar nga robërit e Tij. Kjo bukuri është e ruajtur nga kohërat, e mbuluar me mbulesën e rrobës dhe të izarit (lloj  veshje) siç ka thënë i dërguari i Allahut duke treguar se Allahu ka thënë: “Krenaria është rrobja ime, ndërsa madhështia është izari im” Sa më e madhe dhe më e gjërë të jetë krenaria, aq më shumë i takon emri rrobë (veshje). Pra Ai është i Madhi, i Lartësuari, i Forti, Madhështori.

Ibn Abasi ka thënë: “Është mbuluar vetja e Tij me cilësitë e Tij. Pra ç’mendim ke për një bukuri e cila është e fshehur pas cilësive të përsosura dhe është mbuluar me atributet e madhështisë dhe të lartësisë?”

Në këtë domethënie kuptohen disa domethënie të bukurisë së vetes së Tij, sepse robi ngjitet nga njohja e veprave tek njohja e cilësive të Tij dhe nga njohja e cilësive tek njohja e vetë Allahut, meqë kur ai shikon diçka nga bukuria e veprave e merr si argument mbi bukurinë e cilësive, pastaj bukurinë e cilësive e merr si argument për bukurinë e vetë Allahut. Që këtu qartësohet se Atij, Allahut të Lartësuar, i takon i gjithë falenderimi dhe që askush nga krijesat e Tij nuk mund t’i llogarisë lavdërimet për të. Ai është ashtu siç e do veten, e lavdëron dhe e falenderon veten e Tij. Dashuria e Tij për veten, falenderimi i Tij për veten është me të vërtetë falenderimi i vërtetë, lavdërimi i vërtetë, dashuria dhe njësimi i vërtetë (teuhidi).

Ai është ashtu siç e ka falenderuar veten dhe më lart nga ç’ka e falenderojnë Atë krijesat e Tij dhe ashtu siç e do veten do edhe cilësitë dhe veprimet e Tij. Pra çdo veprim i Tij është i mirë dhe i dashur edhe nëse tek krijesat e Tij ka diçka që Ai e urren apo nuk e pëlqen, në veprimet e Tij nuk ka asgjë që është e papëlqyer ose e urryer.

Nuk ekziston asgjë që duhet për vetveten e Tij dhe që falenderohet për vetveten e Tij përveç Allahut i Lartësuar qoftë. Çdokush që duhet përveç Tij, nëse dashuria për të është ndjekëse e dashurisë për Allahun, në mënyrë që ta duash për hir të Tij, atëherë kjo dashuri është e drejtë e në të kundërt ajo dashuri është e prishur (e gabuar).

Kjo pra është e vërteta, realiteti i zotërimit, sepse Zoti i vërtetë është Ai që duhet dhe falenderohet për vetveten e Tij, por ç’ndodh nëse kësaj i shtohet edhe bamirësia e Tij, begatia e Tij, mençuria e Tij, falja, mirësia, dhe mëshira e Tij?

Atëherë robi duhet të mësojë që nuk ka Zot tjetër i cili meriton adhurimin përveç Allahut dhe ta dojë e ta falenderojë Atë për vetveten e Tij dhe përsosmërinë e Tij, si edhe të mësojë se nuk ka bamirës në realitet me të gjitha llojet e begative, të dukshme dhe të padukshme përveç Tij dhe ta dojë Atë për bamirësinë dhe begatimin e Tij, ta falenderojë për këtë, pra ta dojë nga të gjitha drejtimet. Dhe siç nuk ka gjë sikundër Ai, ashtu edhe nuk ka dashuri sikundër dashuria e Tij. Dashuria me nënshtrim, është adhurimi për të cilin u krijuan krijesat, sepse ai është kulmi i dashurisë dhe kulmi i përuljes. Ky lloj i dashurisë nuk është i dobishëm për askënd përveçse për Allahun. Ortakëria në këtë pikë është shirku, të cilin Allahu nuk e fal dhe nuk pranon asnjë vepër nga ai i cili vepron kështu.

Ndërsa falenderimi për të përmbledh dy çështje:

Njohja e lavdëresave dhe e cilësive të përsosjes së Tij dhe dashuria për Të e ngritur mbi këto (cilësi). Pra ai që është i informuar mbi mirësinë e një tjetri pa patur dashuri për të, nuk mund të jetë falenderues. Gjithashtu, ai që e do dikë pa qënë i informuar për mirësitë e Tij, nuk mund të jetë falenderues, derisa të bashkohen të dyja çështjet.

Allahu i Lartë falenderon veten me veten e Tij dhe Ai vetë është i lavdëruar me atë ç’ka rrjedh në gjuhët e falenderuesve, nga ëngjëjt, profetët e Tij dhe robërit e Tij besimtarë. Pra Ai është lavdërues i vetes së Tij me të dyja këto, sepse falenderimi i krijesave të Tij për Të ndodh me vullnetin e Tij, me lejen e Tij. Pra Ai është i cili ka bërë falenderuesin falenderues dhe muslimanin musliman, atë që falet falës dhe penduesin pendues. Tek Ai e kanë fillimin begatitë dhe tek Ai mbarojnë, pra fillojnë me lavdërimin e Tij dhe përfundojnë me lavdërimin po të Tij.

Është pikërisht Ai që e drejton robin e Tij për teube (pendim) dhe gëzohet për të (teuben) me një gëzim madhështor, i cili vjen nga mirësia dhe ekzistenca e Tij. E drejton robin e Tij për bindje dhe e ndihmon, pastaj për këtë i jep sevape dhe e gjithë kjo bindje është nga mirësia dhe nga ekzistenca e Tij. Ai është i tillë, që nuk ka nevojë për askënd, për asgjë, e marrë kjo në të gjitha aspektet. Çdokush, përveç Tij, është nevojtar për Të nga çdo anë e drejtim. Robi ka nevojë për Të në shkaqe dhe në qëllime, sepse ajo që nuk ekziston nga Ai, nuk ekziston dhe ajo që nuk është për hir të Tij nuk bën dobi.

 

Përgatiti: Erion Sula