7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Njeriu nuk ngopet me pasuri

Më të lexuarat

Ibnu Abasi dhe Enes ibnu Malik transmetojnë, se profeti (a.s) ka thënë: “Në qoftë se i biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, do të dëshironte të kishte dy lugina. Mirëpo gojën e tij nuk e mbush asgjë tjetër përveç dheut. Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet”.[1]

Shpjegimi i hadithit:

Fjalët e këtij hadithi përputhen me natyrën e vërtetë të njeriut, i cili dëshiron që të përfitojë sa më shumë nga të mirat materiale të kësaj bote. Kjo dëshirë e tij është e rrënjosur thellë në natyrën e tij njerëzore, por ai duhet t’i bëjë ballë këtij instikti, që e shtyn vetëm pas bukurisë së kësaj bote.

Ky hadith profetik flet se si njeriu mund t’i bëjë ballë kësaj dëshire të fortë. Rezistenca ndaj kësaj dëshire të fortë arrihet duke u penduar dhe bërë vepra të mira. Kurani Famëlartë flet për disa prej tipareve të këtij realiteti, që i josh shumë ata, të cilët janë dhënë shumë pas përfitimeve materiale. Allahu i Lartësuar thotë: “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara; për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por kthimi tek Allahu është shumë më i mirë”.[2]

Ky hadith profetik përbëhet nga tre fjali:

Në fjalinë e parë: “Në qoftë se biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, do të dëshironte të kishte dy lugina”. Këtu profeti (a.s) zbulon natyrën e vërtetë të njeriut, i cili asnjëherë nuk është i kënaqur me caktimin e Allahut, por gjithmonë vetëm kërkon dhe kërkon. Fjala e profetit “biri i Ademit” tregon, se kjo natyrë njerëzore nuk ekziston vetëm tek një popull, fis apo racë e caktuar, por tek të gjithë njerëzit pa përjashtim. Fjala “flori” nënkupton, se njeriu është i gatshëm që ta përvetësojë gjithçka që ka të bëjë me të mirën materiale dhe asnjëherë nuk është i kënaqur me asgjë. Duke qenë se grykësinë e njeriut nuk e ngop floriri, atëherë çfarëdo lloj gjëje tjetër e ngop atë?!

Përgjigjen e kësaj pyetje e jep fjalia e dytë. Në të vërtetë, kjo fjali është një qortim i ashpër për ata grykës, të cilët nuk kanë marrë mësim nga ajo që u ka ndodhur popujve të mëparshëm. Sado që njeriu përpiqet të grumbullojë sa më shumë pasuri, vjen koha që do të vdesë dhe në varr barku i tij do të mbushet me dhe`.

Ndërsa fjalia e tretë e vendos çdo gjë në vendin e duhur për këdo që dëshiron të kthehet tek Allahu dhe shpreson tek amnistia hyjnore. Fjalët e profetit (a.s): “Allahu ia pranon pendesën” tregon, se Allahu i Lartësuar vazhdimisht e pranon pendesën e njeriut, përderisa ai pendohet dhe kërkon falje tek Ai.

 

Përfitimet e nxjerra nga hadithi:

1 – Dëshira e zjarrtë e njeriut për të pasur pasuri.

2 – Njohja e natyrës së njerëzve.

3 – Allahu e pranon pendesën e atij që pendohet.

 

1 – Dëshira e zjarrtë e njeriut për të pasur pasuri:

Në këtë hadith, profeti (a.s) ka folur për dëshirën e zjarrtë që ka njeriu për të pasur pasuri. Njeriu është gatuar që ta dojë pasurinë dhe për këtë arsye ai përpiqet që ta mbledhë atë. Dijetari i shquar Ibnu Uthejmin (Allahu e mëshiroftë) thotë: “Biri i Ademit asnjëherë nuk ngopet me pasuri, nëse ai ka një luginë me flori do të kërkojë dy lugina. Ndërkaq barkun e tij nuk e mbush asgjë tjetër përveç dheut. Kjo do të ndodhë atëherë kur ai të vdesë, të varroset dhe do ta lërë këtë botë e gjithçka që ka në të”.

Këtë fakt  e ka përmendur edhe Allahu i Lartësuar në Kuranin Famëlartë: “Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar derisa të shkoni në varre”.[3] që do të thotë se: Ju ka hutuar rivaliteti për të pasur sa më shumë pasuri, fëmijë e salltanete, duke e harruar bindjen ndaj Allahut. Pastaj vazhduat të ishit në këtë gjendje, derisa ju erdhi vdekja dhe u varrosët nëpër varre. Mutarifi transmeton nga i ati, se ai thotë: Shkova tek profeti (a.s), i cili po lexonte ajetin kuranor “Ju ka hutuar rivaliteti për të shtuar”pastaj ai (a.s) tha: “I biri i Ademit thotë: Pasuria ime, pasuria ime. O biri i Ademit çfarë të ka ngelur nga pasuria jote përveçse asaj që ke ngrënë dhe ka mbaruar, apo që e ke veshur dhe është vjetëruar, apo e ke shpenzuar dhe që ka kaluar? Ndërsa përveç këtyre gjërave, ngel ose nuk ngel gjë për njerëzit”.[4]

Ndalimi i rivalitetit për mbledhur sa më shumë pasuri nuk do të thotë urrejtje ndaj pasurisë. Por qëllimi i vërtetë i ndalimit është, se njeriu duhet ta kërkojë pasurinë në rrugë të ligjshme dhe duhet ta shpenzojë atë po në rrugë të ligjshme. Po ashtu, pasuria nuk duhet të zotërojë zemrën e njeriut, por njeriu duhet ta zotërojë atë në dorën e tij.

Në të vërtetë, pasuria është prej zbukurimeve të kësaj bote. Allahu i Lartësuar thotë: “Pasuria dhe djemtë janë stoli e jetës së kësaj bote. Por veprat e mira që mbeten përherë, janë më të mira te Zoti yt sa i përket shpërblimit dhe, janë më të mira sa i përket shpresës për shpëtim”.[5]

Feja Islame e nxit njeriun, që të kërkojë riskun e tij e të mbledhë pasuri, por me kusht që pasuria të mos e shmangë nga adhurimi i Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Përpiqu me atë që të ka dhënë Allahu të fitosh jetën e botës së ardhshme, duke mos harruar pjesën tënde në këtë botë. Bëju mirë të tjerëve, ashtu si të ka bërë mirë Allahu ty. Mos kërko ngatërresa në Tokë, sepse Allahu nuk i do ngatërrestarët”.[6] “Dhe, kur të përfundojë namazi, atëherë shpërndahuni nëpër tokë, kërkoni nga mirësitë e Allahut dhe përmendeni shumë Allahun, që të jeni të shpëtuar”.[7]

Këto ajete kuranore e lejojnë grumbullimin e pasurisë dhe kërkimin e riskut, por grumbullimi i pasurisë nuk duhet të sundojë mbi shpritin e njeriut. Profeti (a.s) thotë: “Sa e mirë është ajo pasuri, që është në dorën e një burri të mirë?!”[8]

Hakim ibnu Hizam thotë: I kërkova profetit (a.s) për të më dhënë dhe ai më dha. Pastaj i kërkova përsëri dhe ai më dha, pastaj i kërkova përsëri dhe ai më dha. Më pas, ai (a.s) më tha: “O Hakim! Me të vërtetë, paraja është e bukur dhe e ëmbël. Ai i cili e merr atë me bujari duke mos qenë lakmitar, ka bereqet në të, ndërsa ai që e merr atë duke qenë lakmitar, nuk ka bereqet në të. Në këtë rast ai i ngjan atij që ha, por që nuk ngopet. Dora e lartë është më e mirë se dora e ulët. Hakimi vazhdon dhe thotë: “O i Dërguar i Allahut! Betohem në emër të Atij të cilit të ka dërguar me të vërtetën, se unë nuk kam për të kërkuar më asgjë nga askush derisa ta lë dynjanë”. Njëherë Ebu Bekri e thirri që t’i jepte diçka, por ai nuk pranoi. Edhe Umeri e thirri që t’i jepte diçka, por ai nuk pranoi. Umeri tha: “O muslimanë! Unë dëshmoj përpara jush se unë dua t’i jap Hakimit të drejtën që i takon nga plaçka e luftës, por ai nuk pranon që ta marrë. Pas kërkesës që Hakimi i bëri profetit (a.s) që t’i jepte diçka, nuk kërkoi asgjë nga njerëzit derisa vdiq”.[9]

Në një hadith tjetër profeti (a.s) thotë: “Është më mirë që dikush prej jush të marrë litarin dhe më past të vijë me një turrë drush të mbartura mbi supin e tij e t’i shesë ato, sesa të lypë nga njerëzit të cilët mund t’i japin ose mund edhe mos i japin”.[10]

Sipas këndvështrimit të fesë Islame, pasuria është e Allahut, ndërsa njeriu ka të drejtë që ta përdorë atë. Pasuria është mjet për të jetuar dhe jo qëllim në vetvete. Në këndvështrimin e fesë Islame pasuria grumbullohet për arsyet e mëposhtme:

Për ta shpenzuar për nevojat familjare:

Profeti (a.s) thotë: “Dinari më i  mirë që mund të shpenzojë një njeri, është dinari që e shpenzon për familjen e tij..”[11]

Sa’d ibnu ebil Uekas, një prej 10 personave të përgëzuar me xhenet thotë: “Në vitin e haxhit të lamtumirës, profeti (a.s) erdhi tek unë për të më vizituar, ngaqë isha i sëmurë. Ju drejtova profetit (a.s) me këto fjalë: “O i Dërguar i Allahut! Siç e shikon unë jam shumë i sëmurë, kam shumë para dhe kam si trashëgmtare të vetme vajzën time. A të jap lëmoshë 2/3 e pasurisë time? Jo – tha ai. Gjysmën, o i Dërguar i Allahut? Jo – tha ai. 1/3, o i Dërguari i Allahut? Ai (a.s) u përgjigj: “1/3 dhe është shumë. Është më mirë për ty që trashëgmtarët t’i lësh të pasur, sesa të varfër duke lypur tek njerëzit. Për çdo shpenzim që bën për hir të Allahut, do të marrësh shpërblim për të, madje edhe për kafshatën e bukës që ia jep gruas”.

Për ta shpenzuar në vepra të mira:

Profeti (a.s) thotë: “Në çdo ditë të re që njerëzit gdhijnë, zbresin dy ëngjëj. Njëri prej tyre thotë: O Zot jepi atij që jep. Ndërsa tjetri thotë: O Zot rrënoje atë që nuk jep”.[12]

 

2 – Njohja e natyrës së njerëzve:

Njohja e natyrës së njerëzve ia lehtëson shumë çështjen thirrësit në rrugë të Allahut. Ka njerëz të cilët joshen me para, të tjerë me butësi, të tjerë me modelin e mirë.. etj. Prandaj thirrësi e ka mëse të nevojshme që të studiojë psikologjinë, në mënyrë që ta ketë më të thjeshtë për të njohur natyrat e ndryshme të njerëzve.

Në këtë hadith, profeti (a.s) na flet për natyrën njerëzore, e cila e do pasurinë: “Në qoftë se i biri i Ademit do të kishte një luginë me flori, do të dëshironte të kishte dy lugina”. Thirrësi e ka për detyrë që të njohë natyrat e njerëzve, sepse kështu e ka më të lehtë për të depërtuar në mesin e tyre dhe e ka më të thjeshtë që të zgjidhë me sukses problemet e tyre. Në këtë aspket[13] mund të marrim për shembull të mirë profetin (a.s), i cili për të fituar zemrat e të rinjve, që sapo kishin hyrë në fe, u jepte përfitim material. Këtë metodë mund ta përdorin edhe thirrësit për të ftuar jomuslimanët dhe ata muslimanë që e vuajnë shumë aspektin material. Përderisa këtë metodë e përdorin edhe të krishterët, atëherë përdorimi i kësaj metode është më primare për thirrësit dhe shoqatat, duke ndjekur rrugët e ligjshme, në mënyrë të tillë që të fitojnë zemrat e njerëzve.

 

3 – Allahu e pranon pendesën e atij që pendohet:

Bujaria dhe mirësia e Allahut ndaj robërve të Tij manifestohet, kur Ai ia pranon pendesën atij që pendohet dhe kthehet tek Ai. Në këtë hadith, profeti (a.s) shprehet shumë qartë duke thënë: “Allahu ia pranon pendesën atij njeriu që pendohet”. Kjo do të thotë, se Allahu ia pranon pendesën njeriut që pendohet, megjithëse ai ka një ves shumë të keq, që është dëshira e madhe për të pasur sa më shumë pasuri. Në një ajet kuranor, Allahu i Lartësuar thotë: “Vërtet, Unë jam Falës për atë që pendohet, beson dhe bën vepra të mira dhe pastaj qëndron në rrugë të drejtë.”[14] Në këtë ajet, Allahu i Lartësuar e ka cilësuar Veten e Tij si Falës që i fal robërit e Tij, sa herë që ata gabojnë. Sa herë që ata gabojnë dhe më pas pendohen, aq herë Ai i fal ata.

Pranimi i pendesës nga Allahu tregon për mëshirën e Allahut ndaj robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu dëshiron t’ju sqarojë çështjet e t’ju drejtojë në rrugën e atyre, që ishin para jush dhe t’ju pranojë pendimin. Allahu është i Dijshëm dhe i Urtë. Allahu dëshiron t’ju pranojë pendimin e ata që ndjekin dëshirat e epsheve, dëshirojnë që ju të shmangeni në tërësi nga rruga e drejtë. Allahu dëshiron t’ju lehtësojë. Por megjithatë, njeriu është krijuar i dobët.”[15]

Pendesa e njeriut për mëkatet që ka bërë, është hapi i parë për kurimin e sëmundjeve dhe një mekanizëm i mirë për pastrimin e shpirtit. Njeriu i cili e pranon se ka bërë mëkat, e ka hedhur hapin e parë dhe ai vazhdon të hedhë hapat e tjera i sigurt, derisa largohet përfundimisht nga mëkati. Në këtë rast ai dëshiron të fitojë kënaqësinë e Allahut duke bërë vepra të mira. Ky është programi, në të cilën fton feja Islame, ndryshe nga sklolastikat e psikologjisë që mjaftohen thjesht me pranimin e fajit nga njeriu. Prandaj, vërejmë se feja Islame e fton njeriun që të pendohet sinqerisht tek Allahu, sepse kështu ai pastrohet nga mëkati. Në Kuranin Famëlartë ka shumë ajete, që e ftojnë besimtarin që të pendohet tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: “O, ju që keni besuar! Kthehuni tek Allahu me një pendim të sinqertë, që Zoti juaj t’jua shlyejë gabimet e t’ju shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj.”[16] “Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin.”[17] Njeriu nuk duhet që të vonohet për t’u penduar,  edhe nëse mëkatet e tija janë të shumta. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush punon vepër të keqe ose e ngarkon veten me gjynahe, pastaj kërkon falje prej Allahut, do të gjejë se Allahu është Falës e Mëshirplotë.”[18] Allahu e do atë njeri, që pendohet dhe kjo është një dëshmi për vlerën e lartë të pendimit si një ilaç kurativ i sëmundjeve të njeriut. Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim, Allahu i do ata që pendohen fort (për gjynahet) dhe ata që pastrohen.”[19]

Në të vërtetë, pendesa lë gjurmë të mira tek njeriu, si për shembull:

1 – I hap njeriut rrugën e shpresës për pastrimin e shpirtit nga mëkatet. Kjo shpresë e re e qetëson atë shpirtërisht dhe tashmë ai e shikon jetën në një këndvështrim ndryshe, ku mbizotëron optimizmi në vend të pesimizmit dhe jetës së zymtë.

2 – Pendesa e bën njeriun që ta respektojë dhe ta vlerësojë veten. Kjo është një shtysë e mirë në formimin e personalitetit të njeriut, që gëzon një qetësi shpirtërore.

3 – Pendesa e çliron njeriun nga ndjenja e frikës, sepse njeriu mëkatar është i shqetësuar dhe kjo e pengon atë që të ecë përpara.

 

 

Epilog:

Tregohet se njëherë një mbret që zotëronte shumë toka, i thotë një plaku të vjetër: Ti do të nisesh nga pallati im nga ky drejtim. Do të vazhdosh të ecësh sa të duash. Në momentin që do të ndalosh, do të masim distancën nga pallati im deri tek vendi ku ke ndaluar dhe unë do të të jap aq pronë nga tokat që unë zotëroj. Plaku i kënaqur nga oferta bujare e mbretit, filloi të vraponte që të kishte sa më shumë pronë. Vrapoi e vrapoi derisa u lodh, më pas filloi të ecte, ec e ec derisa u lodh. Më në fund ndaloi, por nga lodhja e tepërt u shtri barkas dhe duke qenë se ishte lakmitar i madh i shtriu edhe duart që të përfitonte sa më shumë. Mirëpo ngaqë ishte lodhur shumë zemra i pushoi në vend dhe vdiq. Mbreti që po e ndiqte nga mbrapa me kalë, i tha shoqëruesve: “Matni gjatësinë e tij, përgatitini një arkivol dhe pastaj varroseni, sepse njeriu nuk merr nga kjo botë më tepër se masa e gjatësisë së tij”.


[1] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[2] Sure Ali Imran: 14.

[3] Sure Et Tekathur: 1-2.

[4] Transmeton imam Musli.

[5] Sure El Kehf: 46.

[6] Sure El Kasas: 77.

[7] Sure El Xhumu’a: 10.

[8] Transmeton imam Ahmedi. Zinxhiri i transmetimit të këtij hadithi është i saktë sipas kushtit të imam Muslimit.

[9] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[10] Transmeton imam Buhariu.

[11] Transmeton imam Muslimi.

[12] Transmetojnë imam Buhariu dhe imam Muslimi.

[13] Aspektin material.

[14] Sure Taha: 82.

[15] Sure En Nisa: 26-28.

[16] Sure Et Tahrim: 8.

[17] Sure En Nur:31.

[18] Sure En Nisa: 110.

[19] Sure El Bekare: 222.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit