7 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Njeriu i ri, Braho dhe Tufa

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Një nga deputetët e vjetër të Kuvendit të Shqipërisë, Spartak Braho, sulmoi dje drejtorin e Institutit të Studimeve të Krimeve të Komunizmit, Agron Tufën, se gjatë punës së tij si drejtues i institucionit paskësh nxjerrë në plan të parë Ballin Kombëtar, duke lënë mënjanë, madje duke degraduar, heronjtë dhe historinë e Luftës Nacionalçlirimtare.

Braho, që CV-në e tij nis vetëm pas vitit 1990, ndërkohë që ka përfunduar Fakultetin për Gazetari në vitin 1974 dhe për Drejtësi më 1981, nuk specifikoi konkretisht se për cilët heronj apo për cilën pjesë të luftës e kish fjalën, që kishte degraduar z. Tufa gjatë botimeve të tij.

Por, në fakt, pas këtij sensibilizimi të z. Braho, lidhur me rëndësinë e trajtimit të së shkuarës, vlen vërtet të pyesim: A i kemi thënë ne të vërtetat për luftën, për heronjtë, për armiqtë dhe për miqtë? A jemi përpjekur të shkruajmë të vërtetën dhe a kemi guxuar që të vërtetën e zbuluar përmes fakteve ta paraqesim në tekstet e shkollave, që fëmijët tanë të mos jenë më peng i gënjeshtrave që krijoi historia apo kinematografia e kohës së diktaturës?

kërkojë që z. Braho, apo edhe deputetë të tjerë, të lexojnë apo të kenë lexuar librat e botuar nga ky Institut gjatë këtyre viteve. Madje, nuk mundet askush t’i kërkojë asnjë llogari se përse nuk kanë lexuar as librat e historianëve lidhur me të vërtetat e hidhura të luftës, qofshin këto edhe kur janë shkruar nga historianë të rëndësishëm botërorë, si Bernd Fischer apo Reginald Hibbert. Por, gjithsesi, Kuvendi dhe grupet parlamentare kanë gjithnjë mundësinë t’u ofrojnë deputetëve të këshillohen me historianë përpara se të bëjnë deklarata të tilla me shumë sensibilitet në shoqëri, pasi rrezikojnë që të krijojnë urrejtje.

Pa dyshim që, Instituti që drejtohet nga z. Tufa mund të ketë vend për kritika, pasi edhe gënjeshtrat lidhur me historinë e Luftës Nacionalçlirimtare janë krime, që duhej të ishin zbardhur me shumë vendosmëri e më pas të pasqyroheshin në tekstet shkollore, pasi vetëm përmes së vërtetës mund ta zhduknim atë kultivim të gënjeshtrës, që vijon ende të ujisë tokën e nostalgjikëve të kohës kur janë thurur gënjeshtrat.

E meqenëse z. Braho risolli këtë shqetësim, vlen sërish të pyesim: Përse vijon të jetë kaq e fuqishme kjo nostalgji ndaj asaj së shkuare të mbushur plot vrasje e denatyrime? Me se mund të lidhet dëshira për të mbajtur në këmbë atë të shkuar, edhe kur kanë dalë fakte të pafundme lidhur me gënjeshtrat e montuara apo me heronj të rremë, që ende mbushin librat e historisë?

Një nga përgjigjet mund të jetë pikërisht jetëgjatësia në vite e “Njeriut të ri”, që sistemi i shkruar e gatoi në botën e gënjeshtrave, e që në këto vite tranzicioni nuk u ndihmua nga institucionet e trajtimeve historike dhe kulturore me kujdesin e duhur që të mësojë të vërtetën. Madje, jo vetëm që këtij njeriu nuk iu ofruan të vërteta, por atij iu ofruan “fjali ndihmëse”, si: “ashtu ishte koha”, që i dha jetë perversitetit- një perversitet që mban të lidhur mijëra të dashuruar të atij sistemi, që në fund të diktaturës nuk kishin më asnjë ideal, por vetëm krime, edhe pse në fillimet e veta folën për ideale dhe për barazi.

Shkollat shqiptare, edhe pse së fundmi kanë futur në tekste librat e at Zef Pllumit apo Eqerem bej Vlorës, janë ende të pushtuara nga historia e gënjeshtërt për shumë nga ngjarjet e luftës, e sidomos për heroizmat që vijojnë të jenë në tekste, në emra shkollash apo në rrugët tona.

Claude Lefort, filozof dhe aktivist i pasluftës në Francë, parashikonte në librin e tij “Demokracia dhe totalitarizmi” se konsumatori i atyre miteve ideologjike të sistemit diktatorial, që ka humbur atë pushtet të falur nga regjimi, duke pasur aftësi të vetme atë shërbimin kundër së vërtetës dhe justifikimin e çdo lloj krimi, do ta ketë të vështirë pranimin e të vërtetave të krimeve ideologjike. Pra, shpesh urrejtja për të zbardhur të vërtetën bazohet te pafuqia e “Njeriut të ri” për të harruar të shkuarën, për të harruar marrëdhënien e ngushtë me krimin.

Në rastin më të mirë, shqetësimin e z. Braho dhe kritikat e tij ndaj z. Tufa mund ta marrim si një kërkesë që të hetojmë që, pas rishkrimeve të historisë apo interpretimeve të reja të miteve, të mos fshihen ideologji, të cilat kërkojnë të fshehin të vërteta të mëdha apo që ushqejnë krimin e pashërueshëm të urrejtjes.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit