7.4 C
Pristina
Tuesday, March 19, 2024

Një vit Trump: Marrëdhëniet transatlantike më të ndërlikuara se kurrë më parë

Më të lexuarat

Josef Braml, eksperti amerikan i Shoqërisë Gjermane për Politikën e Jashtme kishte një parandjenjë jo të mirë që kur u zgjodh Trumpi. Atëherë ai foli për “gozhdën në arkivolin e rendit liberal botëror”. Sot, një vit më pas ai e sheh veten të konfirmuar: “Trumpi mendon se rendi liberal botëror nuk u shërben interesave amerikane, por përfituesve si Gjermania ose Kina”. Prandaj, për Presidentin e SHBA ekziston vetëm objektivi i “shkatërrimit të këtij rendi botëror”. Duke përfshirë edhe pasojat negative për raportin transatlantik.

“SHBA duhet të fitojnë, si pasojë duhet të humbasin të tjerët”. Shembulli më i mirë për këtë, thotë Braml janë doganat ndëshkuese për sipërmarrjet gjermane, të cilat importojnë në SHBA. Shprehja me ngjyra të errëta e Angela Merkelit pak pas takimit të G-7-ës në Itali sipas Bramlit madje erdhi relativisht vonë, sepse “SHBA qenë edhe para Trumpit shumë të dobëta, për ta mbajtur në këmbë rendin liberal botëror”.

Një strategji e re?

“Nuk është krizë, është më tepër sfidë”, thotë nga ana tjetër Andrew Denison, drejtor i Qendrës Studimore Transatlantic Networks. Ai nuk e ka humbur shpresën që Trumpi do të mbështetet edhe në të ardhmen në marrëdhëniet transatlantike. “SHBA nuk duan që Rusia ta kërcënojë Evropën. Njëkohësisht Evropa mendohet se duhet t’i ndihmojë SHBA me Kinën dhe Lindjen e Afërt”, thekson Denison.

Ministri i Jashtëm gjerman, Sigmar Gabriel kërkon përballë ndryshimeve shumë të mëdha në raportin transatlantik që tani një politikë të re ndaj SHBA. Ai kërkon që Gjermania t’i mbrojë më e sigurtë në vetvete interesat e saj dhe si p.sh. në rastin e marrëveshjes atomike me Iranin, në rast nevoje të caktojë edhe kufij. Anna Kuchenbecker, zëvendësdrejtore e Aspen Institut Deutschland, e mbështet këtë kërkesë, para së gjithash për shkak të konfliktit aktual të interesave. Po ç’pamje duhet të ketë strategjia ndaj SHBA në të ardhmen? “Të bashkëpunojë me kryetarët e bashkive të qyteteve të mëdha në temën e mbrojtjes së klimës, të takohet me parlamentarët nga SHBA që kanë një interes të veçantë ndaj Evropës dhe të mos ndjekë projekte ku ka dallime të mëdha si në politikën tregtare”, i tha Kuchenbecker DW-TV. Premisa pragmatike pra është”që të punohet përreth Shtëpisë së Bardhë”.

E ardhme e errët

Edhe në vitet e ardhshme, marrëdhëniet transatlantike do të vihen edhe më tej në një provë të rëndë, beson Andrew Denison nga Transatlantic Networks. “Gjermania përshtatet gjithmonë mirë si simbol i armikut. Dhe meqenëse Trumpi kërkon gjithmonë fajtorë, ai do të shprehet edhe në të ardhmen në mënyrë kritike për Gjermaninë”. Josef Braml është i bindur se Trumpi do të sulmojë edhe Organizatën Botërore të Tregtisë dhe OKB-në. Në një rast të tillë, Gjermania duhet të përpiqet “që me ata që mendojnë si ajo dhe me një Evropë më të fortë ta mbajë në këmbë këtë rend, sepse SHBA nuk do të jenë më ruajtësi i këtij rendi.”

Oliver Pieper

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit