12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Një shpjegim më shterues pse nuk kuptohet gjë nga ‘Opinioni’ i Fevziut

Më të lexuarat

Nga Enton Palushi

Njerëzit po humbasin aftësinë për të komunikuar dhe për t’u përqendruar, por mbi të gjitha po humbasin aftësinë për të dëgjuar. Duke humbur dëgjimin, humbet edhe kuptimin

Kur ishim më të vegjël dhe kishin nisur të transmetoheshin programet e para nga mediat perëndimore, na bënin gjithmonë e më shumë përshtypje disa shprehje që edhe pse mund të dukeshin të lehta për t’u kuptuar, në fakt ishin të vështira për mentalitetin tonë. Kam shkruar për një nga këto shprehje edhe më parë. Sa herë dëgjonim që dikush në një film shprehej se “nuk është ashtu siç dukej”, edhe pse ishte kapur mat, na vinte për të qeshur. Në fakt kjo ishte një shprehje që më shumë se për humor, shërbente për të kuptuar se në një vend ku drejtësia është e shenjtë, nuk duhet të mendosh se gjithmonë gjërat janë ashtu siç i ke para syve.

Një tjetër shprehje që të bënte shumë përshtypje ishte kur dikush thoshte “jam një dëgjues i mirë”. Natyrisht nuk bëhej fjalë për ndonjë person me probleme në dëgjim, por për ne, një dëgjues i mirë ishte ai që ulej pranë radios, e vendoste sa më shumë afër veshit për të shijuar emisionin e radhës. Por një dëgjues i mirë ishte më shumë se kaq. Një dëgjues i mirë ishte një person që jo vetëm t’i ngul sytë dhe bën sikur e ka mendjen te ti, por një person që ka vendosur të jetë i vëmendshëm për ato që thua. Por përse ishte kaq e rëndësishme kjo? Më vonë do kuptohej se të dëgjosh një person tjetër është një mision më i vështirë nga sa e kishim menduar. E këtu nuk është fjala vetëm për psikologun që të ul në një kolltuk dhe paguhet që të të dëgjojë…

***

A e keni kuptuar ndonjëherë se teksa ju po flisnit, të tjerët nuk ju dëgjonin ose bënin sikur dëgjonin? Jeni ndjerë keq besoj. A e keni kuptuar se kjo po ndodh gjithmonë e më shumë? Zëri i njeriut është një instrument që e luajmë të gjithë. Është tingulli me anë të të cilit mund të nisësh një luftë ose të thuash ‘të dua’. Por gjithmonë e më shumë njerëzit po humbasin disa elemente të rëndësishme në jetë. Sociologia Sherry Turkle thotë se njerëzit po humbasin shumë aftësinë për të komunikuar, që është baza e jetës njerëzore. Nuk ka diskutim që po humbasim gjithmonë e më shumë aftësinë për t’u përqendruar. Por ngadalë po humbasin shumë edhe nga aftësia për të dëgjuar.

Ne po humbasim aftësinë për të dëgjuar. Ne kalojmë thuajse 60 për qind të kohës së komunikimit duke dëgjuar, por nuk jemi shumë të mirë në këtë drejtim. Ne ruajmë vetëm 25 për qind të asaj që dëgjojmë, thotë Julian Treasure, një ekspert i njohur i fushës. Me fjalë të tjera, në një botë të mbushur me kaq shumë zhurmë, ne po bëhemi gjithmonë e më të paaftë për të kuptuar. Sepse të kuptuarit e botës nis nga dëgjimi. E thjeshtë. ‘Tregtarët e vëmendjes’, sipas profesorit Tim Wu, janë edhe pasanikët më të mëdhenj në botë.

***

Kur emisioni ‘Opinion’ i gazetarit Blendi Fevziu ishte drejt fundit, e ftuara bëri një konstatim. Ky emision ishte pritur me shumë interes për shkak se i ftuar do ishte kryeministri Edi Rama, në kulmin e protestës studentore. “Nuk kuptova gjë”, tha gazetarja Mirela Milori në fund të emisionit, e trishtuar ndoshta se kishte dalë më konfuze nga programi nga sa ishte në fillim. Kurse kryeministri Edi Rama nxitoi që t’i shtonte komentit të saj faktin se “të gjithë e dinë se në emisionin e Fevziut nuk shkon për të kuptuar”.

Ka një problem serioz, ne po humbasin dëgjimin. Kjo nuk është e parëndësishme sepse dëgjimi është qasja jonë ndaj kuptimit. Dëgjimi i ndërgjegjshëm krijon gjithmonë mirëkuptim. Vetëm pa dëgjim të ndërgjegjshëm mund të ndodhin këto gjëra. Një botë ku nuk e dëgjojmë njëri-tjetrin është një botë vërtet e frikshme, thotë Treasure.

Njerëzit po bëhen më të paduruar dhe nuk duan më oratori, ata duan thjesht grimca, fraza, batuta ose ndryshe ‘soundbites’. Kjo është arsyeja se përse shumë njerëz e shohin “Opinionin”, por edhe të gjithë emisionet e tjera në Shqipëri: për të dëgjuar ‘soundbites’. Kjo është edhe një nga arsyet se përse kryeministri Edi Rama shkoi në atë studio atë ditë. Sepse vazhdimisht politikanët janë shquar si ekspertë në ‘soundbites’, që nga Çërçilli e te Regan. Rama nuk bën përjashtim. Pavarësisht se nuk i mohohen aftësitë e tij në oratori dhe në të shkruar, ai është po kaq i mirë edhe me ‘soundbites’. A nuk është ai që ka futur në fjalorin politik shqiptar ‘kazanin, tepsinë, timonin, legenin’? Shumpeteri i ‘The Economist’, jo ai i vërteti, thotë se njësoj siç ndodh me gorillat, edhe njerëzit kanë tendencë që të zgjedhin si drejtues njerëzit që kanë zërat më të mirë, kumbues, të plotë, të qartë. A nuk e keni parë se çfarë reagimesh ka kur kryetarit demokrat, Lulzim Basha, i ngjiret zëri në skenat e mitingjeve?

***

Nuk do ju ndodhë shpesh që të shihni të bëhet lajm ose të komentohet nëpër shtëpi apo kafene ndonjë episod i ‘Opinionit’ ku janë thënë gjëra të zgjuara me zë normal. Përkundrazi, çdo sherr, çdo ngritje zëri apo batutë përfundon në portale.

Ne po bëhemi të paduruar. Nuk duam më oratori- duam ‘soundbitës’. Arti i të biseduarit po zëvendësohet në mënyrë të rrezikshme nga transmetimi personal. Ne po bëhemi gjithmonë e më të pandjeshëm, thotë Treasure. Nuk është vetëm politika që na bërtet, por edhe titujt që shihni nëpër gazeta që fillojnë me ‘shokuese, tronditëse, horror’ janë klithma që të tërheqin vëmendjen tonë. Në rrugë bërtasin më të fortët. Ata që kanë makinën që bën më shumë zhurmë janë edhe me më shumë muskuj. Teksa vija në punë, një person po i binte borisë së makinës kaq fort, sa e mori vesh jo vetëm drejtuesi i makinës para tij, por gjysma e Tiranës. Por ky ishte qëllimi, ai donte të klithte. Madje shihni dhe dëgjoni emisionet me humor dhe do habiteni se sa e ngrenë zërin aktorët për të na ‘vjedhur’ vëmendjen. Edhe kur është për të qeshur, ne nuk dëgjojmë. Pa mendon pastaj me njerëzit që i kanë nja dy ‘pare’ mend.

Kjo që po ndodh nënkupton se po bëhet gjithmonë e më e vështirë për ne që t’i kushtojmë vëmendje njerëzve të qetë, delikatëve, të nënvlerësuarve, thotë Treasure. Kjo është drama më e madhe. “Fol, vetëm fol, të gjithë bërtasin dhe askush nuk dëgjon”, thotë një këngë e grupit ‘Elita 5’.

***

Analisti Mustafa Nano thotë se ka mbetur i zhgënjyer nga protesta e studentëve. Nuk para kam dëgjuar të dalin gjëra interesante nga goja e tyre. Ok, janë memet online, por memet, meme janë. Nuk do t’u mbahet mend asnjë fjalim i mbajtur. Asnjë vizion politik. Asnjë shkrim i bërë. Asnjë referencë politike e kulturore. Asnjë shenjë e qartë se janë të rinj të Europës Perëndimore, thotë Nano në monologun e tij në emisionin ‘Provokacija’. Vështirë të thuhet se studentët nuk dinë të bëjnë më shumë se memet. Por faza ku ka mbërritur zemërimi është ajo e protestës dhe tashmë vështirë të gjesh gjëra nga ato që kërkon Nano. Tashmë jemi në kohën e ‘soundbite-ve’ dhe memet janë të tilla. Kryeministri Edi Rama nuk besoj se është nisur për të dialoguar me studentët me mendjen se do jetë një territor i qetë për të dëgjuar dhe kuptuar. Ai është nisur edhe si një mjeshtër i soundbite-ve, ndoshta duke harruar se është përballë mijëra ‘ekspertëve’ të një brezi që jeton me soundbite.

Protestat mund të mbyllen dhe të tjerë ‘kapituj’ do hapen. Ndërsa në fund opinioni publik, si audienca e “Opinionit” kur Fevziu u thotë ‘natën e mirë’, do tundin kokën në fund duke thënë se nuk kuptuan gjë. Por do shtojnë: “Megjithatë ishte gallatë”.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit