Një reflektim mbi videon algjeriane të Kryeministrit

0
168

Fatos Lubonja

Publikimi nga Edi Rama i një videoje protestash në Algjeri, ku pamjet e një tufe policësh të egërsuar që godasin njerëzit nëpër rrugë me shkopinj gome, na i shiti sikur ishin pamje ku policia spanjolle po largonte nga rruga qytetarët, për shkak të rrezikut të korona virusit, nuk është gafë. Kush e mendon kështu nuk është thelluar fare në kuptimin e këtij akti të kryeministrit tonë. Kjo “gafë” flet shumë më tepër se një gafë, nëse me këtë fjalë kuptojmë një lapsus, një rrëshqitje pa dashje në një gabim. Ai flet për rrezikun ku mund të na çojë patologjia antidemokratike e kryeministrit tonë në kushtet ekstreme ku ndodhemi.

Nuk ka dyshim se një njeri dhe politikan normal i një vendi demokratik, sikur t’i dërgonin këtë video duke i thënë: “shiko se ç’po bëjnë spanjollët për shkak të korona virusit” së pari do të çuditej, së dyti do të kërkonte të sigurohej se si ka mundësi që policia e një vendi si Spanja mund t’i mësyjë kësisoj njerëzit paqësorë, vetëm pse kanë dalë në rrugë apo shkuar në dyqan jashtë orarit të përcaktuar dhe, më në fund, edhe sikur t’i konfirmonin se është e vërtetë, do të thoshte se kjo është një çmenduri që nuk do të ndodhë kurrë në vendin tim dhe do ta hidhte videon në koshin e plehrave të celularit.

Fakti që Kryeministri ynë e nxori këtë video në publik, për tu thënë qytetarëve shikoni se çfarë ju pret po nuk respektuat urdhrat e mia, jo vetëm tregon se Edi Rama nuk hyn në këtë kategori njerëzish e politikanësh, por tregon edhe se është shumë, po shumë i rrezikshëm në gjendjen e jashtëzakonshme që jemi të detyruar të jetojmë.

Ne po përjetojmë një situatë që ka prodhuar një gjendje të veçantë psikologjike: atë ku tjetrin nuk e shikojmë më si më parë: d.m.th. si njeriun e afërm, mikun, komshiun e mirë, mësuesin e fëmijëve, shitësin e sjellshëm, por si një rrezik për jetën tonë, të cilit duhet t’i rrimë larg. Pyetja që ngrihet është: sa larg mund ta çojmë këtë qëndrim larg ndaj njëri tjetrit pa humbur humanizmin? Është e qartë se me njerëzit e afërt, megjithëse rrimë larg, arrijmë të shkëmbejmë afeksionin dhe kujdesin, shpresën se kjo ndarje do të jetë e shkurtër, madje se nuk është një ndarje, por një solidaritet ndryshe, thuaj po deshe përgjegjësi.

Por bashkëqytetarëve me të cilët ndeshemi në rrugë apo në radhën e dyqanit e kemi më të vështirë t’ua komunikojmë këto ndjenja solidariteti ndryshe, me ta jemi shumë më të gatshëm të nervozohemi kur dikush nuk ruan distancën apo kur shikojmë të rinj që nuk e çajnë kokën dhe rrinë bashkë sikur asgjë nuk ka ndodhur. E pra, është kollaj në këtë situatë që tjetrin që sillet kështu ta shohim si armik. Aq më tepër kur dëgjon Kryeministrin tonë të thotë një dy se jemi në luftë, e se ata që sillen kështu janë tradhtarë.

Ka një problem të madh në këtë metaforë që e bën sipas meje të papërshtatshme në situatën që po përjetojmë. Në luftë ushtarët e armikut ne i presim të na vijnë nga jashtë të na bombardojnë me aeroplanë e topa apo të na vrasin me pushkë e mitraloza dhe i luftojmë po me këta mjete. Nuk është ky krahasimi i duhur për gjendjen ku ndodhemi. Nuk është krahasimi i duhur edhe sikur të themi se jemi si në gjendjen e atyre hebrenjve gjatë Luftës së Dytë që rrinin të fshehur nëpër strehime të ndryshme me tensionin se mund të vinin t’i gjenin e me veshët tek radioja për të kuptuar se kur do të mbaronte Lufta – siç më ka ardhur të bëj krahasimin duke komunikuar me një mike.

Nuk i shkon as krahasimi, ndoshta më i përafërt, sikur virusin ta krahasojmë me atë terroristin kamikaz, që futet tinëz midis nesh me eksploziv në brez që të shpërthejnë papritur e të na vrasë. Nuk janë këta krahasimet e duhura sepse në rastin tonë “ushtarët” e armikut, agjenti i Gestapos, terroristi, jemi ne vetë për njëri-tjetrin. Ne na duhet t’i qëndrojmë larg njëri tjetrit duke ruajtur distancën, por duke ruajtur edhe dashurinë, miqësinë, mirëkuptimin dhe jo duke e parë njëri tjetrin si armik. Nëse mund të quhet luftë kjo është një luftë me ankthin brenda nesh i gjeneruar nga një armik i padukshëm e i kudondoshëm.

Rrezikun më i madh që paraqet ky ankth nga e padukshmja është që, për tu çliruar prej tij, ta kthejmë në frikë ndaj një armiku të dukshëm me iluzionin se po ta eliminojmë atë, do të shpëtojmë. Dhe kjo rrezikon të na kthejë shumë lehtë në bisha të gatshëm për të goditur njëri-tjetrin. Videoja që na ofroi Kryeministri ishte ilustrimi më i mirë i kësaj. Kryeministri ynë tregoi se është në këtë gjendje ankthi që kërkon një armik për t’u çliruar, aq më tepër duke pasur parasysh se edhe pa korona virusin gjysmën e shqiptarëve i konsideronte si armiq e tradhtarë.

Nuk është vështirë të imagjinosh se, në situata që mund të vijnë duke u rënduar, bashkëqytetarët tanë policët, që janë edhe ata nën trysninë e ankthit nga armiku i padukshëm, të humbasin ekuilibrin e, me një urdhër të kryeministrit nga Surreli, të kthehen në bisha ndaj sivëllezërve të tyre. Dhe ky është një rrezik i madh sepse në kushtet e deprimimit e izolimit ku ndodhemi, që rrit ankthin, e që parashikohet të zgjasë duke u rritur, dhuna mund t’i çojë edhe në agresivitet të dëshpëruar me pasoja të paparashikueshme. Që të mos ndodhë kjo, njerëzit kanë dëshpërimisht nevojë për sa më shumë dhënie shprese, kuraje, dashurie, solidariteti, sakrifice, kujdesi, mbështetjeje, inkurajimi, durimi dhe për sa më pak ndjenja negative siç janë ato që ngjallin kërcënimet e dhuna ndaj njëri tjetrit.