11.7 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

“NJË PORTRET I SHKURTËR I KRYEBASHKIAKUT TË PARË TË TIRANËS”

Më të lexuarat

Kanë kaluar 96 vjet tashmë, që nga dita kur më 11 shkurt 1920 Kongresi i Lushnjës mori vendimin për ta shpallur Tiranën kryeqytet. Nga një qytet i vogël në Shqipërinë e Mesme, Tirana do të shndërrohej me kalimin e viteve në qytetin më të madh dhe më të rëndësishëm të trevave shqiptare. Në vargun e gjatë të bashkiakëve që e kanë drejtuar atë, do të mbesin në histori disa syresh, mes të cilëve është sigurisht kryebashkiaku i parë, Ismail ef. Ndroqi.

Më poshtë do të gjeni një përshkrim të shkurtër të veprimtarisë së tij patriotike e fetare (Marrë nga libri “Zhvillimi i Kulturës Islame te Shqiptarët gjatë shek. XX”, Dr. Ramiz Zekaj, fq. 294)

ISMAIL NDROQI
Një jetë kushtuar Islamit dhe Çështjes Kombëtare

Diaspora shqiptare e Stambollit qe shumë aktive gjatë fundit të shekullit të kaluar dhe dhjetëvjeçarit të parë të shekullit tonë. Lëvizjen rilindëse shqiptare atje e përkrahnin dhe e ndihmonin edhe studentët e shumtë që vazhdonin shkollat dhe medresetë e kryeqytetit të Perandorisë, si dhe fakultetet e Universitetit të Stambollit. Aty studionin disa dhjetëra talebe për hoxhallarë, juristë, mjekë, ushtarakë etj. Në këtë periudhë bënte studimet e mesme dhe ato të larta edhe Ismail Ndroqi.

Pas revolucionit të turqve të rinj, shumë studentë, laureatë dhe intelektualë shqiptarë, të mbushur me ideale kombëtare, u kthyen në atdhe të vendosur për të luftuar për pavarësinë e Shqipërisë. Një ndër ta ishte dhe Ismail Ndroqi, që kishte mbaruar studimet fetare në Medresenë e lartë të Stambollit . Ai u kthye në atdhe më 1908, tashmë i pjekur dhe plot dëshira për t’i shërbyer atij.
Me t’u kthyer në atdhe u radhit në trupin mësimor të medresesë së Tiranës, ku punoi 5 vjet.

Si intelektual, zhvilloi, krahas edukatës fetare, edhe veprimtari patriotike. Nxënësit dhe një pjesë e popullit mësuan prej tij, gjatë kësaj kohe, gjuhën shqipe dhe historinë e kombit. Këtë punë ai e bënte fshehurazi. Me veprimtaritë që zhvilloi në dobi të lëvizjes kombëtare, u ingranua në të dhe u bë shpejt një nga anëtarët më aktivë për zonën e Tiranës.

Viti 1912 qe, për të, viti që vulosi qëndrimin e tij në dobi të pavarësisë shqiptare. Ai u solidarizua plotësisht me nismën e Ismail Qemalit. Qe nga më kryesorët që ngriti flamurin kombëtar në Tiranë, i ofroi ndihmë Ismail Qemalit dhe punoi për zbatimin e direktivave të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës. U transferua myfti në Shijak (1913-1914) e pastaj në Kavajë (1914-1915).

Megjithatë, popullariteti i tij u rrit dhe, më 1916 emërohet myfti në Tiranë.
Niveli i lartë fetar i tij, si dhe aftësitë organizative të treguara gjatë periudhës 1908-1916, bënë që ai të zgjidhej kryetar i Bashkisë së Tiranës.

Gjatë kohës që kryesoi bashkinë u përpoq për hapjen e shkollave shqipe, organizoi batalionin vullnetar të Tiranës, që mori pjesë në Luftën e Vlorës dhe mbështeti qeverinë e Sulejman Delvinës. Në prill të vitit 1920 iu drejtua Konferencës së Paqes, me kërkesën për të njohur kufijtë etnikë të Shqipërisë. Këtë dokument të rëndësishëm e nënshkroi ai vetë në emër të tridhjetëmijë vetave që morën pjesë në miting.

Konsekuent në idealin e tij për një Shqipëri që përfshinte krejt trojet shqiptare, ai iu drejtua edhe një herë qeverive evropiane me një telegram, në tetor të vitit 1921, ku theksonte se populli shqiptar nuk do të njihte asnjë vendim diplomatik që do të cenonte kufijtë e Shqipërisë.

Ishte klerik i lartë mysliman dhe një intelektual i mirëfilltë që iu kundërvu fanatizmit të kohës. Në vitin 1928, ai u tërhoq nga jeta politike dhe iu kushtua plotësisht shërbimit fetar. Gjatë periudhës 1928-1939 shërbeu si myfti i Durrësit, ku mbajti shumë vaze me nivel të lartë teorik. Populli i Shqipërisë së Mesme e përcolli me nderime të mëdha, duke e konsideruar si një nga bijtë e tij më të nderuar.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit