10.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Një përgjigje e detyruar për Akademikun Rexhep Qose

Më të lexuarat

Nga Mentor Kikia

I nderuar profesor Qose!

Ndjehem ngushtë T’ju shkruaj, pasi deri tani vetëm Ju kam lexuar. Por më besoni, ndjej detyrim ta bëj!
E lexova disa herë letrën Tuaj për studentët shqiptarë, për të qenë i sigurtë që nuk kam keqkuptuar asgjë.

Thelbi i saj është këshilla që studentët të pranojnë dialogun me shtetin(qeverinë dmth) dhe të mos bëhen vegla të partive politike. Duke kujtuar se gjithëçka kemi bërë në këtë vend(dmth ne, prindërit e tyre) e kemi bërë për ta. Dhe ata do të duhet ta marrin këtë vend, e ta çojnë më përpara.

I nderuar profesor!

Ata studentë janë aty vërtet për kërkesa me karakter ekonomik dhe kërkesa të tjera për përmirësimin e cilësisë së mësimdhënies.

Por dijeni se ajo revoltë nuk shpërtheu vetëm për çështje tarifash. Ose, të paktën, nuk po mbahet gjallë vetëm për to. Ajo ishte mllefi i një gjenerate që ka provuar të mashtrohet e vidhet që kur ka lindur, sepse ka mësuar se babai ka paguar rryshfet edhe tek mjeku që e nxorri nga barku i nënës. Eshtë mllefi i fëmijëve të prindërve të vjedhur e të mashtruar.

Eshtë mllefi i qytetarëve të rinj, që tani e dinë që kasta politike për më shumë se çerekshekulli me radhë, e ka shndërruar Shqipërinë e tyre në çiflik, ku 5-6 “bejlerë” kontrollojnë gjithë pasurinë kombëtare. Kjo në fakt është edhe Shqipëria që ne u kemi lënë atyre, më e keqë nga ajo që na lanë prindërit neve, sepse ne u kemi shkatërruar pyjet, bregdetin, lumenjtë, parqet natyrore, u kemi zhvatur pasuritë natyrore, duke ua dhuruar “bejlerëve” koncensionarë. Ata nuk dinë ku dreqin ta çojnë këtë Shqipëri tani, ndaj dhe po zgjedhin të ikin vetë.

Ata e dinë tashmë se këtu shumë ligje bëhen posaçërisht për të ligjëruar zhvatjet e kastës politiko-financiare. Ata e dinë tashmë se kasta i vjedh dhe me paratë që vjedh ajo blen edhe votën e tyre dhe riciklon pushtetin.

Nëse nuk e dini profesor, shkolla që po lulëzon më shumë tani në Shqipëri janë kurset e gjuhës gjermane. Sepse shumica e të rinjve kanë vetëm një qëllim. Të arsimohen sa të munden e të ikin. Ata studentë janë aty në përpjekje për të shkundur nga letargjia e frikës prindërit e tyre, që janë strukur nga presioni e kërcënimi i vazhdueshëm me vendin e punës dhe bukën e gojës.

Ata janë aty për të promovuar pushtetin e protestës qytetare. Ju e dini profesor, se shoqëritë që nuk ngrejnë kokë janë të destinuara të zhyten në diktatura, pavarësisht formës. Dhe Shqipëria është sot nën një diktaturë shumë të egër. Eshtë nën diktaturën e korrupsionit të ligjëruar dhe oligarkisë ekonomike më brutale në Europë.

Ju i këshilloni që ata të mos bëjnë lojën e partive. Por ata i grisën flamujt e të gjitha partive. Ata i kanë refuzuar në mënyrë kategorike të gjitha partitë. Sepse ata nuk kanë besim më tek asnjë parti, sepse të gjitha partitë janë shkaktare të vrasjes së shpresës së tyre. Dhe këto radhë nuk janë një hartim patetik, por një realitet i dhimbshëm këtu në Shqipëri.

Ndaj dhe ne pëpiqemi që ata djem e vajza ti inkurajojmë. Jo se do të bëjnë ndonjë revolucion, por edhe sikur të mos kenë shumë të drejtë, ani, le të bërtasin, sa të na nxjerrin frikën të gjithëve. Le të bërtasin, se asnjë demokracie nuk i vjen gjë e keqe nga protesta qytetare. Përkundrazi!

Ne nuk kemi vetëm një klasë politike të degraduar profesor. Ne nuk kemi fare tashmë një elitë intelektuale, që në momente të caktuara, kur shoqëria përpëlitet si lepuri në çark e nuk di nga të marrë, të thotë fjalën e saj për ta drejtuar.

Profesor, të jeshë në anën e pushtetit është komoditet i madh. Dhe këtu ky është një sport i preferuar ndër intelektualët në Tiranë. Por figurat e kombit duhet të jenë gjithnjë në anën e popullit, për të merituar të quhen të tilla.

Unë nuk marr përsipër ti këshilloj studentët, nëse duhet të bëjnë apo jo dialog, pasi ata janë të vetëdijshëm për ta marrë vetë një vendim. Dhe mbi të gjitha, unë mendoj se kjo është gjëja më pak e rëndësishme në atë që po ndodh në Tiranë.

Së fundmi, profesor! Kombi ynë nuk e ka luksin që përsonalitete si Ju, të cilët i shikojmë si të jenë mbi re, befas t’i shfaqen në tokë në të njëjtin batak me ca rreperë që i këndojnë “të bardhës” dhe të “kuqes”.
Qëndroni atje “lart” se na duheni!

Me konsideratë!

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit