10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Një histori e vjetër: në kërkim të një Volteri musliman

Më të lexuarat

Nga Ibrahim KALLËN

Fakti se muslimanët nuk kanë një Volter nuk do të thotë se ata nuk dinë asgjë rreth arsyetimit kritik, ashtu si fakti se Perëndimi nuk ka një Rumi nuk do të thotë se nuk di asgjë rreth dashurisë.

Perëndimorët të cilët kanë një njohuri sipërfaqësore të Islamit dhe modernistët muslimanë të cilët kanë një njohuri sipërfaqësore të modernitetit perëndimor nuk lodhen kurrë së bëri thirrje për reformë në Islam. Se mos na shkon në mendje se ky është një debat i ri; ai mjafton për të kujtuar diskutimet e shekullit të 19-të mbi Islamin, reformën, traditën, modernitetin dhe iluminizmin. Dijetarët dhe intelektualët muslimanë në atë periudhë u ndeshën me të njëjtat pyetje të shfaqura në diskutimet bashkëkohore të marrëdhënieve islamo-perëndimore dhe të së ardhmes të botës moderne sot. Ca prej përgjigjeve të tyre duhet t’i kishin dhënë zgjidhje debatit, por nuk është kështu.

Ata që vajtojnë se një Volter musliman nuk doli kurrë duhet ta studiojnë më seriozisht historinë. Nocionit të tyre të Islamit të reformuar, çfarëdo që të nënkuptojë, i mungon legjitimiteti fetar, autoriteti moral dhe thellësia historike. Axhenda e tij politike është e qartë, dhe nuk kërkon shtjellim të hollë. Por dështimi i tij është mjaft i qartë dhe duhet kuptuar si duhet kështu që ne të mos i përsërisim të njëjtat gabime.

Inteligjencia osmane kishte një interes të veçantë për këtë debat, dhe dha një numër përgjigjesh stimuluese që nevojitet t’i dimë dhe kësaj dite.

Bashkë me Rusonë, Volteri ishte mbase filozofi më popullor europian midis mendimtarëve osmanë në shekullin e 19-të. Vepra e tij u përkthye dhe u bë e njohur nga një numër intelektualësh, shtetarësh dhe gazetarësh të spikatur. Ata përfshijnë Munif Pashën (1830-1910), i cili shërbeu si ministër i arsimit gjatë qeverisjes së Abdulhamidit II, Ahmet Vefik Pashën (1823-1891), që përktheu në turqisht “Mikromegën” e Volterit, Ahmet Midhat Efendiun (1844-1912), i cili botoi një roman të titulluar, “Volteri në të 20-tat ose dashuria e tij e parë” (Voltaire 20 Yaşında Yâhud İlk Muaşakası), dhe Beshir Fuadin (1852-1887), të njohur si natyralisti dhe pozitivisti i parë osman. Mes të tjerash, Fuadi ishte promovuesi numër një i Volterit në rrethet intelektuale osmane, me librin e tij 139-faqësh mbi filozofin francez, përpara se të vetëvritej në moshë të re.

Volteri ishte një ikonoklast i kohës së tij. Kjo, e jo ndonjë prej ideve të tij specifike, ngjan ta ketë pushtuar imagjinatën e intelektualëve muslimanë në shekullin e 19-të. Ai ishte duartrokitur si një novator i mendimit të lirë, shkencës, progresit dhe humanizmit. Komentet e tij antiosmane dhe antiislame qenë vendosur brenda kontekstit socio-politik të kohës së tij dhe, në këtë mënyrë, ishin bërë më të buta, më elastike. Ai madje u paraqit si një mbrojtës me gjykim të shëndoshë i Islamit kundër paragjykimeve të rrënjosura thellë të qarqeve intelektuale dhe fetare europiane. Antipatia për Krishterimin institucional dhe mbrojtja e deizmit ishin parë si një rrjedhojë e natyrshme e luftës së tij me autoritetin papal dhe dogmatizmin skolastik. Tekefundit, kjo ishte një çështje e brendshme për intelektualët europianë. Islami nuk ishte objektivi i kritikës së tillë, sepse qe pranuar gjerësisht se ai kishte një teologji dhe strukturë institucionale shumë të ndryshme.

Në një artikull të gjatë mbi Volterin, Ahmet Midhat Efendiu e interpreton në një dritë shumë ndryshe dramën e famshme të Volterit, “Fanatizmi, ose Profeti Muhammed”. Ai e pranon se drama ka një qasje tejet denigruese ndaj Islamit dhe profetit të tij, por nuk e sheh këtë si një sulm mbi Islamin si të tillë. Ai, përndryshe, mendon se Volteri e përdor retorikën antiislame si një taktikë letrare për të kritikuar përvojën perëndimore të religjiozitetit. Çfarë Volteri nuk mund ta thotë drejtpërdrejt për Krishterimin, e thotë për Islamin, por objektivi i tij parësor mbetet Kisha Katolike. Fakti se ai ia paraqiti këtë dramë papës mbart një mesazh të hollë.

Por Ahmed Midhati vë theksin te një argument tjetër më interesant: se askush nuk duhet të pretendojë të jetë një Volter musliman, sepse rrethanat që çuan në spikatjen e tij në Europë nuk ekzistojnë në botën islame. Islami nuk ka njëpozicion si papati, as ka patur diçka të ngjashme me inkuizicionin. Luftërat midis katolikëve dhe protestantëve nuk mund të krahasohen me marrëdhënien midis muslimanëve sunnitë dhe shiitë. Volteri kërkon ta sjellë Europën kristiane aty ku qytetërimi islam është tashmë, duke besuar në Zot dhe moralitet ndërsa e përdor plotësisht arsyen, vëzhgimin, eksperimentimin, mendimin e lirë dhe hulumtimin shkencor pa barrërat e religjionit institucional. Volteri është i dobishëm nëtregimin e rrugës në shekullin e 19-të për një sintezë të re të besimit dhe arsye, shkencës dhe moralitetit, bashkësisë dhe lirisë. Por nuk është e nevojshme të imitohen metodat e tij për të skicuar një drejtim të ri intelektual dhe shkencor në botën islame. Islami nuk ka nevojë për reformë, por muslimanët nevojitet të përditësojnë veten. Volteri shërben në Stamboll, Kajro dhe Damask si një mendimtar i idealizuar për t’u sjellë në mendje muslimanëve detyrën e tyre thelbësore, për t’u zgjuar!

Ashtu si shumë nga bashkëkohësit e tij, duke përfshirë Namik Kemalin dhe Xhemaleddin Afganin, Ahmet Midhati besonte se europianët bënë një hap të madh falë veprave të shkencëtarëve dhe filozofëve të tyre. Kjo është ajo çfarë duhet të bëjnë muslimanët tani; pra, të mëkëmbin traditën e tyre intelektuale ndërsa nuk e heqin vështrimin nga çka po ngjet në Europë. Ai i nxit lexuesit e tij t’i studiojnë si shkencat e Lindjes dhe të Perëndimit.

Të pyesësh se pse muslimanët nuk kanë një Volter është si të pyesësh pse perëndimorët nuk kanë një Rumi apo një Ibni Arabi. Fakti se muslimanët nuk kanë një Volter nuk do të thotë se ata nuk dinë asgjë rreth arsyetimit kritik, ashtu si fakti se Perëndimi nuk ka një Rumi nuk do të thotë se nuk di asgjë rreth dashurisë.

Ata që i njohin shkencat tradicionale islame duhet ta mësojnë dijen e re të Perëndimit, dhe ata të cilët i njohin kulturën dhe mendimin perëndimor duhet të njihen me trashëgiminë intelektuale të botës islame; qëndro i rrënjosur në traditën tënde, por mbaj një horizont të hapur për botën. Njihni veten dhe trashëgiminë tuaj, por jini gjithashtu të hapur për të mësuar nga të tjerët. Kjo është ajo çka muslimanët nevojitet të bëjnë në vend të kërkimit pështjellueshëm për një Volter musliman.

Kjo është ajo çfarë mendonin shumë intelektualë osmanë në shekullin e 19-të. Eshtë trishtuese dhe shqetësuese që debati nuk ka bërë shumë përpara vërtet pas një shekulli e gjysmë dhe që vijon të sillet rreth të njëjtave dikotomi të rreme. Eshtë koha t’i vihet veshi historisë dhe të nxirren mësime prej saj.

Marrë nga Radio 1

Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit