10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Një fund i hipokrizisë

Më të lexuarat

Rainer Hermann

Ka një sërë temash, për të cilat kërkohet hipokrizi. Ndër to bën pjesë edhe diskutimi, nëse Turqia duhet të bëhet anëtare e BE-së, por në to bën pjesë edhe i ashtuquajturi proces i paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. Tema e parë është mbyllur me presidentin turk Recep Tayyip Erdogan, ndërsa për temën e dytë ishte të mërkurën presidenti amerikan Donald Trump, i cili i dha fund hipokrizisë. Me deklaratën e tij, se e njeh Jerusalemin si kryeqytet të Izraelit dhe se Ambasada amerikane do të zhvendoset atje, ai në fakt pranon realitetin. Megjithatë, ka shkaktuar me këtë vendim një tërmet të vogël që do të dëmtojë edhe interesat amerikane.

Si sipërmarrës, Trump e di se pas një dështimi dhe falimentimi ka një fillim të ri. Kështu, presidenti do të shkatërrojë atë për të cilën beson se ka dështuar. Në sytë e tij këtu bën pjesë i ashtuquajturi proces i paqes mes Izraelit dhe palestinezëve. E përse pra të mos provohet një tjetër proces?

Në fund të fundit asnjëri prej dy protagonistëve nuk ka dashur dhe nuk e do paqen me kushte, që mund t’i pranojnë të dyja palët. Palestinezët më 2001-2007 e refuzuan kthimin e 97 për qind të territoreve të pushtuara, duke përfshirë edhe Jerusalemin lindor. Ata donin të gjitha ose asgjë e tani mbeten duar bosh. Izraeli nga ana e tij ka vazhduar me konsekuencë politikën e ngulimeve hebreje – e me këtë ka bërë fakte të kryera. Nën kryeministrin Benjamin Netanyahu, Izraeli nuk është më i gatshëm për lëshime. Izraeli i do të gjitha dhe më i forti i merr të gjitha – përfshirë këtu edhe Smbasadën amerikane në Jerusalem.

Trump me sa duket nuk i di pasojat e vendimit të tij në Lindjen e Mesme. Atë e ka motivuar për këtë vendim vetëm politika e brendshme – ai iu përmbajt premtimit që u dha përkrahësve të tij evangjelikan dhe lobit të fuqishëm hebre. Në Lindjen e Mesme me këtë ai forcon Iranin – që krahas Turqisë – mund të përfitojë si mbrojtës i interesave islame.

Se çfarë “marrëveshje” e madhe mund të vijë pas shkatërrimit, përçarjes alla Trump, është ende e paqartë. Gjithnjë e më shumë po kristalizohet se Egjipti një pjesë të Sinait duhet ta lirojë si “territor kompensues” për palestinezët. Por, kjo sigurisht që nuk do ta paqëtojë rajonin dhe ndoshta zgjidhja do të jetë vetëm një paqe tjetër, që i jep fund paqes së të gjithëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit