Një familje fisnike shqiptare që la vulën e saj në ndërtimin dhe zhvillimin e shumë vendbanimeve tona

0
44

Dr. Sadik Mehmeti

Për arsye të ndryshme, historia jonë kombëtare është pasqyruar me shumë boshllëqe, të cilat sigurisht që do të plotësohen me kohë për t’i dhënë asaj atributet e vërteta shkencore. Deri më sot nuk janë pasqyruar sa duhet dhe si duhet shumë ngjarje dhe figura dhe, nga ana tjetër, mjaftë aktorë të historisë sonë janë përmendur shkarazi, e herë-herë, madje janë paraqitur edhe në mënyrë jo objektive dhe të një anshme. Ndodh që veprimtaria e disa prej personaliteteve tona më shumë njihet jashtë se sa në vendlindjen e tyre.

Ndër këto personalitete bënë pjesë edhe Koxha Sinan pasha dhe djali i tij, Mehmet pashë Kaçanik(li)u, të cilët për nga vlerat humane, ushtarake, politike dhe historike tejkalojnë statusin e prijësve lokal.

Këta dy padyshim paraqesin personazhe historike me përmasa kombëtare dhe krahasuar me historinë e shkruar për shumë pashallarë, vezirë, kryearkitektë etj. shqiptarë që vepruan në atë kohë, Koxha Sinan pasha dhe Mehmet pashë Kaçaniku paraqiten, do të thoshim, si më të prekshëm, pasi akoma deri në ditët tona ruhen disa vepra arkitektonike të bëra nga ata, si në trojet shqiptare ashtu edhe në vise të tjera që dikur i takonin Perandorisë Osmane.

Po kush ishin këto personalitete të shquara të kësaj familjeje fisnike shqiptare, të cilët vepruan në kohën e Perandorisë Osmane; këta vakëflënës të mëdhenj, emri i të cilëve, – dhe sidomos emri i Koxha Sinan pashës dhe djalit të tij Mehmet pashës, – është i lidhur ngushtë me Kaçanikun dhe me ndërtimin e tij, po edhe me qytetet e tjera shqiptare, si Lumën, Shkupin, Tetovën, Dibrën, Gostivarin, etj., pa përmendur këtu edhe shumë vakëfe që këta bamirës kanë lënë në vende të tjera, si në Jemen, Gjeorgji, Turqi, Siri, Greqi, Bullgari, Egjipt, Arabi Saudite etj. Dhe, edhe pse kjo familje fisnike dhe bujare shqiptare ka vënë vulën e saj në ndërtimin dhe zhvillimin e shumë vendbanimeve tona, për të ende nuk kemi një monografi të mirëfilltë ku do të përfshiheshin të gjitha vakëfet që kanë lënë këta bamirës dhe burrështetas të shquar, nga më të mëdhenjtë e kohës.

Nga Topojani i Lumës
Kjo familje fisnike shqiptare ka origjinë nga Topojani i Lumës (Shqipëri). I pari i tyre ishte Ali Begu. Titulli beg që mbante ky fisnikë shqiptarë, tregon se ai kishte qenë një njeri me ndikim dhe me pozitë në shoqëri. Po ky Ali begu është ai i cili në Prizrenin e lashtë ngriti katër ura, ndër to edhe Urën e njohur të Gurit, e ndërtuar më 1533, e cila ruhet edhe sot.

Dihet se Ali begu i sipërpërmendur, kishte tre djem: Hysen begun, Ajas pashën dhe Koxha Sinan pashën.

Hysen begu përmendet në Vakëfnamenë e Mehmet Kaçanikut, i cili thotë se në fshatin e tij (në Topojan) nga Hysen begu e kishte blerë një çiflig të cilin e linte vakëf.

Për djalin tjetër të Ali begut, Ajas pashën dihet se qe bërë vali i Bagdadit në vitin 1545 dhe në atë cilësi kishte ndërmarrë fushatën ushtarake kundër Basrasë. Më pastaj kishte fituar titullin vezir, kurse në vitin 1549 qe bërë vali në Dijar Bekir. Meqë gjatë rebelimit të Shehzade Bajazidit, Ajas pasha duke qenë në pozitën e valiut të Erzurumit, i kishte ndihmuar rebelët, ndaj dhe qe likuiduar në vitin 1559. Bijtë e Ajas pashës kanë qenë Mehmet pasha dhe Mustafë pasha.
Sami Frashëri në “Kamus al-a’lam”-in e tij të mirënjohur, për Ajas pashën, shkruan: “Edhe ky është shqiptar. Është vëllai i kryeministrit Sinan pasha të njohur si Çlirues i Jemenit.

Gjatë kohës së sulltan Sylejmanit u caktua bejlerbe i Erzurumit. Për shkak se ia mundësoi dhe ia lehtësoi ikjen për në Iran, Shehzade Bajazid Hanit, i cili shpalli kryengritje në Anadoll, më 966/1558 në Erzurum, Ajas pasha u dënua me vdekje nga ana e sulltan Seimit II. Djali i tij Mustafë pasha gjendej në luftën e Vllahisë me mixhën e tij, Sinan pashën”.

Mustafë pasha, djali i Ajas Pashës ishte vali i Prizrenit, i cili në vitin 970/1562-63 në Prizren kishte ndërtuar një xhami të bukur, e cila në vitin 1950 qe goditur nga rrufeja, kurse në vitin 1952 qe rrënuar tërësisht dhe mbi të ishte ndërtuar Tregu i Gjelbër, e më pastaj më 1979/80 qe ndërtuar godina e Bankkosit, ku pas luftës së fundit në Kosovë qe vendosur UNMIK-u, kurse sot është i vendosur Kuvendi Komunal i Prizrenit.

Nga pinjollë të tjerë të kësaj familje fisnikësh shqiptare, përmenden edhe vëllai i Mustafë pashës, Mehmet pasha dhe Hasan pasha, për të cilët në literaturë mungojnë të dhënat, përveç faktit se për të dytin, Hasan pashën, dihet me siguri se ka qenë vali i Adenit, atëherë kur Jemeni qe qeverisur nga axha i Hasanit, Koxha Sinan pasha.
Koxha Sinan Pasha-“shqiptar i pazbutur dhe kokëfortë”, pesëherë kryeministër dhe vakëflënës i madh

Ndërkaq, për sa i takon djalit të tretë të Ali Begut, Koxha Sinan pashës, të dhënat biografike janë më të bollshme. Për të kanë shkruar shumë studiues, si Tahir efendiu, Sami Frashëri, Jorga, Babingeri, Peçeviu, Mehmet Syrejai, Hameri, G. Elezoviçi, Jastrebovi etj. Por kontributin më të madh për ndriçimin e kësaj figure kaq të shquar, më pastaj për përkthimin e Vakëfnamesë së tij dhe për sqarimin e shumë çështjeve të cilat shkenca serbe i kishte futur në rrugë të gabuar, – e ka dhënë Dr. Hasan Kaleshi, i cili edhe i ka shfrytëzuar të gjitha burimet e sipërshënuara.

Në “Kronikën” e përmendur të Tahir efendiut në kreun “Kronika e Vezirit të Madh, gaziut dhe çliruesit të Jemenit, Sinan pashës”, shkruan: ”E quajnë Sinan pasha. Është me prejardhje nga Topojani. E ka pushtuar Jemenin…”

Kurse H. Kaleshi, shkruan: “Koxha Sinan pasha, Gazi Sinan pasha ose Sinan pasha, “Çliriues i Jemenit” (Fatih-i Yemen) është lindur në fshatin Topojan të Lumës (Shqipëri), kishte qenë pesë herë Vezir i Madh, kishte komanduar shumë fushata ushtarake kundër Austrisë përtej Danubit…

Koxha Sinan pasha ka qenë pesë herë Vezir i Madh në Perandorinë Osmane. Kishte komanduar shumë fushata ushtarake kundër Austrisë përtej Danubit. Gjatë kohës së sulltan Sylejman Kanuniut, ishte në pozitën e shefit të kontrolluesve të ushqimit, kurse më vonë qe bërë sanxhakbej i Malatisë, Kastamunit, Gazës, Tripolit të Sirisë, Erzurumit dhe Halepit. Në vitin 1568 ishte caktuar mëkëmbës i Egjiptit, nga kishte nisur fushatën pushtuese kundër Jemenit të rebeluar dhe të cilin serish ia nënshtroi Perandorisë. Në vitin 1571, përmes detit, qe kthyer në Xhide, e nga këtu kishte vazhduar për në Mekë, ku kishte kryer haxhillëkun dhe kishte ndërtuar një seri vakëfesh, prej të cilave disa janë ruajtur edhe sot. Në të njëjtin vit ishte kthyer në Kajro dhe kishte dhënë urdhrin që të pastrohej kanali për ujitje nga Kajroja deri në Aleksandri, i cili kishte dalë nga përdorimi. Në të njëjtin vit po ashtu kishte përfunduar ndërtimin e xhamisë së tij në paralagjen Bulak të Kajros, e cila ekziston edhe sot.

Në pranverën e 1574 kishte komanduar ushtrinë osmane në fushatën kundër Tunizisë, së bashku me kapitenin Këllëç Ali pasha.
Në pranverën e 1580 kishte udhëhequr ushtrinë osmane kundër Gjeorgjisë. Në të njëjtin vit (më 25 gusht) qe caktuar për herën e parë Kryeministër (sadriazem).

Edhe pse larg nga vendlindja – Luma, ai kurrë nuk e kishte harruar atë. Me lutjen e tij, në vitin 1586 sulltan Murati III, kishte lëshuar një ferman, me të cilin banorët e pesë fshatrave, që ishin pronë e Sinan pashës, liroheshin nga të gjitha tatimet. Në ferman thuhet: “Ish-Veziri im i Madh, tani nga ana ime i caktuar vali i vilajetit të Damaskut, Sinan pasha, me qëllim që të bëjë vepër të mirë për fshatrat e tij: Qajle, që për çdo vit i sjell të ardhura 6.000 akçe, Fluri 4.000 akçe, Topojani 5.000 akçe, Kalimashi 8.000 akçe, Beleshqeja, të cilën e ka blerë Sinan pasha nga spahiu Lutfi me të ardhura prej 3.000 akçeve, me të gjitha malet, arat, kopshtet, pyjet, që janë në kufij të atyre fshatrave, – ua dhuron në shfrytëzim të përhershëm banorëve të këtyre fshatrave, rajës. Për vërtetimin e kësaj, e lëshoj këtë ferman dhe urdhëroj që nga banorët e fshatrave të lartpërmendur askush të mos guxojë të marrë yshyrin, as tatim në dele dhe kurrfarë tatimi tjetër nga tokat, të cilat tani janë bërë pasuri e rajës”. Ka ndërtuar edhe ujësjellësin në vendlindjen e tij.
Kronistët turq nuk shkruajnë mirë për shumë çështje të Koxha Sinan pashës, edhe pse i përmendin meritat e tij të mëdha për Perandorinë Osmane. Ata thonë se ka qenë i ashpër, mendjemadh e hakmarrës. Peçevi, e quan “Arna’ud na’ud” (Shqiptari kokëfortë). Ata po ashtu ia shohin për të madhe për se i ka ngritur shqiptarët në pozita të ndryshme. Historiani Hammer e quan “shqiptar i pazbutur”, kurse Jorga konsideron se ai ka qenë i fundit nga më të mëdhenjtë e periudhës së shkëlqyeshme të Perandorisë Osmane.

Duke u gjetur rreth dyzetë vjet në pozitat më të larta shtetërore, nga ato rreth pesëmbëdhjetë vjet vezir i madh dhe komandant suprem, ai ka mundur të arrinte pasuri të mëdha. Haset e tij shtriheshin në shumë sanxhaqe të perandorisë.

Emri i Koxha Sinan pashës është i lidhur ngushtë me Kaçanikun dhe ndërtimin e tij. Evlia Çelebiu thotë se Koxha Sinan pasha e ka ndërtuar Kalanë e Kaçanikut që është katërkëndëshe e fortë dhe madhështore dhe që ka tetëqind hapa në perimetër. Përveç Kalasë, Sinan pasha në Kaçanik ka ndërtuar një xhami (1594), – atë që ekziston edhe sot, – një imaret (kuzhinë popullore), dy hane, një shkollë dhe një hamam.

Përveç këtyre themelatave dhe vakëfeve në trojet tona ka lënë: 2 hane në Kaçanik, 1 hamam në Kaçanik, 12 lokale në Shkup, 1 konak i përbërë prej disa shtëpive dhe pasurisë tjetër në fshatin Akbash, në Shkup, 1 konak në fshatin Jenixhe, në kadillëkun e Shkupit, 5 mullinj tek fshati Janixhe, në Vardar, në kadillëkun e Shkupit, 3 mullinj në kufijtë e fshatit Ismixhe, në Shkup, 1 konak në fshatin Tabanoc, në kadillëkun e Kratovës, 1 kullos verore në fshatin Tabanoc, në kadillëkun e përmendur, 2 mullinj në fshatin Tabanoc, 1 konak në fshatin Jezercë, në kadillëkun e Prishtinës, gjithë fshatin Janoshticë, në kadillëkun e Vrajës, gjithë fshatin Qajle, në kadillëkun e Gorës, pasurinë e quajtur Delan, në lumin Dollovë, në nahinë e Muzakës, 6 mullinj në lumin Dollovë, 2 mullinj në lumin Dumovë (Muzakë), 1 hamam në Prishtinë, 2 mullinj afër fshatit Kamenicë, në kadillëkun e Novobërdës, vendin “Ulema-pasha – kullos dimërore” në kadillëkun Tikvesh, vendin “Jahja pasha – kullos verore” në kadillëkun e Ulqinit, 12.000 dele në fshatin Kamenicë, në kadillëkun e Novobërdës etj..

Përveç këtyre, ai ka ndërtuar edhe objekte të tjera të shumta përshpirtnuese dhe themeloi shumë vakëfeve në anë të ndryshme të Perandorisë Osmane. Ka lënë pasuri personale në shërbim të popullit si: xhami, mektebe, karavansaraje, imarete etj., në vendet, si: Jemen, Gjeorgji, Turqi, Siri, Greqi, Bullgari, Egjipt, Arabi Saudite. Haset e tij shtriheshin në sanxhaqet e Pashës (Manastir, Kesri, Demir Hisar, Serez, Lerin, Plovdiv), Nikopol, More, Janinë, Tirhali, Vlorë, Smederevë, Krushec, Silistri, Konjë, Akshehir, Aksaraj, Nigde, Agribozu, Marash dhe Ajdin.
Vdiq më 3 mars 1596 dhe u varros në tyrben e tij, në lagjen Sifiler në Stamboll.

Mehmet pashë Kaçaniku – themelues i shumë vakëfeve në Kaçanik , Shkup, Dibër e Gostivar

Udhëheqës i shquar ushtarak, kapuxhibash, serdar, bejlerbe, vali, bamirës dhe vakëflënës. I njohur Mehmed pashë Kaçaniku, sipas vendlindjes së tij. Rrjedh nga një familje fisnike shqiptare me origjinë nga Topojani i Lumës. Është biri i pesë herë sadriazemit Koxha Sinan Pasha. Ka mbajtur pozita të ndryshme në Perandorinë Osmane. Në vitin 1590 e gjejmë si aga të jeniçerëve, kurse në vitin 1592 ai bëhet bejlerbej i Rumelisë. Në këtë detyrë e kishte emëruar babai, i cili asokohe ishte Vezir i Madh. Një vit më vonë, ai është vali i Sirisë, kurse nga viti 1593 bëhet serdar me gradën vezir. Më pastaj ka pasur postin e Muhafiz (komandant) i Kalasë së Beogradit, vali i Konjës dhe Damaskut. Sipas kronistëve Mehmed Pasha, përveç përkrahjes nga babai, ka pasur edhe përkrahjen e oborrit perandorak, sepse ka qenë i martuar me motrën e sulltan Selimit II, princeshën Xhemile.

Duke ndjekur rrugën e babait të tij, edhe Mehmed pashë Kaçaniku ka ndërtuar në Kaçanik disa objekte, kështu që Kaçaniku rreth vitit 1600 kishte një pamje të një vendbanimi të zhvilluar me një serë institucionesh publike. Në Vakëfnamenë e Mehmed pashë Kaçanikut gjejmë të shënuar: “Në grykën e quajtur Kaçanik po ashtu kam vakëfnuar tre mullinj të tjerë…” “… Edhe në kasabanë me emrin Kaçanik (kam vakëfnuar) urën e ndërtuar në lumin Nerodime, e cila rrjedh kah Kalaja, kroin dhe katër hane të ndërtuara rishtazi, të cilët gjenden në lagjen e jobesimtarëve të kasabasë së përmendur”.

Në vitin 1601 ai vakëfnoi një xhami në Shkup dhe vaizit (predikuesit) të saj i caktoi pagën ditore prej tri akçesh. Po në Shkup ai ndërtoi një shkollë dhe mësimdhënësit të saj i caktoi pagën ditore prej gjashtë akçesh. Mehmed Pasha ka vëkëfnuar edhe një bibliotekë dhe një teqe në Shkup. Po ky vakëflënës ka ndërtuar edhe një xhami dhe një shkollë në Gostivar, kurse për mirëmbajtjen e tyre ka vakëfnuar një karvansaraj dhe një hamam në Gostivar.

Origjinali i tri Vakëfnamevë të Mehmed pashë Kaçanikut, ruhet në Arkivin e Kosovës dhe është i shkruar në osmanishte me shkrimin arab nes’h të trashë, jashtëzakonisht bukur, shumë qartë dhe lexueshëm. Vakëfnametë kanë gjithsej 65 faqe të formatit 26×17 cm. Kurse teksti 20×11 cm. Secila faqe ka nga 13 rreshta. Letra është e verdhe dhe e lëmuar. Në faqen 1b, ka një tugra sulltanore të formatit të madh. Vakëfnametë janë të vokalizuara. Kanë të shënuar numrin e faqeve dhe faqet kanë kustodat. Për shkak të rëndësisë që kanë këto Vakëfname, sidomos për Kaçanikun dhe për qytetet e tjera shqiptare, duhet të shpallen dhe të trajtohen si monument i shkruar me vlera kombëtare.
Nga ana tjetër, i biri i Mehmed pashës, Mustafë pashë Kaçaniku, në vitin 1644 ka ndërtuar një xhami në Gostivar, kurse i biri i Mustafë pashës, Ebubekir Pasha, po në Gostivar ka ndërtuar Xhaminë e Sahatit dhe medresenë pranë saj.
Mehmet pashë Kaçaniku ka vdekur në vitin 1609.

Si përfundim

Studimi i veprës së Koxha Sinan pashës si një nga sadriazemët më të suksesshëm të Perandorisë Osmane të shek XVI dhe si themelues i qytetit të Kaçanikut, më pastaj studimi i vakëfeve të tij dhe të djalit të tij Mehmet pashë Kaçanikliut, si dhe pinjollëve të tjerë të kësaj familjeje fisnikësh shqiptare, përbën një detyrim për studiuesit tanë. Kjo edhe për të pasuruar listën e emrave të mëdhenj që historia e shqiptarëve ka nxjerrë gjatë shekujve dhe për të mbushur faqet e saj.

Kurse Luma, Kaçaniku, Prizreni, Tetova, Dibra, Gostivari, etj., duhen të mburren dhe të jenë krenarë për këta bijë të mëdhenj të trevave të tyre, të cilët me gjithë ofiqet dhe privilegjet që kishin në Stamboll dhe gjetiu preferuan që të ktheheshin në vendlindjen e tyre dhe aty të ndërtonin objekte dhe të themelonin vakëfe, duke ngritur shumë vepra bamirëse dhe duke u qëndruar pranë njerëzve të thjeshtë; ata kurrë nuk harruan vendlindjen e tyre dhe as harruan që të ndihmojnë në çdo pikëpamje zhvillimin ekonomik, arsimor, fetar, zejtar, arkitektonik etj. të vendit të tyre.