Një Europian skandaloz: Izmir Smajlaj duket se ka të drejtë…

0
104

Atleti shqiptar i kërcimit së gjati, Izmir Smajlaj nuk ia doli të futet në zonën e medaljeve, pasi u rendit vetëm në vendin e gjashtë, në kampionatin europian që po zhvillohet në Berlin të Gjermanisë.

Ai regjistroi si kërcim më të mirë atë 7.99 metra, por me foto dhe video tregoi se rezultati i provës së tretë është manipuluar nga gjyqtarët e pistës.

Në fakt kjo provë fillimisht u dha 7.47 metra dhe më pas u finalizua në 7.73 metra, por pamjet video dhe foto, tregojnë qartë se kërcimi i atletit shkodran ka qenë mbi 8 metra.

Smaljaj deklaroi se së bashku me Federatën Shqiptare të Atletikës, kanë denoncuar këtë gabim dhe presin vendimin final të IAAf, që po bën verifikimet përkatëse.

Kujtojmë që atleti shkodran u shpall kampion Europe vitin e kaluar, në garat me salla të mbyllura, në Beograd të Serbisë, me kërcimin më të mirë 8.08 metra.

Por duket se Europiani i Berlinit është shoqëruar nga hije të forta skandali. Madje denoncuesit janë vetë gjermanët. Fillimisht bëhet fjalë për garën e 1500 metrave. Një norvegjez u rrëzua, por arriti të rikuperojë plot 60 metra dhe të dalë përpara atletit gjerman. Sipas këtij të fundit, bëhet fjalë për doping.

Por lëmshi më i madh u bë në garën e kërcimit së gjati, ku garonte edhe shqiptari Izmir Smajlaj.

Gjermani Fabian Heinle u ankua se nuk i ishte matur mirë distanca. Atij i tha se kishte kërcyer 7.77 metra, më pas iu korrigjua dhe iu bë 8.02. Heinle mori medaljen e argjendtë.

“Pas kësaj përpjekje, nuk e kisha të qartë në cilin vend isha. Është e tmerrshme që kjo ndodh në një finale”, tha Heinle.

Trajneri i gjermanit thotë se kjo ka ndodhur edhe në Londër e Zyrih, po ndodh edhe tani në Berlin.

“Ata kanë matur hijen,” thotë ai.

Sipas gazetës SuedDeutsche, shumë atletë thonë se u janë akorduar distanca më të shkurta.