7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Një debat nga të fundit e 2017-ës: a ka arsye për t’u sulmuar Erdogan nga zëra mediatikë pranë Berishës?

Më të lexuarat

Nga Ylli Pata

Fundi i 2017-ës në politikën shqiptare, u karakterizua dhe nga debati mbi votën e Tiranës zyrtare në OKB lidhur me Jerusalemin, ku siç u bë e qartë, Shqipëria votoi kundër njohjes nga Trump të këtij qyteti, si kryeqytet i Izraelit. Kjo bëri që të dalin në pah dhe çështje nga e kaluara jo e largët, me një qendër figurën e Presidentit turk, Erdogan, gjithnjë në raport me liderët shqiptarë ndër vite, veçanërisht me Ramën dhe Berishë.

Media afër këtij të fundit, duke aluduar se tek vota kundër e Shqipërisë ka gisht dhe Erdogan e afërsia e tij me Ramën, ndikuar dhe nga ftohja e liderit turk me Berishën por për një votë në OKB lidhur me Palestinën, nuk e kursyen nga sulmet atë që sot është një lojtar i fortë në skenën politike botërore, pra presidentin turk, duke e bërë pjesë të debatit të brendshëm, nga ai i nivelit më të rëndomtë.

Një portal pranë familjes “Berisha” e quajti votën shqiptare në OKB për Jerusalemin, si një “allishverish” jo transparent mes Edi Ramës dhe Erdoganit në kurriz të Donald Trump.

Iu bashkuan këtij korri edhe analistë parnë Metës, një tjetër i zemëruar nga vota e qeverisë në OKB, që e lidhën atë me një ndryshim drejtimi të politikës së jashtme të Shqipërisë drejt largimit nga Amerika. Të dy palët e shikojnë lidhjen apo le ta quajmë “boshtin” me Turqinë si “të rrezikshëm dhe negativ”.

Referuar gjithë historisë 104-vjeçare të shtetit shqiptar, por sidomos pas Luftës së Dytë Botërore, marrëdhëniet e Shqipërisë me Turqinë kanë qenë gjithmonë, pa asnjë ndalesë, pozitive, miqësore, të afërta dhe me një konstante që nuk është ulur.

Madje edhe në kohën e diktaturës komuniste, kur Enver Hoxha kishte marrëdhënie armiqësore me shtetet e NATO-s, me Turqinë relacionet kanë qenë krejt ndryshe; ka pasur relaksim politik, shkëmbim tregtar dhe sidomos kulturor.

Kjo marrëdhënie ka pasur disa faktorë, por më kryesoret (e pranojnë të gjithë) janë lidhjet historike që nga periudha perandorake. Këto marrëdhënie kanë qenë të tilla pa ulje- ngritje, me çdo qeveri në Turqi, apo në Shqipëri pa dallim.

Kur ra sistemi komunist dhe qeveria e asaj kohe nuk kishte valutë të blente ushqime, Ramiz Alia i shkruan homologut turk të saj kohë Turgut Ozal, se depot ishin bosh. Për punë ditësh Turqia solli në Durrës vaporët plot me ushqime dhe mallra jetike. Ishte vendi i parë që e bëri këtë gjë. I Pari!

Që nga viti 2003 kur AKP-ja dhe lideri i saj, Rexhep Tajip Erdogan janë në pushtet në Turqi, fuqia specifike, influenca globale por edhe në rajon e këtij vendi të madh është rritur potencialisht në të gjitha drejtimet. Turqia ka një rol dhe zë më të fortë se më parë. Ishte Fatos Nano kryeministër i Shqipërisë, që pati i pari marrëdhënie të ngushta me udhëheqësin turk. Dhe si një politikan jo konvencional, Erdogan e tregon afërsinë me gjeste simbolike por me peshë njerëzore: e caktoi Nanon si dëshmitar në martesën e djalit të tij të madh.

Dhe siç e dimë, ky i fundit është i besimit ortodoks. Pra këtu s’kishte asnjë lidhje çështja e përkatësisë religjoze, por përfaqësimi i Shqipërisë.

Kur Sali Berisha erdhi në pushtet, edhe pse në opozitë mallkoi marrëveshjen e blerjes së Albtelecon nga një kompani e madhe turke, ai pati gjitahshtu marrëdhënie shumë të mira me atë që në atë kohë pati homolog, Rexhep Tajip Erdogan. Madje përurimi që ata i bënë Rrugës së Kombit, kur vetë Erdogan erdhi në Shqipëri, kjo pak para zgjedhjeve të vitit 2009, u mor si një mbështetje ndaj Berishës për fitoren e këtij fundit tyre.

Por Kur Edi Rama erdhi në pushtet, me zgjedhjen e vetë kreut të PS-së të zgjedhur kryeministër, marrëdhëniet me Turqinë morën një dimension edhe më të afërt: u quajtën “strategjike”.

Turqia është një shtet që vetëm e ka mbështetur Shqipërinë. Tirana zyrtare nuk ka pasur kurrë asnjë bela nga relacioni me Ankaranë, përkundrazi. Po, përse tani kjo marrëdhënie cilësohet e dëmshme? Përse zoti Berisha kur fitonte zgjedhjet krah Erdoganit i dukej i mirë dhe tani jo?

Kjo mund të jetë këndvështrim i njërës palë, por politika e jashtme e vendit duhet të përfaqësojë vullnetin e popullit që voton.

Dhe në Shqipëri, padyshim shumica e votuesve e kërkon një marrëdhënie të mirë dhe të afërt me Turqinë. Madje këtë e dëshiron edhe pakica, përderisa nuk ka asnjë qeder nga ky relacion.

Loja që po bëhet sot për t’u treguar më “trumpist” se vetë Donald Trump, i cili publikisht jo më larg se disa muaj më parë nga Shtëpia e Bardhë e quajti Erdogan “aleat të ngushtë”, bëhet thjesht për interesa momentale politike. E rëndomtë gjithsesi, në planin etik, politik e diplomatik, ngase bie dhe erë mosmirënjohje. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit