Niset grupi i parë i haxhinjëve nga Maqedonia e Veriut

0
59

Grupi i parë i haxhinjëve nga Maqedonia e Veriut është nisur për në vendet e shenjta për të kryer njërin nga pesë kushtet e fesë Islame.

Nga Aeroporti Ndërkombëtar i Shkupit udhëtimin për në Arabinë Saudite e filluan 168 nga gjithsej 850 haxhinjë, ku përfshihet edhe stafi udhëheqës dhe ai mjekësor që përbëjnë 40 persona.

Pjesa më e madhe e haxhinjëve të grupit të parë vinin nga rajoni nën kompetencë të muftinive të Kumanovës dhe Strugës.

Hoxhë Eljasa Mahmudi, imam në xhaminë e “Lagjes së Trimave” në Kumanovë dhe njëri nga udhëheqësit tha se nga rajoni i Kumanovës janë gjithsej 77 haxhinjë. Ai thotë se të gjithë janë të përgatitur për udhëtimin dhe se janë të përmalluar për t’i vizituar vendet e shenjta.

“Lusim Allahun e Lartmadhërishëm që të na lehtësojë udhëtimin dhe inshallah t’i kryejmë obligimet ashtu siç duhet dhe të kthehemi pastaj në vendlindje me Haxh të pranuar inshallah”, tha Mahmudi.

Në mesin e haxhinjve është edhe një 62-vjeçar me aftësi të kufizuara

Njëri nga haxhinjtë të cilët u nisën për të kryer kushtin e fesë Islame, është edhe 62-vjeçari Harun Mehmeti nga fshati Nigishtan i rrethinës së Shkupit, i cili ndonëse është invalid dhe duhet të lëvizë me karrocë, shprehet se është i aftë të kryejë obligimin fetar. Ai është i shoqëruar nga një familjar i tij i cili do ta ndihmojë në kryerjen e riteve fetare në vendet e shenjta.

“Emocionet nuk përshkruhen, qejf i brendshëm është, nuk përshkruhet ajo se ku jemi duke shkuar. Sa për vështirësi, nuk e bëj me mend se kam vështirësi. Me të vërtetë jam në karrocë por e ndjej veten i aftë për çdo gjë. Edhe shokun e kam të aftë. Shokun e kam me përvojë që ka qenë 5-6 herë. Vendin e di mirë. E për t’ia dalë mbarë inshallah Allahu na ndihmon, e besoj se do t’ia dalim”, tha Mehmeti.

Ai lutet që Allahu t’ua mundësojë gjithësecilit të kryejë Haxhin, duke u shprehur se të gjithë duhet të marrin shembull tek ai.

“Muslimanët le të marrin shembull tek unë. Kur një njeri invalid mundohet të shkojë (në Haxh), ia ka mundësuar Zoti të shkojë, për ata të shëndoshët nuk diskutohet se pse nuk shkojnë. Inshallah Allahu ia mundëson gjithësecilit”, tha Mehmeti.

Më herët, nga Bashkësia Fetare Islame (BFI) e Maqedonisë së Veriut njoftuan se nisja bëhet në pesë grupe më 30 dhe 31 korrik nga Shkupi në Xheda, ndërsa kthimi është planifikuar për më 25, 26 dhe 27 gusht nga Medina në Shkup.

Sipas të dhënave të Bashkësisë Fetare Islame (BFI) të Maqedonisë së Veriut, këtë vit janë regjistruar 850 haxhinjë, ku përfshihet edhe stafi udhëheqës dhe ai mjekësor që përbëjnë 40 persona. Personi më i ri që sivjet do të niset në vendet e shenjta është një fëmijë 5-vjeçar, ndërsa më i moshuari është një 82-vjeçar.

Çmimi për kryerjen e Haxhit sivjet është 4.400 euro, që shënon një rritje prej 300 eurosh në krahasim me vitin e kaluar, kur ishte 4.100 euro. Edhe përkundër kësaj, numri i haxhinjëve shënon rritje, pasi vitin e kaluar ishin gjithsej 669 haxhinjë, ku përfshihej edhe stafi udhëheqës dhe mjekësor, ndërsa sivjet ky numër është 850 haxhinjë./AA