6.4 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Niqahu, nijeti dhe dhuratat martesore

Më të lexuarat

Mënyra e aktit të martesës dhe vendi.
Edhe pse akti i martesës shihet si një besë e fortë dhe e rëndë, forma sesi kryhet ky akt është shumë e lehtë. Dy janë fjalët që e lidhin këtë akt të rëndësishëm:”T’a jap vajzën për bashkëshorte” që e thotë babai i vajzës dhe “e pranoj” që e thotë i fejuari i saj.
Ajo që deri pak sekonda më parë ishte haram, me këto dy fjalë kthehet në hallall.
Në islam nuk ka shumë rëndësi se ku kryehet akti i martesës, xhami apo shtëpi. Unë personalisht do të uroja që xhamitë tona të gumëzhinin nga njerëz që vijnë për aktin e martesës. Në këtë mënyrë, ne i kthejmë xhamisë rolin dhe misionin e saj, mbledhjen e njerëzve dhe forcimin e lidhjeve mes tyre.
Gjatë ceremonisë së aktit të martesës është e pëlqyeshme të mbahet një fjalë e shkurtër, me qëllim që çiftit të ri t’u rikujtohet rëndësia e martesës dhe njëkohësisht të kujtohen që akti i martesës është një besë e fortë, që i jepet secilit por dhe Zotit të madhëruar.
Edhe pse akti i martesës shihet si një besë e fortë dhe amanet, kjo nuk e mohon faktin që njerëzit dhe çifti të jenë të gëzuar. Sigurisht që ata duhet të gëzojnë dhe të ndihen të lumtur. E rëndësishme është që ata të jenë të ndërgjegjshëm mbi përgjegjësitë dhe obligimet që i presin.

Nijeti
Vallë cili është nijet yt me martesën o vëlla dhe o motër? Përse po martoheni?
Përgjithësisht, kur i pyet të rinjtë muslimanë mbi qëllimin dhe nijetin me martesësn, përgjigjen të gjithë me frymë fetare. Por nuk ka asgjë të keqe që nijeti me martesën të jetë dhe të ndihesh i lumtur dhe i qetë.
Një nga nijetet është dhe të ruhet nderi, të ndërtohet një familje mbi baza islame dhe morale, familje e cila i bindet Zotit dhe porosive të Profetit a.s, të ndihmohet dhe përkrahet feja e Zotit. Islami nuk mund të triumfojë me familje të rrënuara dhe të përçara. Islami kërkon familje të lumtura, të gëzuara dhe të konsoliduara.
Një herë kur po bisesoja me një të ri mbi rëndësinë e nijetit në martesë, ai më tha:”Nijeti im është realizimi i fjalëve të profetit Musa a.s ku thotë:” Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, dhe shndërrojini ato në faltore..” (Junus 87)
Shdërrimi i shtëpive në faltore, nënkupton që ato të bëhen qendra ku të tjerët i synojnë për të shtuar besimin dhe për të gjetur qetësi shpirtërore. Në këto shtëpi lexohet Kurani bashkërisht, lexohen libra fetarë, mbahen ligjërata, përmendet Zotit etj… Ç’mendon o vëlla dhe o motër që shtëpia juaj të jetë objektiv nga të gjithë besimtarët që dëshirojnë t’ju shtohet besimi?
Asnjë kompani biznesi nuk e fillon punën pa plan dhe strategji të thurrur më parë. Përse duhet që martesa, e cila është shumë më e rëndësishme se ç’do kompani apo aktivitet tjetër, të fillojë pa plan dhe objektiva të qarta?!

Dhurata martesore.
Shumë familje kërkojnë shuma marramendëse si dhuratë martesore për vajzat e tyre. Ata i caktojnë shumat sipas cilësive dhe karakteristikave të vajzës. Sa më e bukur të jetë vajza, sa më e pasur dhe e famshme të jetë familja e saj, aq më e shtrenjtë është dhe dhurata martesore që i kërkohet dhëndërit. Kjo do të thotë që vajzën tënde po e trajton thjesht si një mall, si gjithë mallrat e tjerë, të cilin e blen ai që paguan më shumë.
Dhurata martesore në islam shihet si diçka simbolike për t’a vlerësuar bashkëshorten. Por nëse do të flisnim me llogjikën e të hollave, vallë a do të mjaftonin të hollat e kësaj bote për t’a vlerësuar atë si bashkëshorte dhe nënë fëmijësh?! Kush pranon të jetojë me një person tjetër të panjohur thjesht për para? Sa më shumë që të kërkosh për dhuratë martesore, aq më shumë ia ul vlerat vajzës tënde dhe e kundërta, sa më pak të kërkosh për vajzën tënde, aq më shumë ia shton vlerat. Për këtë Profeti a.s thotë:”Sa më e vogël të jetë dhurata martesore, aq më i madh do të jetë bereqeti i gruas.”
Një fakt tjetër që i nxit prindërit të mos kërkojnë dhuratë martesore të madhe, është nëse dhurata e martesës është e madhe, atëherë vajzën tënde nuk do e kërkojnë veçse të rinj që rrjedhin nga familje të pasura, por që nuk i përshtaten vajzës në morale, edukatë, formim, arsim etj… Në të tilla raste, ose do të pranohet martesa me dikë që nuk i përshtatet vajzës dhe do të ketë probleme, ose do të refuzohet, duke e mbajtur vajzën në shtëpi.
Thotë Profeti a.s në lidhje me kriterin e përzgjedhjes së bashkëshortit për gratë:”Nëse dorën e vajzës tuaj e kërkon një fetar dhe njeri i besueshëm, atëherë pranojeni këtë lidhje. Në të kundërt do të ndodhë fitne në tokë dhe degjenerim i madh.”
Si mund të jetojë i lumtur një çift që janë lidhur në bazë të kriterit të pasurisë? Duke vuajtur ata, do të vuajë familja dhe do të vuajë e gjithë shoqëria. Po ashtu, vuajtje është nëse vajza nuk gjen dot një të ri që i përshtatet nivelit të saj intelektual, arsimor, shoqëror, por edhe material.
Prandaj dhurata martesore është diçka simbolike, pasi kurrë nuk mund të vlerësohet bashkëshortja me para.
Mos prano kurrë o baba dhe o nënë që vajza juaj të shitet me para. Mos u ndikoni nga fakti që kushërira apo shoqja e saj është martuar me filan shumë të madhe, si dhuratë martesore. Nuk ka përse të mburresh me shumën e madhe që dhëndri ka paguar për vajzën tënde. Thotë Zoti në Kuran:”Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë.” (Nisa 36)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit