Nikoliqi, pasues i Millosheviqit

0
53

Munih,30 maj – Ende pa e marrë përsipër zyrtarisht funksionin e presidentit të Serbisë, Tomislav Nikoliq nxehu gjakrat në rajon, me intervistën dhënë gazetës gjermane, Frankfurter Allgemeine Zeitung. Ai në intervistë theksoi se “Vukovari është qytet serb” dhe se krijimi i “Serbisë së Madhe” mbetet dëshirë dhe ëndërr e tij. Kjo shkaktoi reagime të ashpra në Kroaci dhe Bosnje, me presidentin kroat, Ivo Josipoviq, i cili u përgjigj me fjalët:” Ashtu siç kemi ditur ta mbrojmë sovranitetin e Kroacisë në të kaluarën, ashtu dimë ta bëjmë edhe sot”.

Presidenti i ardhshëm i Serbisë, Tomislav Nikoliq, ende pa marrë përsipër zyrtarisht funksionin ka nxitur një stuhi. Arsye për këtë ishte intervista, të cilën ja dha gazetës Frankfurter Allgemeine Zeitung, disa ditë para rrethit të dytë të zgjedhjeve presidenciale në Serbi, në të cilin ai për rival e pati tashmë ish-presidentin e Serbisë, Boris Tadiq.

Intervista ishte e mbushur përplot me deklarata, të cilat u priten me indinjate në shtetet fqinje të Serbisë. Ashtu edhe siç pritej, deklaratat e Nikoliqit u cituan nga pothuajse të gjitha mediet në Kroaci, Bosnje, Mal të Zi, por edhe nga ato në Serbi.

Në Kroaci reagimet ishin tejet të ashpra. Ato shpërthyen pas deklaratës së Nikoliqit për qytetin kroat, Vukovarin, i cili në vitin 1991, në vitin e parë të luftës në ish-Jugosllavi, u bë rrafsh me tokë nga ushtria e atëhershme e dominuar nga serbët, me ç’rast shumë banorë të qytetit u dëbuan dhe u vranë. Në konstatimin se sot në Vukovar, pasi që qyteti u bë sërish pjesë e Kroacisë, jetojnë më shumë serbë se sa para dhjetë viteve, Nikoliqi në intervistë tha ”Për shkak se Vukovari është një qytet serb. Aty kroatët nuk janë kthyer”.

Nikoliq deri në vitin 2008 ka qenë nënkryetar i Partisë ekstremiste nacionaliste Radikale të Serbisë. Ajo kurrë nuk është distancuar në mënyrë të qartë nga kërkesa e tij e mëhershme se Kroacia duhet të copëtohet, për të krijuar “Serbinë e Madhe”.

Fakti se ai gjatë intervistat foli për atë se “Serbia e Madhe” mbetët një dëshirë dhe ëndërr e tij, e cila “për fat të keq nuk është realizuar”, nuk qetësoi gjakrat në Kroaci dhe Bosnje, por përkundrazi deklaratat e Nikoliqit nxitën një grindje mes Zagrebit dhe Beogradit, e që ishte një paralajmërim për atë se çfarë marrëdhënie të vështira do ta presin Serbinë me fqinjët e saj, nën kryesimin e një presidenti Nikoliq.

Pasi që deklaratat e Nikoliqit u cituan nga mediet kroate, i pari i cili doli para opinionit publik ishte presidenti i Kroacisë, Ivo Josipoviq.

“Nëse deklaratat e Nikoliqit nënkuptojnë kthimin në idetë e viteve të 90-ta, atëherë mund t’i them në emër të të gjithë neve këtu në Kroaci: idetë e tilla nuk do të mund të realizohen. Ashtu siç kemi ditur ta mbrojmë sovranitetin e Kroacisë në të kaluarën, ashtu dimë ta bëjmë edhe sot”, tha Josipoviq. Ai më tutje theksoi se shpreson se Nikoliqi do të heq dorë nga këto qëndrime.

Një politikane tjetër kroate reagoi edhe më ashpër. Ministrja e Jashtme e Kroacisë, Vesna Pusiq, ja tërhoqi vërejtjen Nikoliqit që në të ardhmen të përzgjedhë me një kujdes më të madh fjalët e tij. “Deklaratat e para të kryetarit të porsazgjedhur të Serbisë, të bëra gjatë intervistës për gazetën FAZ, janë tejet shokuese dhe të papranueshme për Kroacinë”, theksoi ajo.

Ministri kroat për çështje të veteranëve, Predrag Matiq, i cili vjen nga Vukovari dhe i cili ishte zënë rob nga serbët, ëndrrat e Nikoliqit për “Serbinë e Madhe” i komentoi me sarkazëm, duke thënë se edhe ai dikur “ka ëndërruar Claudia Schifferin”, por më pas ka kuptuar se kjo ëndërr e tij nuk mund të realizohet.

Ish-kryeministrja e Kroacisë, Jadranka Kosor, i quajti skandaloze deklaratat e Nikoliqit.

“Vukovari është qytet kroat, i cili ka vuajtur më së shumti gjatë agresionit të përgjakshëm kundër Kroacisë”, theksoi Kosor.

Duke parë ashpërsinë e reagimeve në Kroaci, disa ditë më vonë reagoi edhe Partia Përparimtare Serbe e Nikoliqit, e cila në një deklaratë të saj theksoi ”Mohojmë se Nikolici në ndonjë intervistë, për ndonjë gazetë, ka theksuar se Vukovari është qytet serbë dhe se kroatët nuk i kanë se pse të kthehen aty. Intervista e publikuar nga FAZ është një gënjeshtër”.

Mohimi i ashpër nga Serbia nxiti mediet kroate që të kërkojnë nga FAZ xhirimin e bisedës. Pasi që mediet kroate konfirmuan vërtetësinë e intervistës dhe autencitetin e deklaratave të Nikoliqit, reagoi sërish presidenti kroat, Josipoviq, i cili edhe pse tha se mohimi i Nikoliqit duhet të përshëndetet, deklaratat e tij tashmë kanë marrë dhenë.

Pas publikimit të intervistës së xhiruar në portalet kroate në internet, Partia Përparimtare Serbe nuk foli më për atë se deklaratat e Nikoliqit janë shtrembëruar dhe se bëhet fjalë për gënjeshtër. Në vend të kësaj, një zëdhënës i partisë tha se Nikoliqi dëshiron marrëdhëniet “më të mira të mundshme me shtetet fqinje”.

Vetë Nikoliqi shkoi në Moskë, ku u takua me homologun e tij rus, Vladimir Putinin. Me këtë rast, Nikoliq tha se “Putini është autoriteti më i madh i popullit serb. Po të kishte marrë pjesë Putini në zgjedhjet presidenciale në Serbi, ai do të kishte fituar”, shtoi me këtë rast Nikoliq.

Në Zagreb, Dinko Buriq, kryetar i një partie të vogël rajonale, përmblodhi më së miri debatin në lidhje me deklaratat e Nikoliqit.

“Nikoliqi dikur pat thënë se nuk ka predispozita gjenetike për të urryer kroatët apo Kroacinë. Por me intervistën dhëne FAZ, Nikolici dëshmoi se ka predispozita gjenetike për të folur marri”, tha Buriq.(Frankfurter Allgemeine Zeitung)koha/kohaislame