9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nihal Ollçok, nëna dhe gruaja e dy të rënëve më 15 korrik, vjen në Tiranë; flet për dhimbjen, Erdoganin, egërsirat e puçit…

Më të lexuarat

Bisedoi: Bujar M. Hoxha

Pak gjë duhet që të mbushen dy vite nga përpjekja e përgjakshme për grusht shteti në Turqi. Shumë ujëra kanë rrjedhur që atëherë, por vetë rrjedha e ka patur të vështirë ta gjejë shtratin e vet.

Qindra të vrarët dhe mijëra të plagosurit në ato orë makthi të 15 dhe 16 korrikut të 2016-s janë një plagë në trupin e Turqisë moderne, një plagë që kërkon melhem…

Vendi është në gjendje të jashtëzakonshme prej asokohe, rreziku për një përsëritje të të njëjtit skenar mbetet i pranishëm. Strukturat shtetërore janë në përballje të vazhdueshme me elementë aktivë dhe joaktivë të organizatës famëkeqe që organizoi gjakderdhjen e asaj nate, ndërsa ideatori i saj dhe shumë prej ndihmësve të tij shijojnë ende lirinë e siguruar tutje kufijve, kushedi mbi ç’pazar…

Turqit u drejtohen kutive të votimit këtë të dielë, mbase në zgjedhjet më kyçe të këtyre thuajse dy dekadave. Përpara ka një udhë me dy drejtime: u takon atyre të vendosin në do të vijojnë të shijojnë begatinë dhe mëvetësinë, apo të bëjnë prapakthehu, për t’u rizhytur në terr…

Një zë i kthjellët na ndihmon të kuptojmë pak nga të tëra këto, të përjetojmë sadopak prej dhimbjes njerëzore të shkaktuar prej asaj përpjekjeje për grusht shteti, të ftillohemi për shumëçka.

Është një zë nëne, një zë bashkëshorteje, që i ka dhënë Turqisë dy martirë atë natë, të birin dhe të shoqin, që ka rënë në honin e goditjes prej fatkeqësisë, që ka patur sidoqoftë po ashtu forcën të dalë prej andej për të vijuar përpjekjen njerëzore…

Zonja Nihal Ollçok (Olçok) ka mbërritur për herë të parë në Tiranë, hem si shqiptare, hem si turke, hem si shkupjane, hem si stambollase. Në deje i vlon gjaku shqiptar, në mendje i qëndron e sotmja turke. Kështu është dhe gjuha e saj, përzier mes një shqipeje të çalë, kuptueshëm të tillë prej largësisë dhe përdorimit jo të shpeshtë, dhe një turqishteje po kaq kuptueshëm të pandërprerë, tërheqëse…

E do Tiranën, pikaset qartë, sido që e ka për herë të parë vizitën në të. Shkupi është një vendmbërritje më e shpeshtë, edhe për shkak të të afërmve që i ka me bollëk atje, por dukshëm të lë të kuptosh se vizitat mund të jenë më të shumta dhe në kryeqytetin e Shqipërisë.

E çiltër, ta bën bisedën të lehtë, me një buzëqeshje që nuk i ndahet. Rrëfimi i prek momentet më të vështira të jetës, humbjen e njerëzve më të afërt. Herë-herë zëri nis t’i dridhet, sytë t’i përloten lehtë. Shpejt, sidoqoftë, fytyra i rimerr pamjen e kurajshme.

Kur’ani, Profeti, udhëtimet e njeriut në dy realitetet e ekzistencës, i bashkëshoqërojnë ligjërimin. Nuk është grua që ulërin për dy shpirtrat e dashur rrëmbyer nga duar vrasësish; flet arsyeshëm, me fjalët si një ujëvarë…

Erolli, bashkëshorti, dhe Abdullah Tajjipi, i biri gjashtëmbëdhjetëvjeçar, u shembën të pajetë atë 15 korrik të dy viteve të shkuara prej plumbave të puçistëve, në një mbrëmje që kishte nisur krejt ndryshe. Këtu zë fill biseda…

Një njeri i afërt me presidentin Erdogan prej shumë e shumë vitesh, Eroll Ollçoku (Erol Olçok) njihej si ideues i fushatave elektorale të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim, AKP-së. Ishte aq i afërt me të, sa mund t’i vinte në pah gabimin, mund t’i thoshte “jo” për diçka.

Njeri me zemër e mendje të madhe, rrëfen zonja Nihal për të shoqin. Në do duhej të zgjidhte, vijon ajo, Erdogani ishte para nesh për të ndjerin.

Kërkoj të di arsyen. Ishte çerkez, sqaron. Çerkezi jep fjalën, është i besës, ngjan me shqiptarin.

Ideali i Erollit ishte Turqia e re, thekson, e aftë për t’u dëgjuar në botë, një mbrojtëse e të pambrojturve, e muslimanëve, shpesh të gjendur të shigjetuar.

Nihali tregon se mbrëmjen e 15 korrikut nuk e ka besuar fillimisht se mund të ndodhte diçka e tillë si një grusht shteti. Jo më të mendonte se atë natë do të humbiste bashkëshortin dhe të birin. Gjërat nisën të bëheshin serioze për të kur dy djemtë e vegjël do të ktheheshin në shtëpi, dhe ajo do të porositej të qëndronte me ta teksa iu tha nga i biri i madh se situata nuk ishte e mirë jashtë.

Ndalet dhe bën të ditur pengun e vetëm të asaj nate. Ta kisha ditur se nuk do t’i shihja më burrin e djalin, thotë përmallueshëm, do të zbrisja nga kati i gjashtë ku banonim jo nga shkallët, as me ashensor, por do kërceja që nga atje lart, mjaft t’i përqafoja edhe një herë.

“Të kam lënë amanet te Allahu,” i ka shkruar të shoqit në një mesazh telefonik, sikur ta ndiente se ai nuk ishte më i saj, se atë natë do të ikte…

Më pas, errësirë… Telefoni nuk do të përgjigjej më, as i djalit. Rruga e bërë gjer në spital me makinë në krah të kundërt… Më në fund, siç na rrëfen, Nihali përballet me të vërtetën: i ka humbur bashkëshortin dhe djalin, të vrarë pabesisht nga puçistë.

Për asnjë çast nuk zë në gojë fjalën gylenistë apo FETO, sepse ka zgjedhur diçka më të rëndë për ta. Erolli gaboi, shpjegon. Ngaqë doli në rrugë me fjalën si armë të tij, duke besuar se fjala është më e fortë se plumbi. Mendonte se fjala do të bënte punë, por harroi se përballë kishte egërsira. Ata nuk ishin njerëz, ishin egërsira!

Mos i pandehni të vdekur, ngushëllon veten me një thënie kur’anore bashkëbiseduesja për humbjen e dy familjarëve. E kemi dhënë shehid Erollin që në 2002-shin, njeriun model të familjes sonë, janë fjalët e zonjës Nihal, duke iu referuar rrugëtimit të tij krah AKP-së.

Vetë ajo ka vuajtur së tepërmi, aq sa për katër muaj pas vdekjes së tyre nuk ka mundur të dalë nga shtëpia. Për t’u shkundur më pas, me t’u kujtuar se ka dhe dy fëmijë të tjerë, apo, ndryshe, siç i pëlqen t’i quajë, dhe dy provime.

Zoti më bëri një dhuratë, më thotë nga ana tjetër e tavolinës, të quhem nëna e dëshmorit dhe gruaja e dëshmorit. Një kompliment vërtet, shton, e po aq një peshë e rëndë. Aq e dhënë është pas kauzës së tyre, pas gjakut të tyre, sa ka nisur të marrë formim juridik, për ta patur të mundur ta veshë vetë petkun e juristes e t’i mbrojë ata në çdo gjykatë ndërkombëtare.

Logjikshëm më vjen në mendje një pyetje, nisur nga pretendime njerëzish pa turp, edhe ndër ne, se përpjekja për grusht shteti ishte e stisur nga Erdogani. Ç’mund t’u thotë këtyre njerëzve një grua e tillë, një nënë e djegur?

Përgjigjja është e troçtë, sfiduese, dalë nga zemra: “Ejani te varri i tim biri dhe shihni se ç’ishte ai grusht shteti!”

Po Erdogani, nxitoj t’i bëj një tjetër pyetje, ç’është për ju, si njeri?

“Baba,” përgjigjet pa mëdyshje zonja Nihal. “Rexhep Tajjip Erdogani u bëri thirrje njerëzve të dalin në rrugë atë natë puçi, dhe ata dolën, jo vetëm në Turqi, sepse babai foli…” “E dua me tërë zemrën si baba!”

Biseda i afrohet fundit, teksa nuk mungon dhe një pyetje, meqë pak ditë na ndajnë nga 24 qershori, dita e zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare në Turqi. Po zgjedhjet, do t’i fitojë Erdogani?

Pa dyshim, më dëgjojnë aty për aty veshët. Nuk mund të ndodhë ndryshe, nuk ka si të ndodhë ndryshe, buzëqesh tek flet mikja nga Stambolli. E bindur për fitoren e Erdoganit!

Vetë pohon se i është kërkuar të kandidojë për AKP-në, por nuk ka pranuar. I pëlqen të qëndrojë kështu siç është, të përpiqet kështu…

Fjalët reshtin, rrëfimi mbaron këtu… Një përshëndetje, një ftesë…

Përjetimi mbetet. Ke lënë pas një grua që e ka provuar në shtëpinë e vet djegien e zjarrit të 15 korrikut 2016, të ndezur nga egërsira, siç thotë ajo. Ke lënë pas një heroinë, së cilës i janë shembur muret e kështjellës së saj, por ende qëndron në këmbë.

Duhet ta takosh atë për të kuptuar se ç’ishte ai grusht shteti, duhet të flasësh me të për të kuptuar se kush qenë puçistët, duhet ta dëgjosh atë për t’u bindur se Turqisë i duhet fitorja e Erdoganit më 24 qershor! /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit