7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nifasi

Më të lexuarat

Nifas gjuhësisht do të thotë lindje, kurse në terminologjinë e fikut nifasi apo lehonia është gjaku që rrjedh nga mitra për shkak të lindjes, prej momentit të lindjes ose dy apo tri ditë para saj me dhimbje (të lindjes), edhe nëse lindja është e dështuar (abortuar) apo e parakohshme.

Fillimi dhe përfundimi i periudhës së nifasit (lehonisë)

Më lart sqaruam se gjaku që fillon të rrjedhë nga femra pas lindjes konsiderohet se është gjak i lehonisë dhe këtu fillon periudha e lehonisë. Gjithashtu, nëse femra ka pasur gjakderdhje edhe para lindjes për një apo dy ditë, edhe ai konsiderohet gjak i lehonisë, por kushtëzohet që të jetë i shoqëruar nga dhimbjet (e lindjes). Por nëse ajo para lindjes për një apo më shumë ditë ka gjakderdhje, por pa dhimbje, atëherë ky gjak llogaritet si gjak i istihades.
Kurse sa i përket periudhës së përfundimit, te ulematë ka disa thënie.

Së pari: Periudha më e shkurtër e nifasit

Te tre imamët, Maliku, Shafiu dhe Ahmedi, thuhet se nuk ka përcaktim rreth periudhës më të shkurtër të lehonisë. Kështu qëndron edhe te hanefitë[1], ndonëse nga Ebu Hanifja transmetohet të ketë thënë se koha më e shkurtër mund të jetë 25 ditë.
Me këtë që u tha mund të konstatojmë se koha e përfundimit të menstruacionit bëhet me ndërprerjen e gjakderdhjes, pa marrë parasysh nëse kjo ndodh pas lindjes menjëherë apo pas disa ditëve.

Së dyti: Periudha më e gjatë

Kurse koha më e gjatë e lehonisë është dyzet ditë te hanefitë dhe te hanbelitë dhe Tirmidhiu e përcjell këtë nga Shafiu. Ata kanë argumentuar me thënien e Umi Selemes: “Gratë lehonë në kohën e të Dërguarit rrinin dyzet ditë dhe net.[2]
Malikitë dhe shafitë e shohin se periudha e nifasit zgjat gjashtëdhjetë ditë, por më i qëndrueshëm është mendimi i parë.

Ndërprerja e gjakut brenda periudhës së hajzit apo nifasit

Për dijetarët e medhhebit hanefi dhe shafi, nëse gruas brenda periudhës së hajzit apo nifasit i ndërpritet gjaku, atëherë kjo nuk llogaritet pastrim. P.sh., nëse femra i ka të përmuajshmet shtatë ditë dhe ajo në ditën e parë, të dytë dhe të tretë sheh gjak, kurse në ditën e katërt i ndërpritet, pastaj pas një dite apo dy prapë i kthehet, atëherë ajo fazë për të llogaritet hajz dhe nuk pastrohet dhe falet. Gjithashtu, edhe femra lehonë, nëse i ndërpritet gjaku, p.sh. në ditën e dhjetë pas lindjes dhe pas tre-katër ditësh i kthehet prapë, atëherë ajo periudhën kur është ndërprerë gjaku e llogarit nifas, edhe pse nuk ka pasur gjak.
Kurse për hanbelitë dhe malikitë koha e ndërprerjes së gjakut në mes të periudhës llogaritet pastrim dhe nga ajo kërkohet që, kur t’i ndërpritet gjaku, të pastrohet dhe të fillojë namazin, pastaj, nëse i rikthehet, atëherë ajo e ndërpret atë prapë.
Mendimi më i sigurt në këtë është mesatarja e këtyre dy mendimeve, se nëse ndërprerja nuk është e gjatë sa një ditë dhe një natë, atëherë ajo duhet të presë dhe ta konsiderojë ata periudhë të hajzit dhe të nifasit, edhe nëse nuk sheh gjak, por nëse ndërprerja është më e gjatë se një ditë dhe një natë, atëherë më e sigurt është të pastrohet dhe të fillojë faljen. Allahu e di më së miri!
Përgatiti: Alaudin Abazi
28.12.2007

[1] “Fikhu Hanefi”, f. 187.

[2] Shënon; Ahmedi, Ebu Davudi, Ibën Maxheh, Bejhikiu, Darkutniu dhe Hakimi, i cili thotë  se zinxhiri i tij është i saktë, megjithëse disa nga muhadithinët kanë folur rreth këtij zinxhiri transmetuesish, por ai përforcohet me disa hadithe të tjera, që e përcaktojnë periudhën në ِdyzetë ditë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit