6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ngjarja e Pogradecit/ Vrau burrin më pas helmoi veten, flet kunati: Ja si i gjeta të vdekur në kasolle

Më të lexuarat

I tronditur nga ngjarja e rëndë, Aurest Torra ka treguar momentin kur ai është njoftuar nëpërmjet një mesazhi nga i vëllai, Erzeni, që të shkonte ta merrte te tokat e tyre. Edhe pse ka shkuar atje (rreth 2 orë larg banesës), nuk e ka gjetur.

Pasi është kthyer në banesën e përbashkët, ai ka gjetur vetëm foshnjën 9 ­muajshe në gjumë. I vëllai dhe e shoqja nuk ndodheshin në shtëpi, ndonëse ora shënonte rreth 23:00, ndaj ka nisur t’i kërkonte në oborr e më pas te kasollja. Aty ai është përballur me trupat e pajetë të të vëllait e gruas së tij.

Si e zbuluat ngjarjen, ku vëllai juaj dhe bashkëshortja e tij kishin ndërruar jetë?

Kisha dalë dje (e premte) në fshat me disa shokë dhe sapo iu afrova shtëpisë, rreth orës 18:10, më erdhi një mesazh në telefon nga numri i Erzenit: “Hajde na merr te toka”, më shkruante dhe unë u nisa menjëherë. Tokën e kemi rreth dy orë larg, ndaj sapo lexova mesazhin u nisa direkt. Kur arrita atje, nuk i gjeta dhe mendova që mund të ishim  shkëmbyer rrugës. As e mendova që mund të kishte ndodhur diçka e tillë. Shkova menjëherë në shtëpi dhe nisa t’i kërkoj. Nipi im që është 9 muajsh ishte në krevatin e tij në gjumë. Ndërsa ata dhe mbesa 3 vjeçe, nuk ishin në shtëpi.

Ku ndodheshin trupat e pajetë të tyre?

Dola jashtë dhe nisa t’i kërkoj. U thirra në emër dhe po shikoja sa andej­ këtej. Ishte errësirë dhe shkova të kontrolloj një herë te hauri i lopës. Sa hapa derën, u tmerrova. Pashë tim vëlla të mbuluar në gjak dhe pak më tej ishte edhe nusja e tij e pajetë. Ishte diçka që më shokoi, nuk po u besoja syve. Iu afrova tim vëllai, por e pashë që ai nuk kishte shenja jete. Fillimisht mendova se mos kunata ime kishte humbur ndjenjat, por kuptova që edhe ajo ishte e vdekur.

Po vajza 3 vjeçe, ku ndodhej?

Dola jashtë, kërkova ndihmë te komshinjtë si fillim dhe lajmëruam policinë. Në atë kohë mora vesh që vajza ishte te komshinjtë. E kishte lënë kunata ime, Fatbardha, atje.

Pse mendoni se ka ndodhur ngjarja? Kishin konflikte në çift ata?

Jo, shkonin shumë mirë me njëri­tjetrin. Unë jetoja me ta sepse prindërit kanë shkuar me lotari në Amerikë. Nuk kishim probleme. Si çdo çift ndodhte që të mos ishin dakord për diçka, por asgjë që të çonte deri në një ngjarje të tillë.

Po nga ana ekonomike kishit vështirësi?

Jo, përkundrazi. Vërtet ky është një fshat i varfër, por Erzeni kishte traktorin dhe punonte shumë. Kjo na sillte të ardhura, ndërsa kunata ime merrej me punët e shtëpisë, kujdesej për fëmijët dhe kur kishte punë te toka jonë ndihmonte me sa mundej.

A mendoni se kjo ngjarje mund të ketë autor dikë tjetër?

Jo, nuk kemi pasur asnjë konflikt me askënd dhe nuk mendoj se mund të ketë autorë të tjerë. E theksoj se ne si familje kemi shkuar mirë me të gjithë dhe asnjëherë nuk kemi pasur probleme me ndokënd. Nuk di se çfarë mund të ketë ndodhur mes tyre, nuk gjej dot një shkak. /Panorama.al Etleva Delia

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit