8.1 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ngatërresa trashanike e Ngjelës me Gurrajt: ja si pasqyrohet tek “Ushtari i mirë Shvejk”

Më të lexuarat

Ai nuk është njeri dosido. Ka bërë burg politik dhe njihet si avokat me emër. Ndonëse nuk ka patur ndonjë shkëlqim as si politikan e as si avokat, ende mbahet në protagonizmin publik falë një përfillje të disa mediave karshi tij.

E ka ëndërruar fort të qënit në dy qeveritë e Rilindjes, më saktë si ministër Drejtësie, por Rama nuk e ka vënë në hesap. Ndaj, për momentin shfrytëzon facebook-un për të qenë prezent në “tregun e ideve”, që në fakt nuk janë aspak të tilla. Provë e freskët e kësaj për avokat Ngjelën ka qenë statusi më i fundit, një mitralim verbal që i ka bërë Myftiut të Tiranës Ylli Gurra, duke e ngatërruar me një tjetër person, po me këtë mbiemër. Nuk ka kërkuar ndjesë dhe vështirë të besohet që do e bëjë. Jo aq se i ulet hunda ndaj një kleriku musliman, gjë që në fakt me maksvelizmin dhe eduartndocizmin e tij kurrë nuk do ja uronte vetes; porse ngatërresa ka qenë aq e trashë sa rrezik të qeshë trishtueshëm dhe me veten. Ndaj meriton të trajtohet vetëm me nota humori. Por nëse për një çast do merrej seriozisht, ka arsye vërtet serioze për t’u shqetësuar. Një njeri që aspiron të jetë shtetar dhe që e promovon veten për të tillë, nuk mundet të godasë me aq një lehtësi profane një figurë publike me peshë siç është Myftiu i kryeqytetit.

Por më mirë le të merret me të qeshur gjithë çfarë ka nxjerrë dje nga nervoziteti i tij kinse intelektual.

Nëse avokati e ka lexuar ndonjëherë Shvejkun, patjetër që do i jetë dukur vetja si personazh i kësaj kryevepre të humorit me brilant në letërsinë botërore.

Ne shkëputëm nga Shvejku pikërisht disa pasazhe, brenda së cilave ju mund të takoni Ngjelën në vërsuljen trashanike ndaj Myftiut Ylli Gurra duke ia numëruar dhe nenet përkatëse që e rrasnin në burg. Dhe e gjitha kjo për shkak se nuk ka mundur të verifikojë se për cilin Gurrë është fjala.

 

Rrëfimet e Shvejkut në burg, në lidhje me gabimet e njeriut

Çdo njeriu mund të gabojë….edhe mjekët e gjykatave janë njerëz, dhe njerëzit mund ta gabojnë. Tamam kështu më ndodhi njëherë në “Nusle”, pranë urës së Botiçit: ndërsa po kthehesha nga restoranti “Banzet”, m’u afrua një zotëri, më qëlloi në kokë me një dru dhe, kur po qëndroja ashtu i shtrirë përdhe, më ndriçoi fytyrën dhe tha: “Gabim, ky s’qenka ai” dhe u zemërua aq shumë se qe gabuar, sa më hoqi dhe një tjetër pas kurrizit. Kjo është krejt e natyrshme dhe njerëzore, se njeriu, gjersa është gjallë, gabon gjithnjë.

Po ju tregoj dhe një rast tjetër se si u gabua një tornitor, që banonte në pallatin tonë. Ai, me çelësin e vet, hapi derën e manastirit të vogël të Podolit, se pandehu se hapi shtëpinë e vet. U zhvesh në sakresti, duke kujtuar se ndodhej në kuzhinën e shtëpisë, dhe u shtri mbi altar, duke kujtuar se ishte shtrati i vet. Pastaj hodhi përsipër mbulesën e altarit, ku ishin shkruar disa fraza te nxjerra nga librat e shenjtë. Dhe, që t’i rrinte koka sa më lart, vuri nën të Ungjillin dhe disa libra të shenjtë. Në mëngjes e zgjoi shërbëtori i kishës, dhe ai, fare i qetë, i tha se kishte gabuar. Gabim i bukur besa! – i tha shërbëtori. – Për një gabim si ky jemi të shtrënguar ta bekojmë sërishmi kishën. Kur doli tornitori para mjekëve të gjykatës, ata panë se ai ishte krejt në rregull dhe se s’ishte as budalla dhe as i dehur, se, po të kishte qenë i dehur, s’do mund të gjente dot birën e çelësit të kishës. Pasa ca kohe ky tornitor vdiq në burgun e Pankracit.

Po ju tregoj gjithashtu një shembull tjetër si gaboi njëherë në Kladno një qen policie, qeni i mareshallit Rotër. Mareshalli Rotër i rriste vetë këta qen dhe bënte eksperimente, duke ndjekur vagabondët dhe lypësit. Kështu, brenda një kohe të shkurtër të gjithë vagabondët dhe lypësit zunë t’i shmangeshin qarkut të Kladnos. Atëherë mareshalli u dha urdhër policëve që t’i sillnin patjetër ndonjë njeri të dyshimtë. Një ditë prej ditësh i sollën një njeri të veshur mjaft mirë, të cilin e kishin gjetur në një pyll, të ulur mbi një trung. Marreshalli urdhëroi t’i prisnin një copë nga palltoja. Copën e prerë ua dha për ta nuhatur qenve të policisë dhe atë njeriun e shpunë në një fabrikë tullash jashtë qytetit. Në gjurmët e tij këshuan qentë e stërvitur. Këta e zbuluan dhe e sollën sërish te mareshalli. Pastaj, këtë njeri e shtrënguan të hipte mbi një shkallë, e cila të shpinte në një tavan. Më pas e shtrënguan të hidhej nëpër mur, të futej në një hurdhë dhe pas kësaj i lëshuan qentë. Së fundi i mor vesh se ky njeriu ishte një deputet radikal çek, që kishte vajtur në pyll për piknik, pasi ishte mërzitur nga punët e shumta në parlament. Ja pse them që njerëzit gabojnë, gabon i urti dhe i marri, i padituri dhe budallai. Edhe ministrat gabojnë.

Marrë nga “Ushtari mirë Shvejk”, vëll.1 , fq. 38, 39,40 

Përgatiti Ermir Hoxha – /tesheshi.com/                      

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit