8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

“Ngarkesat religjioze” lënë pa status diplomati Amir Ahmetin

Më të lexuarat

Prishtinë, 27 prill – Amir Ahmeti është i vetmi nga kandidatët për ambasador që s’do ta marrë dekretin e presidentes Atifete Jahjaga. Pengesë i janë bërë “ngarkesat religjioze”, shkruan sot “Koha Ditore”.

Burime të gazetës kanë thënë të enjten se në heshtje po i bëhet refuzimi Ahmetit, i propozuar nga ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj. Derisa për të është kështu, për kandidatin tjetër për ambasador, ish-ministrin Ahmet Shala, dekreti pritet të shpallet shumë shpejt. Por ai nuk do të delegohet në vendin që priste.

“Ngarkesat e tij (Amir Ahmeti v.j.) religjioze, veçanërisht ato që janë shprehur publikisht vitin e shkuar për lëndën fetare dhe për bartjen e shamive, kanë rritur presionin e brendshëm që presidentja të mos e emërojë për ambasador. Në cilësinë e deputetit, Ahmeti përdorte kërcënimin për të realizuar agjenda religjioze”, ka thënë burimi i gazetës. “Për Ahmet Shalën është vendosur të emërohet ambasador në Japoni dhe shpallja do të bëhet shumë shpejt”.

Amir Ahmeti është deputet i Partisë së Drejtësisë, një subjekt i vogël politik që është pjesë e koalicionit qeveritar. Midis vendeve arabe që ishin përmendur për ta përfaqësuar ai vendin ishin: Katari, Emiratet e Bashkuara dhe së fundi Arabia Saudite.

Por një ditë më parë është paraqitur në dëgjim para Komisionit parlamentar për punë të jashtme një kandidat tjetër për të shkuar në Arabinë Saudite. Është ai Rexhep Boja. Ky aktualisht është ambasador në detyrë në këtë vend.

Ahmeti është vetë anëtar i Komisionit parlamentar ku dëgjohen kandidatët për ambasadorë dhe nga ky i propozohen presidentit të Republikës për emërim. Burime të gazetës kanë treguar se Ahmeti nuk ishte në mbledhjen e thirrur për dëgjimin e Bojës. Kjo, ndonëse e kishte konfirmuar pjesëmarrjen.

Këtë njeri e do për ambasador Behgjet Pacolli, aleati kryesor i kryeministrit Hashim Thaçi në koalicionin qeveritar.

“Ahmeti është një njeri i mirë dhe profesional. Kam rastin të punoj me të. Madje e kam propozuar si ambasador në një vend arab”, pati thënë Pacolli. “Kosova ka nevojë për këtë”.

Gazeta nuk ka mundur gjatë së mërkurës dhe së enjtes të marrë një qëndrim të deputetit Ahmeti në lidhje me zhvillimet rreth emërimit të tij.

Zyrtarisht nuk kanë folur as në Presidencë dhe në Ministrinë e Punëve të Jashtme. Kjo për shkak që procesi i emërimit të ambasadorëve, bazuar në ligj, duhet të rrjedhë në konfidencë.

Por një burim në Qeveri i ka thënë gazetës se nuk është krejt e përfunduar çështja e tij.

Presidentja Atifete Jahjaga ka publikuar një ditë më parë emërimin e tre ambasadorëve. Takimet përcjellëse i ka organizuar për ambasadoren fuqiplotë të Kosovës në Slloveni, Mimoza Ahmetaj, për atë në Bullgari, Shpend Kallaba, dhe për ambasadorin në Maqedoni, Ylber Hysa. Hysa është ambasadori i parë i Kosovës në Shkup, pasi deri tash përfaqësia diplomatike ishte në nivel të të ngarkuarit me punë.

Më përpara presidentja Jahjaga ka emëruar edhe Sylejman Selimin për ambasador në Shqipëri dhe Akan Ismailin për ambasador në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (më gjerësisht në Kohën Ditore”).kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit