6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Ngacmimet e fshehta seksuale në FSK

Më të lexuarat

“Çfarë ndodhë këtu, mbetet këtu”, është sllogani që tërheq miliona turistë çdo vit për në “qytetin e mëkatit”, siç njihet ndryshe Las Vegas.

Rrëfimet nga qyteti i largët amerikan për seksin duket se lidhen në një pikë me ushtrinë e ardhshme të Kosovës dhe jetën brenda kazermave.

206 ushtaret e Forcës së Sigurisë së Kosovës kanë treguar se nuk e kanë aspak të lehtë të mbajnë uniformën përkrah burrave në shtetin më të ri në Evropë.

Ato ngacmohen seksualisht në vendin e tyre të punës.

“Pavarësisht se për ngacmimin seksual janë deklaruar një numër i vogël i femrave rreth 5 për qind e të anketuarave mbetet shqetësim sepse ato deklarojnë se ka raste të ngacmimeve në vendin e punës por këto raste mbesin brenda njësisë dhe nuk ka raste që është ndëshkuar nga veprimet e tilla”, është gjetur në hulumtimin e Njësisë për të Drejtat e Njeriut, “Pozita e femrës – pjesetare në Forcën e sigurisë së Kosovës”, të cilin e posedon Gazeta Fjala.

Në Ministrinë e FSK-së, thonë se asnjë rast nuk është paraqitur me shkrim tek organet e kësaj force për ngacmim seksual apo diskriminim.

Për psikologët pasojat për gratë që bien pre e këtyre ngacmimeve janë më të mëdha në aspektin psikologjik dhe social.

Që nga përformanca në punë, pengesa në zhvillimi personal, probleme dhe pengesa në zhvillimin familjarë mund të shfaqen për shkak të perceptimit shoqëror si dhe mungesa e guximit për të diskutuar dhe denoncuar këto raste.

Ushtaret e FSK-së kanë frikë të flasin

Gazeta Fjala, ka gjetur në hulumtimin e Njësisë për të Drejtat e Njeriut të FSK-së se pjestaret e kësaj force kanë frikë të flasin për rastet për arsye të ndryshme.

Një nga më kryesoret del të jetë se ato nuk kanë shpresë që dikush do të merret seriozisht me trajtimin e tyre dhe tëmarr masa ndaj ngacmuesve.

“…ka raste të ngacmimeve në vendin e punës por këto raste mbesin brenda njësisë”, thuhet në hulumtim.

Në MFSK-së tregojnë se është në fuqi Rregullorja 02/ 2015 për Shqyrtimin dhe Zgjidhjen e Ankesave për Pjesëtarët e FSK-së, e cila sqaron dhe garanton të drejtat e secilit pjestarë.

Megjithatë, del se asnjë nuk e ka shfrytëzuar këtë rregullore për të denoncuar ngacmimet seksuale.

“Deri me tani në MFSK dhe FSK nuk kemi pasur ndonjë rast (ankesë) me shkrim për ngacmimin seksual apo raste të diskriminimit të cilat iu kanë drejtuar Njësisë për të Drejtat e Njeriut në çfarë do forme ( gojarisht ose me shkrim) apo departamenteve të lartpërmendura në MFSK”, thonë në MFSK.

Studimet tregojnë se gati çdo e treta femër dhe çdo i dhjeti mashkull gjatë karrierës profesionale përjeton në një apo formën tjetër ngacmim seksuale në vendin e punës.

Pasojat e ngacmimeve seksuale

Psikologu Adem Shala, shpjegon se perceptimi lidhur me atë se çka përbën ngacmim seksual nuk është i njëjtë për të gjitha shoqëritë.

“Kjo varet nga konteksti kulturorë në të cilin ndodhet shoqëria, aspekti socio-kulturor, perceptimit shoqërorë për seksualitetin. Gjithashtu, kjo varet nga prania e paragjykimeve dhe stereotipeve, si dhe nga aspekti edukativ dhe socio-ekonomik i shoqërisë”, thotë ai.

Sipas Shalës ngacmimi seksual është një formë e qartë e diskriminimit gjinorë.

Në raste kur ndodh ngacmimi ai tregon se më shumë së sa perceptimi dhe aspekti social i vështrimit të kësaj dukurie pasojat janë më të mëdha në aspektin psikologjik dhe social.

“Pasojat mund të jenë që nga përformanca në punë, pengesa në zhvillimi personal, probleme dhe pengesa nëzhvillimin familjarë për shkak tëperceptimit shoqëror si dhe mungesa e guximit për të diskutuar dhe denoncuar këto raste”.

Të gjitha këto vështirësi mund të prodhojnë edhe kriza të shëndetit psikologjik që për pasoj mund të lindin çrregullim psikologjike të cilat mund të kenë pasoja të mëdha nëmarrëdhëniet familjare dhe mirëqenien e fëmijëve pasardhës.

Edhe sociologu, Ferdi Kamberi ngrit shqetësimin për prezencën e ngacmimit seksual në institucionet e Kosovës dhe mosgatishmërinë për t’i raportuar ato.

“Sa i përket raportimi, në Kosovë, shihet se raportimet rreth ngacmimit seksual janë të pakëta, gjë që tregon se kemi të bëjmë me disa faktorë: e para, shpeshherë ngacmimi seksual shihet si i parëndësishëm andaj edhe nuk raportohet, ndodhë që për shkak të mos humbjes së vendit të punës mos të raportohet, ndonjëherë edhe nuk nënkuptohet ngacmimi seksual, kjo për shkak se në momentin që fillohet të flitet për temat e seksit sipas studimeve gjinore ajo nënkupton ngacmimin seksual”.

Sipas Kamberit, shkaqet e ngacmimit seksual mund të jenë të shumta, disa nga to: tonet seksiste në mjediset sociale, portretizimi i femrës si objekt i shfrytëzimit seksual sidomos në media, dominimi i njërës apo tjetrës gjini, por edhe rrethana të tjera të cilat mund të krijohen në kuadër të ambienteve të punës.

E pasojat e ngacmimit seksual janë të shumta, si: dezorganizimi i jetës, stres, depresion, probleme shëndetësore, dezintegrim social, hermetizim në vete, linçim publik, presion, divorce, shpërfaqje konflikteve e deri tek largimi nga puna.

Ngacmimet zbehin imazhin e institucioneve

Sipas sociologut fenomeni i ngacmimit seksual është i pranishëm në të gjitha segmentet e jetës si në institucionet publike, po ashtu edhe në ato private, në organizata të huaja, ato vendore, e në vendet publike.

Ndërkaq, ngacmimet seksuale në vendet e punës paraqesin një imazh jo të mirë të atij institucioni.

“Në SHBA shumë organizata dhe korporata jo vetëm që zbehin imazhin si rezultat i prezencës së këtj fenomeni, por edhe kanë kosto të mëdha si rezultat i marketingut jo të mirë (pra një imazhi të tillë), si dhe nga proceset gjyqësore”.

Kjo, sipas Kamberit do të thotë se institucioni i punës qoftë publik ose privat duhet të ketë kodin e tij etik, në mënyrë që të respektohet dhe çdo shkelje e tij nënkupton një sanksionim konform legjislacionit në fuqi.

“Ideja është se si mund të ulet ky fenomen, andaj në këtë rast duhet që institucionet të krijojnë mekanizma ligjor ekskluzivisht për këtë fenomen, sepse ky fenomen trajtohet në legjislacionin kosovar por jo në mënyrë decidive”.

Po ashtu, thotë se e rëndësishme është që të krijohet një vetëdijesim mbi raportimin e këtij fenomeni, sepse vetëm ashtu do të ndikonte që numri i ngacmimeve të ulët. Element tjetër i rëndësishëm është edhe trajtimi i këtij fenomeni nga ana e mediave si prore të globalizmit dhe ndikimit të tyre në shoqëri, përmes temave të ndryshme, raporteve, opinioneve, e të tjera.

Në anën tjetër, ai vlerëson se institucionet përgjegjëse me rastin e raportimeve duhet të jenë më të kujdesshme në marrjen e masave preventive e para që të mbrohen viktimat dhe e dyta që të zbatohen masat adekuate.

Si të raportohen rastet e ngacmimeve seksuale në FSK?

Ministria për Forcën e Sigurisë së Kosovës ka në fuqi Rregulloren 02/ 2015 për Shqyrtimin dhe Zgjidhjen e Ankesave për Pjesëtarët e FSK-së, e cila përcakton rregullat dhe procedurat për parashtrimin shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesave të parashtruara nga cilido pjesëtar i FSK-së, nëpërmjet një procesi të drejt dhe transparent.

Sipas kësaj rregulloreje secili pjesëtar i FSK-së, i cili mendon se është ngacmuar apo diskriminuar mund të parashtroj ankesë në lidhje me çështjet përkatëse dhe të ia drejtoj Oficerit Vendimmarrës dhe Inspektoratit të FSK-së.

Ankesat dorëzohen me shkrim dhe përmban Gradën, emrin, mbiemrin dhe funksionin e parashtruesit të ankesës; Gradën, emrin, mbiemrin dhe funksionin e Oficerit vendimmarrës të cilit i është drejtuar ankesa për ti dhënë zgjidhje; Gradën, emrin dhe mbiemrin e personit kundër të cilit është drejtuar ankesa; Përshkrimin e ngjarjes dhe arsyen e parashtrimit të ankesës; Dokumente, prova të cilat e mbështesin ose vërtetojnë deklarimin e ankuesit; Propozimin për rezultatin që ankuesi e pret nga zgjidhja e ankesës; Nënshkrimin e ankuesit dhe datën e parashtrimit të ankesës.

Nëse ankesa ka të bëje me, apo përfshinë Oficerin Vendimmarrës apo ka të bëjë edhe me mbikëqyrësin e oficerit vendimmarrës, E drejta në shqyrtimin dhe zgjidhjen e ankesës nuk e parandalon pjesëtarin e FSK-së nga e drejta e tij që ti drejtohet Bordit për shqyrtimin e ankesave në FSK. I cili bord është i emëruar me vendim të Ministrit të FSK.

Në raste të tilla, parashtruesi i ankesës mund të kërkojë edhe këshilla të paanshme në Zyrën Ligjore të Komandës së Forcave Tokësore dhe në Njësinë për të Drejtat e Njeriut në Ministrinë e FSK-së./Gazeta Fjala/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit