7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Nga Sezai KARAKOÇ: Universitetet dhe përgjegjësia

Më të lexuarat

Roli i universitetit në kuadër të jetës shoqërore dhe kombëtare lind nga funksionet shumëpërmasore të tij. Mund të themi se në sferën politike, ekonomike dhe sociale, shkak i ekzistencës së universitetit është një gjë praktike: përgatitja e kuadrove të nivelit të lartë, evaluimi i drejtpërdrejtë apo i tërthortë i avancimeve në sferën e shkencës, artit dhe teknologjisë, i veprave produktive; gjenerimi i orientimeve teorike për të ruajtur dhe ngritur nivelin ekzistues. Universitetet kanë edhe misionin e tyre etik: rrënjosjen e idesë së drejtësisë, bukurisë dhe mirësisë në shpirtin e brezave intelektualë. Një detyrë tjetër e universitetit është që atmosferën dhe mënyrën e jetesës që njihet si “mënyrë jetese universitar(ç)e” ta bëjë me ndikim në rrjedhat shoqërore, duke lënë gjurmë të thella në jetën shoqërore përgjatë historisë.

Nëse i kthejmë sytë nga historia, do shohim akademitë e Greqisë antike, komplekset e periudhës së artë të qytetërimit islam, siç është ai i Bagdadit, Harranit, medresetë e Kajros, komplekset e Fatihut dhe të Sulejmanijes nga periudha osmane, pra, institucione edukative dhe arsimore qytetërimndërtuese. Që nga periudha pas Rilindjes e deri më sot, edhe në botën perëndimore, universitetet kanë qenë faktori kryesor i ndërtimit dhe avancimit të shoqërisë. Lëvizja reformiste e Luterit ka filluar nga universitetet.

Në universitet, që është një arenë diskutimi e ideve të ndryshme, si rrjedhojë e lirisë së mendimit, përveç rrymave pozitive gjallërojnë edhe ato negative. Por, në shoqëritë e shëndosha, fuqia shkencore dhe morale e universitetit ia del të ngadhënjejë ndaj lëvizjeve destruktive.

Në kohën tonë, më tepër se në çdo shekull tjetër, lufta politike dhe kulturore mes shteteve dhe rrjeti i propagandës shtrihet edhe në universitete, në veçanti në periudhat e ndryshimeve kulturore dhe shoqërore, ku shkaktojnë deformime dhe shkatërrime të shumta.

Në shekullin tonë e kemi shumë të vështirë që të bëjmë dallimin mes shkencës dhe artit të vërtetë e të rremë. Kjo ngaqë tanimë ekziston edhe shkenca e prodhimit të artit dhe shkencës së rreme; madje pajisja propagandistike është në duart e këtyre shkencave, filozofive dhe doktrinave të rreme. Sot, pseudoshkenca, pseudofilozofia, pseudodoktrinat, si në qarqet universitare, si në ato intelektuale, me një mjeshtëri dhe me një ngulmim të paparë, pa u bezdisur, shfaqen çdo ditë në treg me një pamje të re dhe shumë tërheqëse. Në këtë drejtim, universitetet kanë një detyrë të rëndësishme: t’i përgatisin brezat e rinj që të mendojnë, të vlerësojnë, të masin, të krahasojnë dhe të mos mashtrohen më nga pilulat me yje.

Edhe te ne, në një periudhë ndryshimi kulturor që zgjat goxha, nuk mund të thuhet se universitetet kanë qëndruar imune karshi këtyre efekteve shkatërrimtare. Në periudhën e fundit të terrorit dhe anarkisë, universitetet tona janë kurbani i këtij ankthi, madje herë-herë janë shndërruar edhe në fajtorë të disa ngjarjeve të pahijshme.

Duke marrë mësim nga këto ngjarje të dhimbshme, në fazën e rindërtimit, risistemimit dhe rifunksionalizimit, universitetet duhet të sillen në mënyrë shumë të kujdesshme në çdo aspekt. Universitetet nuk duhet të harrojnë se çdo problem, njollë dhe ndryshk që vihet re në to ka një ndikim të madh në jetën e kombit. Për shoqërinë, universitetet janë institucione që duhet të jenë në shërbim të së vërtetës, të drejtësisë, të së bukurës dhe të së mirës; janë institucione që duhet të kontribuojnë për konsolidimin dhe ndërtimin e vendit, vatra të përgjegjësisë për përgatitjen e brezave dhe kuadrove idealistë. /tesheshi.com/

E përktheu nga turqishtja: Ali Pajaziti

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit