10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Nga Ray HANANIA: Çfarëdo qoftë besimi apo etniciteti i tij, vrasësi i Las Vegasit ishte një terrorist

Më të lexuarat

Sa herë që ka një akt dhune masive në Amerikë, si një amerikan arab që pjesa më e madhe e mendojnë të jetë musliman, unë dridhem nga frika.

Rrëqethem nga frika prej mundësisë që vrasësi të identifikohet si arab apo musliman, e që do të kaloj javë duke dhënë përgjigje o për sulmet mizore, o për pyetjet nga njerëz mosbesues që pyesin pse “populli im” e bëri këtë.

Por kur del që vrasësi nuk është arab apo musliman, një ndjenjë lehtësimi më pushton ndërsa mbulimi mediatik informativ zhvendoset nga nxitja e urrejtjes te ajo e dhembjes.

Një ndjenjë lehtësimi përhapet po ashtu anembanë Amerikës. Për një arsye, nëse një i bardhë vret njerëz, ne mund të jemi të qetë dhe nuk duhet të shqetësohemi, si  të mos kishte kërcënim më tej.

Por nëse vrasësit janë arabë ose muslimanë, forcat e armatosura të sigurisë nxitojnë për ta “mbrojtur” publikun në qytete anekënd Amerikës. Jepen paralajmërime për të qenë të vëmendshëm dhe vigjilentë. Arabët dhe muslimanët janë terroristë në sytë e shumë amerikanëve, por të bardhët me armë automatike nuk janë.

Mesazhi që duhet të përqafojë çdokush është i thjeshtë, por shpesh i harruar. Terrorizmi nuk ka fe. Nuk ka kombësi apo etnicitet. I vetmi emërues i përbashkët që i lidh vrasësit të cilën marrin jetë të pafajshme, siç bëri Stephen Paddock mbrëmjen e së dielës në Las Vegas, është ekstremizmi.

Muslimanët dhe arabët amerikanë po jetojnë që nga sulmet e 11 shtatorit me zemër në dorë nga frika se kanë për t’u fajësuar për akte dhune.

Media informative ka qenë me faj në nxitjen e kësaj frike, duke e përqendruar ndryshëm vëmendjen te dhuna, në varësi të faktit se cili është vrasësi. Nuk ka dyshim se kur vrasësi është arab apo musliman, dhe kanë qenë një sërë përgjatë viteve, tragjedia ngrihet në një nivel më të lartë me etiketimin e atypëratyshëm të “terrorizmit”. Ky etiketim shkakton ankth të përgjithshëm te amerikanët, e nxit një valë racizmi kundër arabëve dhe muslimanëve. Edhe nëse një terrorist është arab a musliman, çfarë ka të bëjë kjo me mua?

Paddock-u, 64-vjeçari që vrau më shumë se 58 njerëz në Las Vegas, ishte një amerikan i bardhë. Ai nuk ishte arab, dhe çfarëdo deklarimesh të rreme të jenë bërë nga DAESH-i, ai nuk ishte një musliman. Dhe me dijen se ai ishte një amerikan i bardhë, pa asnjë lidhje të njohur me organizata ekstremiste, papritur masakra nuk u klasifikua nga media informative, nga policia apo politikanë, si një akt terrorizmi, dhe vrasësi nuk u përshkrua si një terrorist. Në vend të kësaj, Paddock-u përshkrua menjëherë si njëgoditës “ujk i vetmuar”.

Dhe unë jam i lumtur me këtë? Jo, nuk jam! Pse bëjmë dallim edhe midis këtyre përkufizimeve? E vërteta është se vrasësi që e kreu këtë sulm të lemerishëm duhet përshkruar si terrorist, sepse pikërisht kështu është. Duhet të ndalojmë së përdoruri këtë dallim midis vrasësve “terroristë” dhe vrasësve “ujq të vetmuar”, e të fillojmë t’i identifikojmë këta vrasës me çka janë.

Ata janë ekstremistë. Etniciteti, feja apo kombësia e tyre nuk ka absolutisht lidhje me atë që bënë, edhe nëse pohuan një lidhje.

Unë e di se shumica e arabëve dhe muslimanëve në botë po u bashkohen amerikanëve në shprehjen e ngushëllimeve për viktimat e këtij akti të pakuptimtë dhune nga një ekstremist me një axhendë personale.

Nuk ka rëndësi çfarë besoi vrasësi. Ekstremizmi është një sëmundje, dhe ne duhet të bëjmë një punë më të mirë për identifikimin e ekstremizmit dhe mbrojtjen e moderacionit dhe të të moderuarve.

Gjëja tjetër që më shqetëson është se, ndërsa droja ime arrin kulmin pas këtyre akteve të dhunshme, duket se mjetet informative televizive mund të jetë duke e shijuar të gjithë këtë në një mënyrë makabre. Ato po sigurojnë shikueshmëri të madhe. Po ndërhyjnë pa frymë në programin e rregullt televiziv për të përcjellë përditësime minutë pas minute, herë-herë me informacion që është i pasaktë, i gabuar dhe shpërudhës.

Çfarë ngjau me gazetarinë e saktë në Amerikë? A u masakruan dhe lajmet televizive amerikane nga ekstremistët?

Përktheu: Bujar M. Hoxha – /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit