8.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nga kush i dizajnua identiteti modern shqiptarë? Si ndikoi Austro-Hungaria dhe Rusia?

Më të lexuarat

Në janar 1916 Shqipëria e Veriut dhe e Mesme deri në Vjosë u pushtua nga ushtria austro-hungareze, e cila Shkodrën e bëri qendër administrative ku u vendos komanda e korparmatës dhe administrata civile. Austrohungaria pushtuese e kishte caktuar si administrator të Shqipërisë diplomatin August Ritter von Kral. Me sygjerimin e tij tubohen në Shkodër disa nga agjentët kryesorë të paguar deri atëherë nga Perandoria Habsburge për propagandë kulturore dhe fetare në trojet shqiptare. Këta agjentë gjatë dekadave të mëhershme të sponsorimit austriak kishin arritur të bëheshin intelektualë me ndikim në rrjedhat kulturore përmes revistave dhe publikimeve tjera. Tani që 2/3 e Shqipërisë u pushtuan nga Austria, u thirrën ta zbatojnë projektin e ridefinimit kombëtar të shqiptarëve me mbështetje direkte politike dhe ushtarake

Procesi i shkrimit të historisë së Shqipërisë vazhdoi për vite me radhë edhe në diktaturën staliniste në Shqipëri. Për hartimin e vëllimit të dytë punuan 13 historianë dhe bashkëpunëtorë të vendit dhe të jashtëm. Maketi i historisë së Shqipërisë u diskutua edhe në Bashkimin Sovjetik dhe Bullgari, diskutim që u quajt shumë i dobishëm për historianët shqiptarë. Pati 50 diskutime nga rusët dhe 20 nga bullgarët. Në vëllimin e parë pati ndikim të veçantë Prof. A. F. Millor dhe diskutimet kryesore të historianëve sovjetikë. Përveç kësaj profesor Millor punoi gjatë dy muajve bashkë me redaksinë në Shqipëri në përgatitjen e atij vëllimi.Vrejtjet e bëra në Moskë e Sofie u morën parasysh edhe në ripunimin e vëllimit të dytë, i cili në formën përfundimtare pësoi ndryshime rrënjësore në krahasim me maketin.

SI U SHKRUA HISTORIA E SHQIPËRISË

Historia e planprogrameve për tekstet mësimore të shkollave në Shqipërinë e shkëputur nga Perandoria Osmane zë fill me themelimin e Ministrisë së Arsimit në dhjetor 1912 në krye të së cilës u caktua Luigj Gurakuqi. Por impakti i atij institucioni qe minimal sepse Qeveria e Vlorës nuk arrijti ta shtrijë pushtetin e saj përtej rrethinave të atij qyteti dhe u shua pas pak muajsh. Puna e ndërprerë e Ministrisë së L.Gurakuqit u gjallërua e mori hov të madh përmes Komisisë Letrare të themeluar në Shkodër me 1 shtator 1916. Në janar 1916 Shqipëria e Veriut dhe e Mesme deri në Vjosë u pushtua nga ushtria austro-hungareze, e cila Shkodrën e bëri qendër administrative ku u vendos komanda e korparmatës dhe administrata civile. Austrohungaria pushtuese e kishte caktuar si administrator të Shqipërisë diplomatin August Ritter von Kral. Me sygjerimin e tij tubohen në Shkodër disa nga agjentët kryesorë të paguar deri atëherë nga Perandoria Habsburge për propagandë kulturore dhe fetare në trojet shqiptare. Këta agjentë gjatë dekadave të mëhershme të sponsorimit austriak kishin arritur të bëheshin intelektualë me ndikim në rrjedhat kulturore përmes revistave dhe publikimeve tjera. Tani që 2/3 e Shqipërisë u pushtuan nga Austria, u thirrën ta zbatojnë projektin e ridefinimit kombëtar të shqiptarëve me mbështetje direkte politike dhe ushtarake. Në Komisinë Letrare u përfshinë Luigj Gurakuqi, Luigj Naraçi, Mati Logoreci, Sotir Peci, Ndue (Anton) Paluca, Gjergj Pekmezi, Hilë Mosi, Dom Ndre Mjeda, Atë Gjergj Fishta, Josif Haxhimima, Maksimilian Lamberc, Atë Ambroz Marlaskaj, Imzot Vincenc Prendushi, Aleksandër Xhuvani, Rajko Nachtigal, më vonë inkuadrohen edhe Sali Nivica dhe Hafiz Ali Korça.
Komisia Letrare Ishte institucion i themeluar me urdhër ushtarak dhe mbikëqyrej nga ushtria Austrohungare

Nga dokumentet e kohës merret vesh se roli i komandës austriake të pushtimit ishte vendimtar jo vetëm për kushtet që krijoi për mësimin e shqipes në shkollë dhe përdorimin e saj si gjuhë e administratës, po edhe për nxitjen e drejtpërdrejtë të intelektualëve shkodranë qëtë krijonin Komisinë. Këtu duhet pasur parasysh se në Shkodër në ato vite vepruan figura të shquara të jetës politike e kulturore të Austrisë, si konsulli i përgjithshëm August fon Kral, njohës i mirë i Shqipërisë; intendenti i përgjithshëm profesor Mariano San Nicolò, historian i së drejtës etj. Ishte pikërisht konsulli austriak ai që u sugjeroi më 1916 Luigj Gurakuqit, Ndre Mjedës, Mati Logorecit dhe Gjergj Fishtës të vendosnin “në lidhje me çështjen e përdorimit zyrtar të drejtshkrimit, si dhe për të nxitur botimin e teksteve shkollore në gjuhën shqipe”. Komisia u themelua me vendimin nr. 737, datë 30 korrik 1916, të komandës së lartë ushtarake austro-hungareze në Shqipëri. Kjo pohohet në statutin e saj, ku thuhet: “Mbas urdhnit të Komandës së Naltë në Shqipni po themelohet në Shkodër nji komisi letrare shqiptare”; për vetë statutin, në vendimet lexojmë se “Komisija pëlqen e pranon shtatutin e pregatitun prej mâ të Naltës Komandë në Shqipni…” Madje, edhe rregullat e ortografisë u miratuan nga komanda e lartë ushtarake me urdhrin e saj të 24 shkurtit 1917. Ky institucion pati aq jetë sa zgjati pushtimi austriak në Shqipëri. Kryetar i KLSH u caktua nga Komanda ushtarake austriake dr.Gjergj Pekmezi, i cili e kreu këtë detyrë nga data 24 shtator 1916 deri më 17 shtator 1917. Pastaj detyra e kryetarit iu ngarkua L.Gurakuqit. Por Gurakuqi, disa muaj më parë e pikërisht që nga 15 prilli i vitit 1917 me urdhër të komandës ushtarake kishte kryer detyrën e zv.kryetarit të Komisisë. Kur u emërua Gurakuqi kryetar, zëvendës i tij u bë Mati Logoreci. Në fillim të punës së Komisisë sekretar u zgjodh A.Marlaskaj , por u zëvendësua shpejt nga Luigj Naraçi.
Komisia mori përsipër hartimin e planprogrameve dhe teksteve shkollore shqipe


Në një nga nenet e statutit është caktuar se Komisia Letrare të merrej me hartim, miratim, qortim e publikim të librave shkollorë. Në procesverbalet janë shënuar në mënyrë të përmbledhur edhe disa nga veprimtaritë që janë zhvilluar për këtë qellim. Në mbledhjen e dt. 7. 12. 1917 në rendin e ditës ishte edhe krijimi i nënkomisioneve për vështrim të teksteve shkollore dhe botimin e tyre. Mënyra se si do të kryheshin ato, udhëzimet do t’i jepte Drejtoria e Përgjithshme e Arsimit. Anëtarët dhe përfaqësuesit e KLSH jo vetëm që ishin politikanë e burra shteti të dëgjuar, por ishin në radhë të parë qytetarë, mësues e drejtues arsimi në të gjitha nivelet. Disa prej tyre, si S. Peçi, Nd. Mjeda, H. Mosi, Gj. Pekmezi etj. ishin të njohur si autorë tekstesh. Prandaj edhe Komisia u mor disa herë me këtë problem, meqenëse librat shkollorë do të ndihmonin në zhvillimin e arsimit kombëtar (mbledhja e dt. 7 maj dhe 6 qershor 1917). Në mbledhjen e dt. 7 maj 1917 u raportua për përgatitjen e teksteve mësimore. S. Peçi njoftoi për përgatitjen e librit të aritmetikës, Nd. Paluca për librin e parë të këndimit, H. Mosi dhe L. Naraçi për librin e parë të shkollave qytetnore.
Edhe në mbledhjen e dt. 6. 6. 1917 do të diskutonin për këtë problem dhe më pas. ”Kështu që në fillim të vitit 1917, shkruan Sh. Osmani, krahas problemeve të tjera, dolën parësore edhe ato të teksteve. Autorë të njohur, si Gj. Fishta, A. Xhuvani, H. Mosi, S. Peci, Gasper Beltoja, Gasper Mikeli morën përsipër përgatitjen e grupit të teksteve që kishin të bënin kryesisht me ato lëndë që i jepnin fizionominë shkollës shqiptare”. Në statutin e ri, kur kryetar ishte L. Gurakuqi, shënohej se “ajo do të përkujdesej edhe për botimin e librave shkollorë”. Me fillimin e vitit 1918, anëtarët e Komisisë u morën përsëri me këtë çështje, duke e konsideruar si një problem të rëndësishëm që kishte lidhje me arsimimin e shpejtë të popullit tonë. Prandaj këtu u diskutua për hartimin, qortimin, shqyrtimin e librave shkollorë dhe u morën vendimet përkatëse, të cilat fatkeqësisht nuk janë shënuar në procesverbalet e mbledhjeve. Ky problem, që u shqyrtua, do të ketë jehonën edhe më vonë, mbasi disa nga vendimet e porositë e Komisisë Letrare do të kihen parasysh.
Si u sigurua jetëgjatësia e vendimeve të Komisisë ?

Pushtimi Austrohungar qe jetëshkurtër por efekti i tij mbeti deri në ditët tona. Në Shtetin e lirë shqiptar anëtarët e Komisisë Letrare u bënë drejtues të shtetit, ministra të arsimit dhe të dikastereve tjera shtetërore, hartues planprogramesh shkollore, autorë tekstesh mësimore, drejtorë shkollash dhe përcaktues të standardit zyrtar identitar të kombit shqiptar i cili po i nënshtrohej riformatimit. Le t’i përmendim disa.
Luigj Gurakuqi është tekstologu më i shquar shqiptar i fillimit të shekullit XX. Ai i dha shkollës shqipe, si autor e bashkautor, 8 tekste mësimore me një vëllim prej 738 faqesh. Personalitet i kulturës shqiptare, politikan i shquar, publicist me emër, shkrimtar i njohur, pedagog i vyer, gjuhëtar i zellshëm, tekstolog i zoti, u lind në Shkodër, më 19 shkurt 1879 dhe u vra në Bari, më 2 mars 1925. Studioi në kolegjin e Shën-Mitër të Koronës dhe më pas studimet universitare i kreu në Napoli. U shqua si aktivist i lëvizjes sonë patriotike për çlirim kombëtar, anëtar i shoqërisë “Bashkimi”(1899), delegat në Kongresin e Manastirit(1908) dhe nënkryetar i tij, sekretar i komisionit për hartimin e alfabetit të gjuhës shqipe në këtë tubim, drejtor i shkollës së parë normale në Elbasan(1909), ministër i Arsimit në Qeverinë e përkohshme të Vlorës, Drejtor i përgjithshëm i arsimit gjatë pushtimit austro-hungarez. Qe ndër themeluesit e Komisisë. Kur u mblodh ajo, L. Gurakuqi kishte botuar “Vargënimi n’gjuhë shqype me një fjalorth shqyp-frëngjisht n’marim” (Napoli, 1906), “Abetar i vogël shqyp mas abeve t’Bashkimit e t’Stambollit me tregime n’dy dialekte” Bukuresht (1906), “Fjalorth shqyp-frëngjisht e frëngjisht-shqyp i fjalëve të reja” (Napoli) etj.
At Gjergj Fishta Më 1911 mori nga Austro-Hungaria çmimin Ritter Kreuz, më 1925 nga papa Piu XI u dekorua me çmimin Al Merito. Qeveria greke ia dha medaljen prestigjioze Feniks. Urdhri françeskan e nderoi me titullin Lector jubilates honoris causae. Më 1939 u bë anëtar i rregullt i Akademisë Italianë të Shkencave dhe Arteve. Në vitet 1916-1918 botoi në Shkodër gazetën Posta e Shqypniës, një gazetë politike e kulturore e subvencionuar nga Austro-Hungaria në kuadër të Kultusprotektorat-it. Gjatë këtyre viteve, Fishta dha mësim dhe drejtoi shkollën françeskane në Shkodër, i cili nga viti 1921 u quajt Collegium Illyricum (Kolegji Ilirian) dhe i cili ishte bërë institucioni kryesor arsimor në Shqipërinë e veriut. Tani Fishta ishte edhe një figurë me autoritet në letërsinë shqiptare.
Në gusht të vitit 1919 Fishta qe sekretar i përgjithshëm i delegacionit shqiptar që mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris. Kryetari i delegacionit, Luigj Bumçi (1872-1945) kërkoi prej tij që në këtë cilësi, të merrte pjesë në një komision të posaçëm që do të dërgohej në ShBA për t’u kujdesur për interesat e Shqipërisë. Atje vizitoi Bostonin, Nju-Jorkun dhe Uashingtonin. Më 1921 Fishta përfaqësoi Shkodrën në parlamentin e Shqipërisë dhe po atë vit u zgjodh zëvendëskryetar i tij.
Hilë Mosi ishte ndër anëtarët e rëndësishëm të Komisisë Letrare i cili deri në fund të jetës mbajti pozita të rëndësishme në shtetin shqiptar, përfshirë atë të Ministrit të Arsimit. Ishte edhe deputet, prefekt, si Drejtor i Përgjithshëm i Sigurimit botues. Përfaqësoi vendlindjen e tij, Shkodrën, në Parlamentin Shqiptar nga viti 1920 ne 1924, dhe shërbeu gjithashtu si anëtar i delegacionit shqiptar në Lidhjen e Kombeve duke filluar nga nëntori, 1920. Senator i Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë nga 27 mars 1920 deri më 20 dhjetor 1920.[2]. Gjatë qeverisë së Fan S. Nolit, 1924, ai ishte Prefekt i Korcës dhe Gjirokastrës. Në 1927, Mosi u kthye ne Shqipëri pas amnistisë së dhënë nga Ahmet Zogu dhe u bë Ministër i Punëve Publike. Në vitin 1930 bëhet Ministër i Arsimit gjatë kohës së cilës qeveritë shqiptare shfaqnin prirjet për shtetëzimin e shkollave, politikë kjo e cila ra ndesh me françeskanët në Shkoder që mbronin liceun “Illyricum”. Postin si ministër e mbajti deri në vdekje, më 1933. Gjithnjë nxënës n’Austrí, bashkëveproi rregullisht n’ “Albania”-n e Konicës , gjithashtu edhe ndër të përkohëshmet e kohës si “Drita” e Sofíes, “Kombi” i Bostonit, “Albania” e Beogradit, “L’Albania” e Dervish Himës, “Shpnesa e Shqypnís” e Raguzës, “Diturija” e Lumo Skëndos, “Lirija e Selanikut”, “Vllaznija” e Vjenës, “Lidhja Orthodokse” e Korçës, “Shqiptari” i Stambollit, i së cilës qe kryeredaktor, “Agimi” i Shkodrës etj. Në vjetin 1913 themeloi dhe drejtoi, bashkë me Karl Sumën dhe Risto Siliqin, fletoren e përdyjavëshme “Shqypnija e Ré”, e cila e vijoi botimin deri në plasjen e luftës botërore. Në vjetin 1913 botoi në Trieste një grumbull poezísh me emrin “Zâni i Atdheut”. Bashkë me Luigj Naraçin kishte përgaditur tekst-librin e parë shkollor të shkollave qytetnore, me vendimin e Komisisë Letrare dt. 7 maj 1917.
Luigj Naraçi. Lindi në Shkodër në vitin 1882. Ndoqi kolegjin saverjan në Shkodër, degën ekonomike-tregtare. Mësoi këtu italishten dhe gjermanishten e më vonë serbo-kroatishten. Më 1913 qe sekretar komuneje në Shkup. Më pas vjen në Shkodër ku zhvillon veprimtari patriotike-kulturore.Me themelimin e Komisisë Letrare shpejt e merr postin e sekretarit, e ca javë më pas bëhet kryetar i saj (dhjetor). Bashkë me Hil Mosin kishte përgaditur tekst-librin e parë shkollor të shkollave qytetnore, me vendimin e Komisisë Letrare dt. 7 maj 1917. Botoi në shtypin e kohës shkrime për probleme kombëtare dhe kulturore. Për aftësitë e kulturën e tij e zgjodhën sekretar të Komisisë Letrare Shqipe. Vdiq në Shkodër në vitin 1949.
Anton (Ndue) Paluca. Mësues dhe publicist. Lindi në Gjakovë, më 1881 dhe vdiq, më 30 nëntor 1958 në Buffalo të SHBA. Mësimet e para i kreu në Prizren, ndërsa shkollën normale e përfundoi në Klagenfurt të Austrisë. Në shoqërinë kulturore “Dija” të studentëve shqiptarë në Austri, Paluca qe në kryesinë e saj. Pas mbarimit të normales (1906) kthehet në Prizren dhe një vit më vonë caktohet mësues në koloninë arbëreshe të Borgo Erizzës (Zara). Në vitin 1912 transferohet në Shkup, ku kryen edhe detyrën si përkthyes i konsullatës austro-hungareze. Më 1914 Nd. Paluca shkon në Vjenë për të kryer studimet e larta. Më pas kthehet në Shkodër si administrator dhe shoqërues i studentëve që shkonin në Austri nga administrata shqiptare në Shkodër. [12]
Me këto cilësi merr pjesë në KLSH.
Dr. Gjergj Pekmezi. Gjuhëtar, bibliograf dhe tekstolog. Lindi në Tushemisht të Pogradecit, më 23 prill 1872 dhe vdiq në Vjenë, më 24 shkurt 1938. U shkollua në vendlindje e më pas në Manastir, Beograd dhe Vjenë. Më 1898 u diplomua në Universitetin e Vjenës për filozofi dhe gjuhësi. Do të dërgohet nga Akademia e Shkencave austro-hungareze në Shqipëri për qëllime studime ku do të hartojë monografinë në dorëshkrim “Tiparet dalluese thelbësore të dialekteve kryesore të shqipes, të toskërishtes dhe gegërishtes”, një ndër studimet e para të dialektologjisë shqiptare dhe me vlera për këtë disiplinë. Do të pasohet me një punim tjetër “Raport provizor për stdudimin e së folmes së Elbasanit”(1901). Më 1908 do të botojë në Vjenë “Gramatikë e gjuhës shqipe”(gjermanisht), një ndër veprat më të mira të autorit dhe të gjuhësisë shqiptare për atë kohë. Këtu, ne mësojmë edhe disa mendime të autorit për gjuhën letrare, të cilat do t’i përsërisë edhe një vit më vonë në revistën “Diturija” të Mithat Frashërit që dilte në Selanik. Ndërsa më 1909 do të jetë bashkautor në botimin “Bibliografia shqiptare”, duke hyrë kështu në historinë e bibliografisë sonë. Më 1916 caktohet kryetar i KLSH
Atë Ambroz Marlaskaj. Publicist dhe studiues. Lindi në Kushnen të Mirditës, më 18.11.1884 dhe vdiq më 14 qershor 1939 në Romë. Ishte një njeri me kulturë. Qe kryetar i një grupi pune për shqyrtimin e teksteve shkollore të hartuara nga Gaspër Beltoja dhe Gaspër Mikeli, në të cilin bënin pjesë fretnit françeskanë Marin Sirdani, Justin Rrota dhe Gjergj Fishta(1910).Gjatë viteve 1913-1914 Marlaskaj do të shkojë në Vjenë dhe Pragë, gjithnjë me detyra fetare dhe më 1915 do të kthehet përsëri në Shkodër. Më 1916 u caktua anëtar i KLSH.
Mati Logoreci. Mësues, gjuhëtar, publicist, historian. Lindi në Shkodër,më 10 shkurt 1867 dhe vdiq në Tiranë, më 7 shkurt 1941. Njihet si i pari që hapi një shkollë shqipe në Prizren, më 1889. Ndonëse nuk mori pjesë në themelimin e shoqërisë “Agimi”, ai do të jëtë një ndër përkrahesit e saj. Në vitin 1907 do të botojë të përdyjavshmen “Dashamiri” dhe më pas “Dashamiri i ri” që dilte në Trieshten austriake gjatë viteve 1907-1908 me alfabetin e shoqërisë “Agimi”. Do të marrë pjesë në Kongresin e Manastirit si delegat i shoqërisë “Agimi”. Në vitin 1911 do të botojë një tekst shkollor për historinë e lashtë me titull “Ndollina historijet t’motshme”. Veprimtaria e tij kryesore është si mësues dhe funksionar në drejtorinë e përgjithshme të arsimit në Shkodër. Përgatiti dhe botoi shumë tekste shkollore. Punoi mjaft për pasurimin e pastrimin e gjuhës shqipe, duke krijuar edhe shumë fjalë të reja
Maksimilian Lamberc. Albanologu austriak M. Lamberc lindi më 1882 dhe vdiq, më 1963. Ka pasur interes për gjuhën, folklorin dhe letërsinë shqiptare. Gjatë Luftës së Parë Botërore erdhi në Shqipëri ku mblodhi materiale folklorike. Ishte mbrojtës i tezës së burimit ilir të shqipes, duke sjellë argumente nga onomastika.
Me punimet e tij M. Lamberci luajti një rol të rëndësishëm për popullarizimin e gjuhës shqipe, folklorit dhe etnografisë shqiptare jashtë Shqiperisë.U ftua të merrte pjesë në KLSH dhe në mbledhjen e dt. 5. 06. 1917 thuhet se do t’i propozohet komandës austro-hungareze që Lamberci të jetë miss i KLSH.
Rajko Nahtigal. Linguist slloven. Lindi, më 1877 në Vovo Mesto të Sllovenisë, ku edhe kreu shkollën e mesme. Studimet universitare i ndoqi në Universitetin e Vjenës për filologji sllovene dhe linguistikë krahinore. Aty u njoh me Ivan Prepotel dhe Gjergj Pekmezin që e shoqëroi një miqësi e ngushtë. Më pas shkoi në Rusi ku doktoroi për shkencat filologjike. Më 1913 u emërua profesor i filologjisë sllave në Universitetin e Gracit. Nahtigali dha një kontribut të çmuar në përgatitjen e gramatikës së gjuhës shqipe të Gj. Pekmezit, më 1908. Ai i bëri edhe një analizë dorëshkrimeve që pati në dorë për të saktësuar alfabetet që përdoreshin në Elbasan. Vdiq në Lublanë, më 29 mars 1958
Imzot Vinçenc Prendushi. Poet, folklorist dhe përkthyes. Vinçenc Prendushi lindi në Shkodër, më 4 shtator 1885 dhe vdiq në spitalin e burgut të Durrësit, më 19 mars 1949. Pas mësimevet të para në vendlindje, ndoqi studimet e larta në Austri. Atje u diplomua për filozofi dhe teologji. Mblodhi folklor në viset veriore, një pjesë të të cilit e botoi me ndihmesën e historianit austriak Karl Paç, me titull “Kangë popullore gegnishte” (Sarajevë, 1911). U shqua edhe si publicist, duke botuar kryesisht në revistat që dilnin në Shkodër në atë kohë.
Sali Nivica. Demokrat, publicist dhe mësues. Lindi në Kurvelesh, më 1889 dhe u vra në Shkodër, më 10 janar 1920. Pasi ndoqi studimet në Manastir dhe Janinë, S. Nivicën do ta gjejmë mësues në Durrës. Më pas do të lërë vendlindjen e do të shkojë në Turqi. Atje ku do të japë mësimin e gjuhës shqipe në “Robert kolezh” të Stambollit. Aty formoi një shoqëri me emrin “Qarku letrar”. Pas Shpalljes së Pavarësisë do të kthehet në Shqipëri dhe ku do të bashkëpunojë me Muço Qullin në gazetën “Populli” që dilte në Vlorë dhe në fillim të vitit 1915 do të botohej në Shkodër. Gjatë viteve 1914-1915 do të bëjë pjesë në Komitetin e fshehtë ose “Krahu kombëtar” që vepronte në fillim në Durrës e pastaj në Shkodër. Në vitin 1916 do të shkojë si mësues në Berat dhe më vonë do të caktohet inspektor në Drejtorinë e pergjithshme të arsimit që ndodhej në Shkodër e drejtohej nga L. Gurakuqi.

Diktatura Staliniste e adoptoi dhe plotësoi historiografinë e KLSH

 

Mbi themelet e vëna nga KLSH vazhdoi punën edhe diktatura komuniste e Shqipërisë. Pasiqë ideologjikisht nuk përputhej me themeluesit (pushtues) dhe me disa nga pjesëmarrësit në Komisi, diktatura nuk e pranoi me automatizëm gjithë punën e bërë deri atëherë. Por refuzimi mbeti kryesisht në rrafshin e gjuhës, me ç’rast u anulua standardi i deriatëhershëm dhe u imponua Toskërishtja. Historiografia mbeti kryesisht në të njejtat kontura, ndërsa ndryshimet që u bënë u propozuan dhe mbikëqyrën sërish nga një superfuqi e huaj. Kësaj radhe ishte Bashkimi Sovjetik, bashkë me Bullgarinë.
Procesi i shkrimit të historisë së Shqipërisë vazhdoi për vite me radhë edhe në diktaturën staliniste në Shqipëri. Për hartimin e vëllimit të dytë punuan 13 historianë dhe bashkëpunëtorë të vendit dhe të jashtëm. Maketi i historisë së Shqipërisë u diskutua edhe në Bashkimin Sovjetik dhe Bullgari, diskutim që u quajt shumë i dobishëm për historianët shqiptarë. Pati 50 diskutime nga rusët dhe 20 nga bullgarët.

Në vëllimin e parë pati ndikim të veçantë Prof. A. F. Millor dhe diskutimet kryesore të historianëve sovjetikë. Përveç kësaj profesor Millor punoi gjatë dy muajve bashkë me edaksinë në Shqipëri në përgatitjen e atij vëllimi.
Vrejtjet e bëra në Moskë e Sofie u morën parasysh edhe në ripunimin e vëllimit të dytë, i cili në formën përfundimtare pësoi ndryshime rrënjësore në krahasim me maketin. Ato kishin të bënin me:
1- Çështjen e periodizimit
Si në Moskë dhe në Sofie pati pikpamje të ndryshme, por çeshtja u zgjidh në bashkëpunim me Prof. A. F. Millorin duke caktuar si fillim të historisë së re të Shqipërisë vitet 40 të shekullit XIX, kur fillon lëvizja kombëtare shqiptare. Përsa i përket kohës së sotme, në Moskë dhe në Sofie u rekomandua si fillim menjëherë pas Shpalljes së Pavarësisë më 1912, por të fillohej në një mënyrë të tillë që të bashkohej çeshtja e krijimit të shtetit të ri shqiptar me revolucionin e Tetorit. Kështu, sipas tyre, do të ruhej edhe periodiciteti i përgjithshëm i kohës si në historinë botërore, që fillon me revolucionin e tetorit.
2- Çështjen e shovinizmit dhe “tokave të diskutueshme” në Ballkan
Moska dhe Sofia u rekomanduan historianëve shqiptarë që të demaskonin me forcë jo vetëm shovinizmin grek, serb, malazes, por, edhe “shovinizmin shqiptar” me qenë se ai, sipas tyre, shfaqej “në mënyrë të pashmangshme si te feudalët ashtu dhe te nacionalizmi borgjez”. Shovinizmi, sipas profesor Milerit “çfaqet në fazën e hershme të kur është duke u formuar kombi. Në procesin e formimit të kombit zhvillohet lufta për territorin në të cilin jetojnë popullsi të përziera. Sejcila palë, në këtë rast, mendon se lufton për një çeshtje të drejtë. Kështu qendron puna me “tokat e diskutueshme” në kufirin shqiptaro-malazes dhe shqiptaro-maqedon. Është e pamundur që në tokat të zgjidhen çeshtjet e diskutueshme e territorial. Për të shkruar, në këtë rast se ky territor është shqiptar atëherë çështjet politike nuk do të zgjidhen, por do të ketë ngatërresa dhe pakënaqësira”.
Historianët bullgarë, e në mënyrë të veçantë prof. K. Kristov vuri në dukje se redaksia e ka idealizuar rolin e feudalëve shqiptarë në zhvillimin e procesit historik. Teksti nuk duhet të krijojë dashuri për çdo gjë që është shqiptare, por për atë që ka qenë progresive. Duhen demaskuar më me forcë politika e Sulltanit për t’i përdorur feudalët shqiptarë si vegla në luftën kundra popujve të Ballkanit. Në qoftë se nuk u krijua një unitet veprimi midis popullsisë maqedone dhe shqiptare në luftën kundra Turqisë feudale fajtor për këtë kanë qenë kryesisht, megjithëse jo përgjithësisht, feudalët shqipatrë. Shokët shqiptarë e kanë parë veprën e tyre më tepër në frymën e mbrojtjes nacionale”.
Përsa i përkiste tokave shqiptare në Maqedoni, mendimet e historianëve bullgarë ishin të ndara në dysh. Ndërsa V. Boshinov, sekretari shkencor i Institutit të Historisë, pohonte se gjatë shekullit XIX qyteti i Dibrës dhe i Gostivarit janë kryesiosht shqiptare, por jo Ohri, Manastiri, Shkupi dhe qytetet e tjera të Maqedonisë perëndimore, K. Kristov, G. Todorov çfaqën mendimin se pjesa më e madhe e popullsisë së Gostivarit, Strugës, Tetovës ka qenë bullgare. Historianët bullgarë theksuan nevojën e trajtimit në tekst të çeshtjes së Federatës Demokratike të Ballkanit si zgjidhjen më të drejtë për atë kohë e çeshtjen nacionale në Ballkan.
3- Çështja e lëvizjes fshatare kundër reformave të Tanzimatit
Profesor A. F. Millor insistonte që lëvizja fshatare kundër zbatimit të njëanshëm të reformave të tanzimatit, si dhe kryengritjen kundër atyre reformave duhet të shikoheshin në kuadrin e vuajtjeve të fshatarëve nga shtypja turke, e cila, sipas tij, u shtua në zbatimin e njëanshëm të këtyre reformave dhe jo si luftë e shqiptarëve kundër reformave turke. Ai vinte në dukje se reformat, në kohën kur nuk ka një lëvizje të fuqishme nacional-çlirimtare, janë pozitive….
Historianët sovjetikë e bullgarë patën vrejtje për të gjitha çeshtjet, të cilat u bënë objekt diskutimesh në udhëheqjen e lartë të KQ të PPSH.
Mbas katër vitesh punë, redaksia e Institutit të Historisë e dërgoi maketin në Byronë Politike të KQPPSH, shoqëruar me një relacion sqarues për të gjitha temat e kontestuara. Një përkujtesë mbi disa vërejtje parimore të bëra në diskutimin e maketit të Historisë së Shqipërisë në Moskë e në Sofie në vitin 1958 i dërgoi edhe Drejtoria e Drejtorisë së Arsim – Kulturës pranë KQPPSH dhe Sekretari i KQPPSH. Mbledhja e Byrosë Politike u zhvillua më 31 janar 1962 dhe u diskutuan maketi në tërësi dhe tezat në mënyrë te veqantë. Aty u pranuan pothuajse pa vërejtje të gjitha kërkesat ruse e bullgare. Si rezultat e kemi “kodifikimin” e “librit të shenjtë” të identitetit modern shqiptar të publikuar nga diktatura komuniste nën titullin “Historia e Popullit Shqiptar”. Produkt i tij është shtresa intelektuale dhe klasa politike shqiptare.

___________________
Për lexim të mëtejmë:
1. “Komisia Letrare Shqipe në Shkodër” (1916-1996), , botim i Universitetit “Luigj Gurakuqi”, Sektori shkencor i albanologjisë, Shkodër, 1997, 120 faqe
2. T. Osmani – N. Gokaj, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, ngjarje me rëndësi gjuhësore dhe kulturore, “Gjuha jonë”, Nr.1-4, 1996, (f.31, 32).
3. S. Frashëri, Vepra 2, Tiranë, 1988, (f. 275).
4. FESH, Tiranë, 1985;
5. H. Boriçi, Një shekull e gjysmë publicistikë shqiptare (1848-1997), Tiranë, 1997, (f. 35,36, 40).
6. Z. Shkodra, Kultura e pianofortes në Shkodër në gjysmën e dytë të shek.XIX-1912, Seminari II ndërkombëtar “Shkodra në shekuj”, vëll.I, Shkodër, 1998, (f. 53).
7. Historia e Shqipërisë, Tiranë, 1965, (f. 176).
8. Die Verwaltung Albaniens an der Hand der ergangenem Befehle, Wien, 1918, (f. 248).
9. I. Kanini, Arsimi në Shqipëri, në vitet e Luftës së Parë Botërore, Tiranë, 2001, (f. 133).
10. Sh. Osmani, Reflekse etnopedagogjike, I, Tiranë, 1998, (f. 342-343).
11. Për caktimin e Nd. Palucës në KLSH . shih: H.H.St.PA.A. Vj. 261 167, nr.1079, Shkodër,tetor 1916. Në letrën që i dërgon konsulli Kral Vjenës, shkruan: “Do të dëshiroj shumë futjen e mësuesit Paluca në shërbim të administratës shqiptare, meqenëse ai e di mirë gjermanishten . Ai do të emërohet sekretar dhe anëtar i Komisisë Letrare të Shqipërisë me një rrogë mujore…” Ndërsa në njoftimin që merr konsulli Kral me shkresë dt.24.nëntor 1916 thuhet: “Mësuesi i dikurshëm shqiptar… Anton Paluca, i cili qëndron këtu që prej shpërthimit të Luftës së Parë Botërore, u emërua sekretar i Komisionit Letrar Shqiptar dhe përkthyes i Korpsarmatës XIX në Shkodër”.
12. T. Osmani, Çështje të gjuhës letrare shqipe gjatë viteve 1916-1918, “Buletin shkencor”, Shkodër Nr.1, 1987, (f49-50);
13. T. Osmani, Komisia Letrare Shqipe në Shkodër, “Rilindja”, Tiranë, 16.01.1997.
14. R. Mata, Komisia Letrare Shqipe për lëvrimin e gjuhës shqipe, “Mësuesi”, 28.8.1916.
15. M. Domi, Ndre Mjeda si gjuhëtar dhe lëvrues i gjuhës shqipe, “Drita”, 20.11.1966.
16. Die Verwaltung Albaniens… (Cituar sipas N. Gokajt, Vendimet e KLSH dhe ndikimet e saj në vitet e Pavarësisë, ne përmbledhjen “ Komisia Letrare Shqipe…” f. 68 )
17. Letër e L.Gurakuqit, dërguar De Radës, më 20.11.1899. Ruhet në AQSH.
18. H. Mosi, Fuqia e gjuhës në një komb, “Shqiptari”, 1910
19. J. Kastrati, Hilë Mosi, “Revista pedagogjike”, Nr.4, 1985, (f.107).
20. Laimet e Komisisë Letrare Shqipe në Shkodër, 1918, (f. 31-32).
21. E. Lafe, M.Lamberc, studiues i shquar i gjuhës shqipe, ”Gjuha jonë”, Nr.1, 1983, (f.104).
22. E. Çabej, M.Lamberc, “Nëndori”, Nr.9, 1962, (f.176).
23. M. Çeliku, art. i cit. f.45. Sipas autorit zgjedhja e së folmes së Elbasanit si gjuhë shkrimi dhe vendosja e saj në themel të ortografisë së gjuhës zyrtare plotësonte këto kushte: “1. Elbasanishtja ishte një e folme gege me tipare të përbashkëta e të afërta si me gegërishten veriore e jugpërendimore, ashtu edhe me toskërishten…2. Elbasanishtja ishte një e folme gege me tradita shkrimore pa largime të theksuara dialektore, traditë kjo që përkonte në shumë pika më tepër me toskërishten letrare sesa me gegërishten letrare veriore 3. Elbasani, si qendër e rëndësishme ekonomike e kulturore ofronte traditën shkrimore të figurave të shquara, që spikasin si në studimin e shqipes, ashtu edhe në përdorimin praktik të saj; në krye të kësaj tradite udhëhiqte babai i gjuhës shqipe K.Kristoforidhi, .roli autoritativ i të cilit si aplikues i parë i afrimit të dialekteve në procesin shkrimor dhe roli i shkrimeve të shënjta në hedhjen e bazave të një gjuhe të njësuar shkrimore, duke u mbështetur edhe në traditën përendimore, ndihmuan dukshëm në vendimin e marrë nga ana e autoriteteve të Komisisë Letrare të Shkodrës.”
24. A. Xhuvani, Rreth gjuhës letrare kombëtare dhe rreth ortografisë, “Buletin për shkencat shoqërore”, IV, Tiranë, 1952, (f.67).
25. J. Kastrati, Kontribut për studimin e Ndre Mjedës, (dorëshkrim), 1958, (f. 62)
26. F. Jakobin, Kontributi i Rajko Nahtigalit shkencës së albanologjisë,”Gjurmime albanologjike”, seria e shkencave shoqërore, VII, 1977, Prishtinë, 1978, (f.224-225).
27. B. Beci, Komisia Letrare e Shkodrës pë bazën dialektore….(40-42);
28. P.Kotrri,B.Logu, Mendimet e Lambercit dhe të Nahtigalit për Komisinë Letrare, në përmbledhjen “Komisia Leetrare Shqipe…” (f. 104-107);
29. M.Quku, Ndre Mjeda bashkautor me Nahtigalin në “Promemorie”, “Drita”, Tiranë, 20.05.1984.
30. A. Kostallari, “Studime filologjike”, Nr.2, 1985, (f.82).
31. AQSH, Dosja 26, Fondi 295, viti 1917 (Cituar sipas I.Kanini, vep. e cit. f. 138.)
32. Kongresi pedagogjik i Lushnjes, “Shkolla e re”, Nr.1-2, 1921, (f. 23).
33. Jup Kastrati, Kontributi i Luigj Gurakuqit për gjuhësinë shqiptare, në “Pashko Vasa-Luigj Gurakuqi”, Shkodër, 1977, (f. 38)
34. Shih: T. Osmani, Vëzhgime për gjuhën e veprës së Pashko Vasës, “Gjuha jonë”, Nr.3-4, 1992.
35. Regjistri i KLSH (protokolli i mbledhjeve), AQSH.
36. Shih edhe: A. Kostallari, Gjuha letrare shqipe dhe epoka jonë, “Studime filologjike”, Nr.4, 1984, (f.29).
37. J. Kastrati, Kontribute për studimin….f. 213; M.Quku, Kontributi i Ndre Mjedës për unifikimin e gjuhës së shkruar, “Ylli”, Nr.5, 1984, (f. 17).
38. Sh. Osmani, Komisia Letrare Shqipe, “Drita”, 15.8.1976.
39. Letër e L. Gurakuqit, dërguar S.Pecit, “Drita”, Tiranë, 15.8.1976.
40. E. Çabej, Maksimilian Lamberc, “Studime filologjike”, Nr.1, 1964, (f. 213)
41. Ç. Bidollari, Komisia Letrare e Shkodrës për emrat e familjeve (mbiemrave), përmbledhjen “Komisia Letrare. shqipe… (f.113).
42. S. Hoxha – S. Pepa, Ndihmesa e Komisisë Letrare terminologjinë shqipe, në përmbledhjen “Komisia Letrare shqipe…” (f. 87-88).
43. P. Tako, Luigj Gurakuqi, Tiranë, 1980, (f. 239).
44. Nj. Kazazi – V. Qehaja, Komisia Letrare e Shkodrës për tekstet shkollore, në përmbledhjen “Komisia Letrare shqipe…” (f. 92).
45. Sh. Osmani, Reflekse etnopedagogjike, Tiranë, 1998, (f. 347).
46. J.Kastrati, Mjeda dhe Xanoni për gjuhën shqipe, “Arsimi popullor”, Nr.1, 1966, (f. 29-39)
47. I. Kanini, “Arsimi në Shqipëri…” (f.145, shën.1. Autori shkruan: “Nga gjurmimet në arkivë rezulton se Komisia vazhdoi veprimtarinë e saj edhe në verën e vitit 1918, madje edhe më pas”).
48. F.Fishta, T.Gjyli, K.Kamsi, V.Kamsi, J.Kastrati, Sh.Osmani, M.Kotrri, F.Podgorica, Kontribut për historinë e bibliotekave të Shkodrës, në almanakun “Shkodra”, 1961, (f.104-106).
49. I. Zamputi, Vepër e Komisisë Letrare Shqipe, “Drita”, Tiranë, 13.09.1987.
50. Sh. Osmani, Komisia Letrare Shqipe, “Drita”, 31.08.1986.
51. Studimi i historiografisë komuniste është bërë bazuar në dokumentacionin e dosjes nr. 5, të vitit 1962, që gjendet në fondin 14/APOU, AQSH.
52. Xhafer Sadiku, “Si u shkruajt historia e Shqipërisë”
http://shkodranews.altervista.org/komisia-letrare-shqipe-ne-shkoder-1916-1918/
http://www.gazetadita.al/komisia-letrare-e-shkodres-100-vjet-me-pas/
http://www.elsie.de/en/books/b42.html
Historical Dictionary of Albania By Robert Elsie
http://ina-online.net/gjergj-fishta-zeri-i-kombit/
https://sq.wikipedia.org/wiki/Komisia_Letrare_Shqipe
https://sq.wikipedia.org/wiki/Hil%C3%AB_Mosi
https://en.wikipedia.org/wiki/August_Ritter_von_Kral

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit