Nga Imami i Qabes: Përse ekziston frika nga Islami ?

0
139

Klithmën e parë frikësuese ndaj Islamit e lëshoi djalli, i cili pikturoi në thashethemin e tij dhe në mesazhin që donte të shiste se kjo lindje e hershme e qenies së Islamit është në të vërtetë grumbullim për luftë ndaj njerëzimit; në hadithin e tregimit të premtimit të besnikërisë të bërë në Akabe, në momentin kur Profeti a.s. u takua në fshehtësi me Ensarët që t’i premtonin atij besnikëri për mbështetje, të transmetuar nga Kab bin Malik r.a., i cili thotë: I pari që takoi duart me të Dërguarin e Allahut a.s. ishte El-Berra bin Ma’rur, pastaj e pasuan të tjerët dhe kur i premtuam besnikëri të Dërguarit të Allahut a.s., djalli klithi nga maja e Akabesë me më të lartin zë që kisha dëgjuar ndonjëherë: O banorët e El-Xhubaxhib – dhe El-Xhubaxhib: shtëpitë – A jeni me të përgojuarin dhe djelmoshat që e shoqërojnë janë grumbulluar që t’ju luftojnë ju? I Dërguari i Allahut a.s. tha: “Ky është vajtuesi i Akabesë, ky është i biri i nepërkës, dëgjo këtu, o armik i Allahut. Pasha Allahun do të të zbrazem edhe ty.”

Edhe pas gjithë këtyre shekujve ende ekzistojnë mes njerëzve persona të cilët trashëgojnë këtë pretendim dhe e transmetojnë atë ose nga injoranca ose sepse injorojnë realitetin. Në këtë mënyrë, frika ndaj Islamit dhe frikësimi prej tij, ekziston akoma në vendimmarrjet dhe në forumet botërore, pa marrë parasysh këtu mjetet e informacionit. Politikanët dhe gazetarët ngulmojnë në instalimin e imazhit të Islamit si një kulturë armiqësore dhe se toleranca është kulturë e Perëndimit. Në realitet, po të hidhnin vështrimin me drejtësi dhe paanësi, do të gjenin se, në bazat dhe parimet e Islamit, ekzistojnë vlerat dhe shembujt më të përsosur të drejtësisë dhe tolerancës.

Gjurmët e frikësimit nga Islami
Frika nga Islami ka gjurmë negative për myslimanët dhe për të tjerët, sepse shemb urat e besimit dhe bashkëpunimit, ushqen rrënjët e armiqësisë, terrorizmit dhe diferencimit racor, eliminon interesat e përbashkëta të qenieve njerëzore, si dhe shkatërron marrëdhëniet ndërkombëtare. Kësaj i shtojmë edhe faktorin se frikësimi nga Islami çon në nxitje dhe urrejtje fetare dhe disa marrin guximin të fyejnë e përdhosin ato që shenjtëron Islami si fyerja e shenjtërisë së Profetit a.s., ose përdhosja e Kura’nit Fisnik dhe lidhja mes Islamit e myslimanëve dhe temave që flasin për terrorizmin.
Gjendja përkeqësohet në momentin kur përkatësia fetare islame e një individi apo kombi, bëhet shkak i dështimit të çështjeve të tij, i humbjes së të drejtave dhe refuzimit të kërkesave legjitime. Si pasojë ndodhin përçarje që diktojnë mënyrën dhe stilin e jetesës.

Të shumtë janë ata që i shohin fetë politeiste me doza të larta tolerance, ndërsa kur bie fjala për Islamin reagimet e tyre kundrejt tij janë larg logjikës, të ndërthurura me ndjenja negative të pakapërcyeshme. Kjo është ajo që e komenton ngurrimin, frenimin dhe ndalimin e dhënies së ndihmës për shpëtimin e të pafajshmëve, për asnjë shkak e asnjë arsye tjetër veç frikës ndaj lartësimit të Islamit.

Trashëgimitë kulturore të ushqyera nga media dhe politikat e padrejta kanë ndikimin e tyre në formimin e trendit negativ kundrejt Islamit. Pikërisht kjo ishte arsyeja që e shtyu Sekretarin e Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara që të shprehet me paanësi: Vala e fobisë, antipatisë, urrejtjes dhe frikës ndaj Islamit arriti në gradën e anti-racizmit kundrejt kësaj feje. Të njëjtën gjë kishte thënë edhe pararendësi i tij më parë.

Shkak i frikës prej Islamit është mosnjohja e tij
Njeriu frikësohet prej asaj që nuk e njeh. Shkaku i shumicës së rasteve të frikës e armiqësisë kundrejt Islamit është mosnjohja e tij, e ligjeve, rregullave dhe etikës së tij. Prandaj paralelizmi i Islamit me terma të tilla si terrorizmi, shtypja e lirive e të tjera pretendime si këto, e kthen në obligim, për njerëzit racionalë, qëndrimin e tyre me drejtësi, ndershmëri dhe paanësi përballë kësaj çështjeje të rrezikshme, prej së cilës bota nuk ka korrur veçse më shumë konflikte e ndarje.

Pse duhet të ekzistojë frika ndaj Islamit, kur, në fakt, ishte Islami ai që ngriti peshoret e drejtësisë në një kohë kur çdo popull kishte ngritur kërbaçin e tiranisë?!

A ishin myslimanët, qoftë edhe njëherë të vetme, përgjegjës për ndezjen e dy Luftërave Botërore, kur e para mori shtatëmbëdhjetë milion jetë njerëzish, ndërsa e dyta pesëdhjetë milion, pa marrë parasysh të plagosurit e shkatërrimin kolosal që iu bë natyrës dhe infrastrukturës.
A ishin myslimanët ata që kolonizuan botën e nënshtruan popujt, që të thithnin e vidhnin të mirat e tyre materiale e të përfitonte kolonizatori?!

A ishin myslimanët ata që në një periudhë të historisë së tyre të gjatë ngritën e ndërtuan inkuizicionin që të detyronin njerëzit të ndërronin fenë e tyre?!

Historia dëshmon. Përgjatë pesëmbëdhjetë shekujve pushteti i Islamit u shtri në pjesën më të madhe të tokës. Çuditërisht, banorët e çdo vendi që u qeveris prej myslimanëve vazhdojnë t’i përkasin fiseve e feve të tyre, kanë faltoret dhe kishat e tyre. Askush prej myslimanëve nuk ka tentuar t’i dëmtojë ata. Këto minoritete vazhdojnë të jetojnë në paqe e harmoni edhe në ditët e sotme në vendet me shumicë myslimane.

Kur interesat e ngushta lënë në hije vlerat
Qëndrimet dhe pozicionimet botërore të kohës së sotme, në shumicën e rasteve, mbizotërohen nga lënia në hije e vlerave dhe parimeve për shkak të interesave të ngushta, përndryshe si mund të justifikohet eliminimi i popujve me arsyetimin se ata janë myslimanë, apo me frikën se myslimanët do të marrin të drejtat e tyre njerëzore brenda shtetit të tyre dhe jo jashtë tij?! Pse shfaroset një popull dhe bota privohet nga kryerja e detyrës së saj ndërkombëtare, ligjore e morale, për asgjë tjetër vetëm se ata janë myslimanë?! Atëherë, si është e mundur që, pas gjithë kësaj, Islami akuzohet për diskriminim racor?!

Vetë elita intelektuale në Perëndim ka filluar të flasë rreth lëkundjes së besimit që njerëzit kanë tek institucionet ndërkombëtare dhe se ato janë ndërtuar mbi interesa racore e jo mbi norma, morale, parime e ligje, e aq më tepër nëse këto të fundit nuk pajtohen e bien ndesh me interesat…

Në njëqind vitet e fundit në të cilat u themeluan organizatat që merren me njeriun dhe të drejtat e tij, historia nuk regjistron në faqet e saj që një shtet mysliman të klasifikohet e kategorizohet në grupin e shteteve kolonizuese të shteteve të tjera. Në realitet, në skenën botërore, me shumë dhimbje, shfaqet e kundërta. Madje mjaftoi vetëm dyshimi dhe akuza më e vogël që të luftohej e pushtohej një vend mysliman e të vriteshin një milion e gjysmë prej bijve të tij. Kjo justifikoi grabitjen e pasurive, shkatërrimin e infrastrukturës, historisë e civilizimit të këtij populli, e më vonë vihet re se dyshimi ishte thjesht i pasaktë e i pabazë dhe gjendja kalon pa një apologji dhe pa kompensim.
Pse frika prej Islamit, kur ai i fton njerëzit të mëshirojnë njëri-tjetrin. Allahu xh.sh. thotë: “O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju.” (Nisa, 1)

Nuk ka frikë prej Islamit, dhe gjithashtu nuk ka frikë për të
Pse frika ndaj Islamit, kur nën flamurin e tij u hodhën bazat e para të të drejtave të njeriut? Pse frika ndaj Islamit, në një kohë kur ai mbron edhe të drejtat e kafshëve?!

Pse njerëzit kanë frikë nga Islami? A mos vallë kanë frikë se i privon nga lumturia dhe bukuritë e kësaj jete?
Kurrsesi, Islami ka vënë theksin kundrejt veprimeve të atyre që privojnë njerëzit nga bukuritë e mirësitë që Allahu i krijoi për njerëzit. Në Kur’an thuhet: “Thuaj: “Kush i ka penguar stolitë dhe ushqimet e këndshme të cilat Allahu i ka krijuar për robërit e Vet?” Thuaj: “Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë.” (A’raf, 32)
Islami garanton të drejtën e jetës, gëzimin dhe shijimin e saj për çdo njeri, prandaj nuk ka pse të ekzistojë frika prej Islamit.

Pse të ekzistojë frika ndaj Islamit kur ishte ai që themeloi e ndërtoi një civilizim plot mirësi e begati?! Qytetërim të shpirtit e të trupit, mirësisë dhe lumturisë. Një civilizim, dobia e të cilit përfshiu njerëzimin mbarë; që nuk e përdori fuqinë e tij për të poshtëruar e nënshtruar popujt e dobët dhe për të uzurpuar të mirat e tyre.
Përse ilustrohet Islami si mbajtës i farës së dhunës dhe intolerancës, sikur është ai rreziku më i madh që do të turbullojë qetësinë botërore, ai që duhet të luftohet e të shkulet nga rrënjët kur, në fakt, toleranca dhe moralet e larta janë parime esenciale të Islamit?!

A ekziston ndonjë kulturë tjetër që i ka kushtuar rëndësi tolerancës më shumë sesa Islami?!
Toleranca drejt së cilës fton Islami nuk do të thotë poshtërim apo servilizëm dhe nënshtrim ndaj padrejtësisë dhe shtypësve.

Islami nuk është vetëm feja e arabëve, mirësia e tij nuk është eksluzivitet vetëm i myslimanëve, përkundrazi, ai është mëshirë për të gjithë njerëzit. Allahu xh.sh. në Kur’anin Famëlartë thotë: “Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët.” (Enbija, 107)
Islami është feja që përhap drejtësinë në botë, sepse ai e ndalon dhe e refuzon padrejtësinë. Detyra e vetme e myslimanëve është t’i përmbahen etikës dhe parimeve të tij dhe përcjellja e të vërtetës së Islamit me shembuj e praktikë dhe thirrje të sinqertë e jo me pretendime e artificialitet.

Frika që njerëzit kanë prej Islamit nuk është gjë tjetër veçse pjellë e disa njerëzve që kanë për qëllim largimin e njerëzve prej tij, ose prishjen e imazhit, të vërtetave, vlerave, ligjeve dhe mësimeve të fesë vetëm e vetëm për qëllime politike dhe racore, e për teka, e pasione të epshit.

Nëse njerëzit do të liheshin të lirë… do të liheshin të zgjidhnin sipas instinktit, ndërgjegjes dhe mendjes së tyre të pavarur, atëherë ata do ta donin dhe pranonin Islamin pa frikë.
Sidoqoftë, sado që të përpiqen që ta denigrojnë imazhin e Islamit dhe t’i largojnë e frikësojnë njerëzit prej tij, Allahu xh.sh. do ta ngrejë lart fenë e Tij dhe do të plotësojë dritën e saj.

nga Salih bin Muhamed Al Talib

Imami i Qabes, Mekë