16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nga Gurakuç KUÇI*: Muri dhe tendenca për poshtërimin e ndërkombëtarëve nga Serbia

Më të lexuarat

A po e shfrytëzon Serbia ndërrimin e administrative në SHBA për interesat e veta?

Në fund të vitit 1992/93, kur po ndërrohej administrata e George H. W. Bush-it dhe pritej që presidencën ta merrte Bill Clinton, Sllobodan Millosheviç kishte urdhëruar një bastisje të të gjithë shqiptarëve që jetojnë në Kosovë për të mbledhur armët, duke ushtruar dhunë dhe represion të madh. Me këtë veprim, Millosheviçi kishte pretenduar që t’i zinte në befasi dhe të pavëmendshme dy administratat në SHBA, të cilat merreshin me bartjen e pushtetit. Megjithatë, një veprim i tillë nuk kaloi në heshtje; Bushi i vjetër e kërcënoi Jugosllavinë e atëhershme se SHBA-ja kishte gati 50.000 trupa që të intervenojnë në Kosovë në qoftë se preken shqiptarët e atjeshëm, dhe ky u quajt ultimatumi i Krishtlindjeve.

Historia ka analogji, por jo homogjenitet.

Edhe tani gjendemi para ndërrimit të dy administratave në SHBA, asaj të Obama-s dhe Trump-it. Konsiderohet nga çka është parë deri më tani se SHBA-ja me Trump-in mund të ketë qasje shumë më të ndryshme nga ajo më herët në politikën ndërkombëtare.

Kosova është një vend që falë intervenimit të SHBA-së, Britanisë së Madhe dhe aleatëve të tjerë, sot ekziston si shtet, edhe pse jo i konsoliduar, por jo për fajin edhe aq shumë të miqve tanë ndërkombëtarë.

Në këtë kohë, kur administratat në SHBA po ndërrohen, u bënë edhe disa marrëveshje të reja ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, me lehtësimin e Bashkimit Evropian, përkundër faktit që pothuajse çdo marrëveshje është minuar nga Serbia.

Edhe marrëveshja e fundit për urën e Ibrit, që po e ndan Mitrovicën në dy pjesë, sot është duke u minuar nga Serbia. Dhe kjo për këto arsye:

– Që të vazhdojë ta mbajë shtetin dhe sovranitetin e Kosovës të pakonsoliduar,

– Që pushteti në Serbi të vazhdojë ta ruajë popullzimin e vet ndaj popullit serb,

– Për të mos kaluar në tema të mëdha dhe të reja në dialog mes dy vendeve,

– Që ta lodhë bashkësinë ndërkombëtare, dhe në veçanti BE-në, që pastaj ta përfitojë të gjithë atë që do ua kërkojë.

Muri tek ura e Ibrit nuk është tjetër gjë, veçse një vazhdimësi e parkut të paqes dhe e barrikadave prej dheu më herët. E tani, pas këtij muri kemi një habi tejet të madhe, ndërsa kryetari i komunës së Mitrovicës thotë se muri do të jetë vetëm 80 cm, qeveria e Kosovës thotë se do të hiqet, nga Serbia apo nga zgjatimet serbe në Kosovë thonë se ajo do jetë një kinema verore, BE-ja thotë se aty do të ndërtohen shkallë, e zëra të tjerë thonë se muri është çështje javësh.

E gjithë kjo është një lojë serbe me ndihmën e Rusisë, e sidomos tani po shfrytëzohet momenti kur SHBA-ja mund të jetë e zënë me punë të brendshme, duke shpresuar te një ndërrim qasjeje nga administrata e Trump-it.

Këto lojëra nuk duhet t’i lejojë Perëndimi. Namin e suksesit që ka fituar me intervenimin e NATO-së në Kosovë nuk duhet ta humbasë tani me lojëra të pista nga Serbia, që ka për model Millosheviçin.

Nëse vazhdohet të llastohet kështu Serbia, ajo nuk do të ndalet e as nuk do të ngopet, dhe këtë më së miri na e tregon historia. Atë e ndalon vetëm forca; këtë madje e kishte kuptuar edhe kryeministri i Britanisë, Benxhamin Disrael, më 1878, në një fjalim në Dhomën e Lordëve.

Andaj Serbinë nuk e ndal vetëm diplomacia: Serbia është treguar konstruktive vetëm kur ka pasur diplomaci të forcës apo të detyrimit.

As populli serb e as populli shqiptar nuk e duan atë mur, ato parqe false apo barrikada. Jam shumë i sigurt që të dy popujt e duan paqen, bashkëpunimin, tolerancën dhe zhvillimin. Të dy popujt janë të lodhur nga varfëria dhe pasiguria, andaj kjo që po bëjnë politikanët serbë nuk është as në interesin e vetë popullit serb.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta lejojë këtë poshtërim, ndërsa, në anën tjetër, Kosova mund të themi se nga diplomacia është e barabartë me zero; nuk ke as çka kritikon tek ata, se nuk bëjnë asgjë përveç asaj që u shërbehet.

Atje, përveç murit, po ndodh edhe një ndarje më shumë se de facto; tani kemi edhe pompat e derivateve, që janë krejt ilegale. Dhe Serbia të gjitha këto i bën vetëm duke u thirrur në lejimin e kodit telefonik gjeografik për Kosovën.

Mesazhi është i qartë: Serbia dhe Rusia duhet të ndalen! Nëse lejojmë një mur sot që ndan Mitrovicën, nesër do të kemi shumë mure të reja nëpër Kosovë. Serbia historikisht synon puqjen e kufijve me Greqinë në Shkumbin. /tesheshi.com/

*Autori është drejtor te “Independent Institute forPolitical and Media Studies” dhe master i Politikës Ndërkombëtare

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit