20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nga Fatjon NANAJ: Miti i medias së lirë

Më të lexuarat

Largimi i drejtuesve të dy mediave të njohura shkaktoi një shtjellë reagimesh mbi rrezikun e lirisë së medias në vend. Të larguarit, në deklarimet e tyre të mëpasshme, edhe pse tërthorazi dhe me gjuhë të vakët, lanë të kuptohej se faktori vendimtar në largimin e tyre, apo në mosrinovimin e kontratave, afati i të cilave rastisi të përfundonte pikërisht në prag të zgjedhjeve të përgjithshme, ishin pikërisht linjat editoriale, të cilat për punëdhënësit e tyre nuk ishin më të pranueshme. Kjo, kombinuar me situatën politike në vend, ku ekziston një klimë armiqësie mes ekzekutivit dhe mediave kryesisht online, të etiketuara nga kryeministri si media kazani, nuk mund të mos interpretohej si përpjekje e politikës, konkretisht mazhorancës, për t’i vënë nën kontroll këto media.

Një tjetër qasje, që për shkak të koherencës së zotëruesit të saj ia vlen të konsiderohet, është shprehur nga njëri prej punëdhënësve, Henri Çili, sipas të cilit arsyet thelbësore janë menaxheriale dhe lidhen me mosarritjen e objektivave të parashikuara në kontratë, thjeshtësuar më tej, në tirazhin e gazetës dhe revistës, pra, kopjeve të shitura, apo të klikimeve. Edhe pse kjo mund të kundërshtojë imazhin tonë epik dhe heroik mbi median si bartëse e së vërtetës, apo ushtruese e një pushteti me dobi publike, që lidhet me denoncimin dhe demaskimin më së pari të abuzimeve të pushtetit politik, por edhe të fenomeneve të dëmshme shoqërore, realiteti nuk është idilik. Media e ka humbur prej kohësh karakterin e saj misionar, duke u shndërruar në një biznes të rëndomtë që prodhon lajme, jo të vërteta, një produkt në thelb komercial, si shumë të tjerë. Prandaj Henri Çili duhet falënderuar për sinqeritetin që na ndihmon të vëmë në dukje se media është as më pak e as më shumë se një biznes që duhet të gjenerojë sa më shumë fitime, jo thjesht e vetëm aq sa për të mbajtur veten në këmbë. Sigurisht që mund të mos biem dakord me këtë, nisur edhe nga vizioni ynë i induktuar mbi median, por në një sistem ku babëzia për fitim jo vetëm justifikohet, por lëvdohet, madje konsiderohet si kryevlerë, alternativat janë pa të ardhme.

Sot, kudo në botë, rrjetet gjigante mediatike funksionojnë si korporata që gjenerojnë të ardhura të majme. Interesi i tyre parësor mbetet fitimi i aksionarëve dhe jo ekspozimi i të vërtetave, të cilat për sa kohë që nuk përputhen me këto interesa, thjesht injorohen, pra, nuk gjejnë mbulim, dhe kur këto të vërteta gjithsesi arrijnë të depërtojnë në vëmendjen e publikut aq sa shmangia e tyre është e pamundur, bordet editorialiste vendosin t’u përqasen atyre në mënyra sa më tangentale, apo ta përthyejnë dhe analizojnë ngjarjen në mënyra dhe terma të tillë që impakti i saj të jetë sa më pranë interesit biznesor të aksionarëve.

Në Shqipëri, kjo shfaqje është shumë më rudimentare, pasi mediat nuk janë drejtpërsëdrejti në shërbim të vetvetes, por të bizneseve të tjera që pronari apo njerëz të tjerë të lidhur me të zotërojnë, dhe këto lidhje në të shumtën e rasteve janë të errëta dhe abuzive. Pavarësisht mënyrës, parimi është pothuajse i njëjtë.

Ky parashtrim adreson pjesërisht edhe shqetësimet për kapje të medias, apo për cenim të medias së lirë nga ana e qeverisë, si rrjedhojë e largimit nga puna të dy gazetarëve me përvojë. Thua se deri para largimit të tyre, mediat në fjalë, ku ata shpalosnin talentin dhe aftësitë e tyre profesionale, ishin të lira! Në fakt, gjithë sa thamë më lart shërben për të na ndriçuar se në një sistem ku media funksionon si biznes, liria e medias është thjesht një mit. Një mit i kuruar dhe i përpunuar me kujdes, që përpiqet të mbajë gjallë frymën e misionarizmit mediatik dhe të ruajë seriozitetin dhe peshën themelore të medias në një shoqëri të lirë e civile. Por liria, siç edhe politologia e mirënjohur Hannah Arendt shprehet, ekziston për aq kohë sa jemi të pavarur nga nevojat. Dhe një media e varur nga nevoja për fitime të shtuara të aksionerëve të saj është e tepër të konsiderohet e lirë.

Një tjetër keqkuptim është ai që barazon opozitarizmin mediatik me lirinë e medias. Një media është e lirë kur është në shërbim të së vërtetës, dhe e vërteta nuk është apriori në kahun e opozitës. Është më se e ligjshme që opozita politike të shqetësohet për largimin e dy gazetarëve të njohur për qëndrimet kritike ndaj qeverisë, por njësimi i lirisë së medias me opozitarizmin politik të artikuluar mediatikisht është një truk hileqar, që në thelb i shërben vrasjes së lirisë mediatike, pra, paanshmërisë së saj, edhe pse përdor si kamuflim thirrjet e përvuajtura në mbrojtje të kësaj lirie. Për të kuptuar sinqeritetin e thirrjeve të tilla mjafton të kujtojmë raportet e pozitës së djeshme me mediat.

Taktikisht, largime të tilla mund të rezultojnë frytdhënëse për opozitën. Duke i akuzuar të gjitha segmentet e medias së ashtuquajtur konvencionale si të shitura, si të anshme dhe në shërbim të mazhorancës, ajo mund të krijojë një avantazh të fuqishëm përmes autoportretizimit si viktimë e një sistemi të korruptuar, si luftëtari i vetëm i ndershëm në një det pisllëku. Një përvojë kjo që ka dhënë prova suksesi tashmë në SHBA, ku presidenti i zgjedhur Donald Tramp ushqeu qëllimisht viktimizimin e tij, duke u paraqitur më shumë nga ç’ishte realisht si target i sulmeve të ulëta të një sistemi të poshtër dhe të padrejtë mediatik.

Por vënia e së vërtetës në shërbim të medias, dhe jo e anasjellta, ka krijuar një simptomë akoma më të rëndë, edhe pse me efekte graduale. Ajo ka eliminuar nevojën për ta qëmtuar të vërtetën, për ta hetuar, analizuar dhe publikuar atë. Prandaj mediat mjaftohen duke cituar apo raportuar deklaratat e gatshme a filmimet e ardhura nga institucionet, publike ose private, të cilat, pasi i nënshtrohen një makijazhi të lehtë editorial, janë të gatshme të gëlltiten nga konsumatorët. Kjo ka krijuar një boshllëk që media detyrohet ta mbushë me kotësi, thashetheme, vulgaritet dhe banalitet, por edhe me ngjyrat marramendëse dhe skenat e zhurmshme të moderatorëve që në rolin e hedonistëve të pushtetit ftojnë njerëz të famshëm dhe të pasur për të ndarë me publikun përvojat e tyre degraduese dhe çedukuese. Kështu, mediat shërbejnë si instrumente konformizmi, që u tregojnë njerëzve aspiratat që duhet të kenë dhe modelet që duhet të ndjekin.

Publikut, në rolin e konsumatorit, të spektatorit pasiv, thjesht i mbetet të përthithë pa asnjë filtër atë që është e vërtetë apo jo, e drejtë apo jo, atë që përbën vlerë apo antivlerë. Dhe t’i lejosh medias, një entiteti që udhëhiqet nga nevoja për fitim, të dekretojë mbi të tilla çështje themelore, është sa naive aq edhe e rrezikshme.

Nuk është e lehtë të thyesh bindjen se liria e medias është thjesht një mit, megjithatë, të ndërgjegjësosh se çdokujt i takon vetë të zbulojë tjetërkund të vërtetën, të përcaktojë vetë për vlerat dhe antivlerat e tij, pa u bazuar në shabllonet mediatike, nuk është kurrë e tepërt. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit