Nga Edi RAMA: Dje, Sot, Nesër (viti 1991)

0

Dje vdiq një njeri.

Dje vdiq një njeri. Një njeri si shumë të tjerë. Një shqiptar. Një komunist i ndershëm. I pëlqente të bisedonte me çunat siç i quante ai të rinjtë. Kështu, prej kohësh ishin miq të mirë, edhe pse me diferencë të madhe moshe. Kohët e fundit pothuajse nuk fliste. Dilte nga shtëpia vetëm për të kryer ritualin monoton të radhëve të gjata. Kur takoheshim s’më jepte më këshilla si dikur.

Një ditë i kishte thënë gruas: u ndamë me çunat. Erdhi puna që u ndamë me të vërtet me të, edhe fizikisht, në varrimin më të trishtuar që kam parë në jetën time. Autobusët atë ditë ishin në grevë dhe njerëzit që kishin ardhur për ta përcjellë për në banesën e fundit, pak kohë patën që të mendonin për të vdekurin. Mund të thuash që e harruan. Tymi i duhanit mbi fytyrën e zbrazët të mikut tim pa jetë, kujtimi i freskët i preshve me baltë në torbën heroike, një kokë legjendare prej allçie e futur në raft, interferenca e politikomanisë që rrinte pezull mbi kokat tona pa përfillur as vdekjen- të gjitha këto me ndihmonin që të bindesha se pas një diktature të egër gjysmë shekullore, demokracisë mund t’i afrohesh me llafe, po aq sa mund t’i afrohesh vijës së horizontit me vrap.Të gjithë e duam demokracinë, të gjithë flasim për të, të gjithë do ta presim tek dera me 31 mars. S’na mbetet gjë tjetër veçse të zgjedhim midis programeve të partive, zatëm idealen , të hedhim diku një armë që i nënshtrohemi pa kushte partisë që disponon programin e parapëlqyer dhe të shkojmë në punë për të fituar bukën e përditshme deri në ditën e zgjedhjeve. Ditë shpëtimi, që mbase duhet të shpallet festë zyrtare përpara se të zyrtarizohen vetë krishtlindjet. Por, po të ngurosh të bindesh për një çast, e sheh menjëherë se lumi i fjalëve, përveç një deponimi civil e të pafuqishëm të së drejtës, kthehet në një vorbull kritikash demagogjike, ku fati më i mirë është të mbytesh pa u vënë re. Në dhomë kishin mbetur të afërmit, unë dhe një oficer në pension, me të cilin njëherë ishim grindur për demokracinë.

Para se të mbyllej arkivoli i dhamë lamtumirën e fundit mikut tonë, oficeri i pari e pas tij unë. Edhe kur në ato çaste njeriu nuk ka kohë të mendojë, çuditërisht m’u ngulit në mend që të dy bëmë të njëjtin gjest: unë jokomunisti dhe ai komunisti, e puthëm të vdekurin. Kur erdhi momenti për të ngritur arkivolin e kuq, si për të më thënë diçka, rastësia na vendosi të dyve krah për krah, me peshën e mikut të përbashkët, mbi supe. Natyrisht që me të ishim lidhur në mënyra dhe për arsye të ndryshme, megjithatë, po bënim diçka të njëjtë dhe ndjenjat tona ishin shumë ta afërta. Imazhi i thjeshtë dhe njerëzor i zbritjes së shkallëve me barrën mbi supet tona, më solli krejtësisht vizionin e varrimit të sistemit. I tillë duhet të jetë ai, paqësor, pa asnjë iluzion përpara realitetit të vdekjes së tij.

Sot lindi një dekret.

Mbrëmë lexova vonë “Të pesë anarkitë” e Nolit. Megjithëse fjalët e Nolit janë një terapi e

vlerë antidemagogjike, sot në mëngjes mezi u zgjova nga një gjumë me ëndrra rraskapitëse.

Pa hapur mirë sytë, si zakonisht, kreva lëvizjen instiktive që më çon çdo mëngjes te dera e shtëpisë për të marrë “Zërin e Popullit”. Menjëherë sytë e lodhur më vanë te dekreti i ri që mbron nga keqbërësit përmendoret, bustet dhe memorialet e Skënderbeut, vëllezërve

Frashëri, Ismail Qemalit, Fan Nolit. Hapa sytë mirë. Fan Noli! Nga dëshira që të ulërija se ai nuk ka përmendore, gjë që nuk e bëra nga frika se mos zgjoja të tjerët, për pak e harrova që personaliteti i shënuar i luftës për demokraci, siç thuhet në dekret, e ka një kokë në allçi, e cila nuk e di se ku ka përfunduar, pasi ka vite që nuk e kam parë më. E lashë gazetën dhe fillova të rrëmoj nëpër rrëmujën e librave të mi, sepse diku e kisha fotografinë e skulpturës së Fan Nolit, të cilën e pat realizuar për një ekspozitë me iniciativën e tij personale, Thoma Thomai. Kisha një shpresë të vakët, se mos ishte shënuar nën të vendin se ku ndodhej. E gjeta më në fund, por nuk pashë asnjë shënim poshtë, përveç konfirmimit të panevojshëm për mua që ishte në gips. Vetëtimthi m’u ngatërrua me fjalët e Nolit mendimi se në qindra mijëra tonelata bronz që janë harxhuar për të hyjnizuar këtu, “idealet e errëta, të shtrembra e të mumifikuara të Fanarit e të Buhares që përfyten e përleshen në një luftë për vdekje me idealet më të gjalla, elegante, e të ndritshme të Perëndimit”, nuk pati as dëshirë dhe as zjarr për të shkrirë pak bronz për kokën e tij. Gjithsesi ajo që më mundonte më shumë ishte pikëpyetja se për ç’nevojë shqetësohej kaq shumë shteti për të mbrojtur me ligj përmendoret e këtyre njerëzve të ndritur që populli i do sepse e deshën, i respekton sepse e respektuan dhe i mbron vetë, sepse e mbrojtën. Ndërsa e bëja këtë pyetje, një zë nga dekreti më pyet mua: “Po armikun e brendshëm që mezi ç’pret rastin të fyejë ndërgjegjen kombëtare duke kundërshtuar unitetin dhe normat morale të popullit, e harrove?” “Këtu ambiciet janë pa fre e pa kufi, këtu i padituri i di të gjitha dhe i pazoti është i zoti për të gjitha”. Kjo përgjigje e Nolit m’u duk e mirë, por e pasigurt për të dialoguar me nenin e dekretit, kështu që i thashë se çuditesha pasi nuk dija ndonjë rast që populli të sulmonte përmendoret e heronjve të tij. Lexova më poshtë se dekreti i ri ruante edhe përmendoren e Enver Hoxhës. M’u duk e çuditshme që pushteti popullor për të cilin ai është njeriu më i shquar i kësaj epoke, udhëheqësi i shquar i Luftës Nacionalçlirimtare, dhe themeluesi i shtetit të ri shqiptar, të kishte nevojë për ndihmën e ligjit që ta mbronte përmendoren e tij.

Mos vallë kjo është ndjesia ime personale?

“Na mungojnë vetëm idealet e antropofagëve, po për të zënë vendin e tyre kemi kolltukofagë”. Befasia ime qe e plotë, kur midis rreshtave të dekretit njoha stilin e vjetër të ligjeve me mundësira të pakufishme dënimi për njeriun, në frazën “çdo fyerje ose veprim që poshtëron figurën e personaliteteve të tilla dënohet me heqje të lirisë”. Që kjo frazë e shkëputur nga dekreti i përkiste posaçërisht tendencës për të ndaluar gojët e njerëzve të kritikonin Enver Hoxhën, kjo është jashtë çdo dyshimi; që çdo njeri që fyen simbolet e shenjta të gjakut dhe djersës së derdhur për liri e pavarësi duhet ndëshkuar, dhe kjo është jashtë çdo dyshimi, por fatkeqësia e re që e gjeti të gjithë opozitën nga ky dekret është se kush i ka në dorë ligjet dhe policinë sot në Shqipëri, është jo vetëm i pamësuar me demokracinë, por dhe aq i mësuar të mos dëgjojë të tjerët, saqë edhe toni i të folurit i duket fyerje, apo edhe një pakënaqësi të shfaqur haptas e quan veprim poshtërues ndaj figurës së Enver Hoxhës. Zoti na ruajt nga kjo “anarki patriotike”. E vura fotografinë e Nolit në vend dhe vendosa të shkruaj, ashtu siç ishte, gjithë përjetimin e këtij mëngjesi, që edhe pse zgjati pak, ishte i mjaftë për t’i shtuar shijes së keqe të një nate të shqetësuar dhe një ëndërr me sy të hapur në Botën e Demagogjisë.

Po nesër?

Dje vdiq një njeri, sot lindi një dekret, po nesër ç’do të ndodhë? Hëpërhë s’mbete gjë tjetër veçse të këndojmë dy vargjet e këngës shumë të njohur: Për nesër, kushedi/Por për këtë arsye/Jeta ime nuk mbaron tani…/tesheshi.com/