13.3 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Nga Dr. Bled KOMINI: Dy ngjarje, një përcaktim: radikalist s’do të thotë medoemos të jesh terrorist

Më të lexuarat

Dy ngjarje në javën e fundit kanë lënë një shije të hidhur për opinionin mbarëbotëror. E para ishte dhuna e ushtruar ndaj popullsisë katalanase në Spanjë, e cila të dielën (më 01 tetor 2017) kishte dalë për të votuar, pas thirrjeve të bëra për referendum popullor (nga qeveria rajonale katalanase) për shkëputje nga Spanja. Kjo gjë solli një reagim të menjëhershëm të qeverisë spanjolle në Madrid, e cila ushtroi dhunë ndaj qytetarëve katalanas dhe atyre që po shkonin për të votuar. Prej dhunës së ushtruar pothuajse 900 persona u lënduan e plagosën dhe bota u bë dëshmitare e asaj që ndodhi në kohë reale. Ngjarja e dytë e rëndë, e ndodhur pak ditë më parë, ishte ajo e vrasjes së 59 personave dhe plagosjes së mbi 500 të tjerëve në Las Vegas të SHBA, nga terroristi Stephen Paddock, gjatë një konceri në “Hotel Mandalay Bay”.

Të dy ngjarjet e përmendura më sipër kanë një emërues të përbashkët, por vektorët i kanë shumë të ndryshëm. Emëruesi i përbashkët është radikalizmi, ndërsa vektorët janë ushtrim dhune e terror në rastin e parë, e tek rasti i dytë vdekje dhe terror. Nisur prej dy ngjarjeve të përmendura më sipër, profilizimi i një akti terrorist ose i një rasti dhune masive të ushtruar prej organeve shtetërore ose jo, na rikthen në vëmendje sesa i domosdoshëm është “fokusimi te mendimi-veprimi radikal”. Duke qenë se për shumë kohë studimet janë fokusuar tek “rasti i terrorizmit islamik”, vëmendja e tyre ka anashkaluar pothuajse tërësisht faktorë të tjerë që çojnë drejt terrorizmit dhe përcaktimit se çfarë është “radikalizmi”, por që për të thënë të vërtetën, të dy fenomenet janë plotësisht të njohura e mirëstudiuara në literaturën ndërkombëtare.

Sidoqoftë, radikalizimi i disa idividëve apo segmenteve të ndryshme shoqërore është parë si rruga që i shpie ata më pas drejt terrorit dhe përdorimit të dhunës. Ky përcaktim është i saktë, por kur plotëson disa kushte të cilat e kthejnë atë në postulat për t’u besuar e më pas reaguar. Në rastin e parë, atë në Katalonjë, qeveria spanjolle (radikalisht) aktin e dhunës e justifikoi me mbrojtjen e Kushtetutës dhe zbatimin e saj. Ndërkaq në rastin e dytë, shtypi ndërkombëtar hezitoi ta quajte Paddock-un terrorist, por u rrek ta shpallte atë si një “ujk i vetmuar” që urrente jetën. Gjithashtu atij nuk i’u atribua asnjë mendim radikal.

Tani, pavarësisht se të dy ngjarjet për mendimin tim kanë një sfond radikal dhe pasohen nga veprime të dhunshme ose akte me pasojë vdekjen e civilëve, mediatikisht janë shfaqur e justifikuar si veprime aspak terroriste. Ky dopio-standard i përdorur në këtë rast, përbën një goditje shumë të madhe për demokracinë dhe shkencën. Në të dy rastet përfundimi sipas tyre është i qartë: radikalisti që vret e ushtron terror, në disa raste (kur i leverdis shteteve), jo doemos mund të quhet terrorist.

Në realitet, radikalizmi nuk përbën kërcënim për një shoqëri, në rast se nuk lidhet me dhunën apo veprime të tjera të paligjshme, të tilla si: nxitja e urrejtjes, sipas përshkrimit në jurisprudencën që lidhet me legjislacionin ndërkombëtar për të drejtat e njeriut. Radikalizmi mund të rezultojë si një forcë pozitive ndryshimi. Sa për ilustrim, individët që luftuan për heqjen e skllavërisë apo ata që kërkuan të drejtën universale të votës, për kohën në të cilën jetuan, u konsideruan si radikalistë, duke qenë se ishin kundër ideve mbizotëruese në shoqëritë e tyre. Por në të dy rastet më sipër radikalizmi ka sjellë dhunë, vrasje dhe terror, pra ka përmbushur plotësisht kushtet për t’u konsideruar si një “akt terrorist”.

Në literaturën ndërkombëtare “terrorizmi” zë një vend shumë të rëndësishëm, jo vetëm si subjekt studimi, por dhe për pasojat që ai lë në ato shoqëri (komunitete) që e përdorin apo janë preh e tij. Prej kohësh diskutohen teza të ndyshme mbi faktin se si është e mundur që në një kohë kaq shumë të shkurtër, pothuajse 70-vjeçare, terrorizmi gjeti vend të përhapet e të hedhë rrënjë në disa vende të botës, sidomos pas ngjarjeve të 11 shtatorit 2001. Nga kjo qasje lind dhe mendimi se terrorizmi nuk mund të kuptohet vetëm duke ju qasur filozofikisht e strukturalisht, por kërkon një qasje më të gjerë të cilën do ta quaja qasje post-strukturale.

Në të drejtën ndërkombëtare nuk ka ndonjë përkufizim të pranuar botërisht për sa i përket terrorizmit. Për ta etiketuar një akt si “terrorizëm” do të thotë të vërtetosh jo vetëm që ai mbart disa karakteristika, por gjithashtu që nuk mund të përligjet nga asnjë konsideratë politike, filozofike, ideologjike, racore, etnike apo fetare. Megjithatë, ka një nocion të kontestuar, sipas të cilit legjitimohet përdorimi i disa formave të dhunës në rrethana të veçanta dhe se ky përdorim në këto rrethana nuk duhet të konsiderohet si terrorizëm. Për më tepër, një përkufizim më i gjerë nga ç’duhet i terrorizmit mund të shpërdorohet për të shtypur kundërshtimet paqësore dhe minimin e shoqërisë demokratike.

Kështu, sipas literaturës në fushën e terrorizmit, janë të njohura disa përcaktime shumë të rëndësishme që na tregojnë diapazonin e gjerë të terrorizmit. Sot nga literatura dhe studimet e ndryshme, njihen këto tipe terrorizmi: terrorizmi në formën e kriminalitetit politik; terrorizmi nacionalist; lëvizjet terroriste nacionalçlirimtare; euroterroristët (Armata e Kuqe, Euroterroristët gjermanë, Celulat revolucionale, Celulat komuniste, Brigadat e Kuqe etj.); terrorizmi Islamik; terrorizmi djathtist; terrorizmi revolucionar etj.

Terrorizëm do të thotë mohim i demokracisë dhe i të drejtave të njeriut, që qëndrojnë në zemër të misionit të institucioneve ndërkombëtare dhe të drejtës ndërkombëtare.Terrorizmi është një ndër krimet e rënda. Ai nuk mund dhe nuk duhet të lidhet në asnjë mënyrë me ndonjë kombësi, përkatësi fetare apo etnike, pavarësisht emërtimit që i jepet. Asnjë vend në botë nuk është i “imunizuar” nga kërcënimi i terrorizmit. Ai është një kërcënim real, depërtues dhe shumëplanësh, por mbetet për t’u vlerësuar me kujdes për t’u siguruar që as të mos ekzagjerohet reagimi ndaj tij, por as të minimizohet rreziku që ai shfaq. Të gjitha shtetet kanë detyrimin dhe përgjegjësinë kryesore të parandalimit dhe luftës kundër terrorizmit, si edhe të respektimit dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Në rrafshin ndërkombëtar pothuajse të gjitha institucionet ndërkombëtare, që nga Kombet e Bashkuara, OSBE, NATO, Konferenca Islamike, etj., po dhe vet shtetet e mëdha e që luajnë një rol të rëndësishëm në marrëdhëniet ndërkombëtare, e kanë dënuar terrorizmin dhe të gjitha format e shfaqjes së tij.

Ndër studiuesit më të mirë të viteve të fundit që janë marrë dhe kanë dhënë përcaktime serioze në enciklopedi apo monografi të ndryshme mbi terrorizmin dhe për dhunën e shkaktuar prej tij, mund të përmenden: James Ciment; Edëard E. Mickolus dhe Susan I. Simmons; Alex P. Schmid; Gus Martin; Paul B. Rich dhe Isabelle Duyvesteyn; Bruce Hoffman; Peter R. Neumann; Adrian Guelke; Michael Burleigh etj.

Të gjithë ata në botimet e tyre i janë qasur studimit të terrorizmit mbi disa nivele koherente si dhe strukturaliste. Pra duke përkthyer në fjalë të tjera, përcaktimet e tyre në këto studime përgjithësisht priten në një pikë, sipas së cilës terrorizmi pavarësisht se nga vjen apo se nga kush praktikohet, është një dhunë (me pasojë vdekjen) e ushtruar drejtpërdrejtë mbi popullsinë e pafajshme civile. Pra nëse do kërkohej të jepej një teori mbi terrorizmin, fare thjeshtë mund të përkufizohej si: Dhunë e ushtruar ndaj civilëve (dhe jo vetëm) të pambrojtur, mbështetur mbi veprime aktive, të rrjedhshme, nga individë që pretendojnë se mbështesin ideologji, rryma politike apo besime të caktuara.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së, në rezolutën e vet nr. 1566 (viti 2004) përdor tre kritere përmbledhëse për të karakterizuar terrorizmin: (i) (synimi); (ii) qëllimi; dhe (iii) sjellja specifike, si më poshtë vijon:

Synimi:Vepra penale kundër civilëve, të kryera me synimin e shkaktimit të vdekjes apo dëmtimeve të rënda trupore, apo rrëmbim;

Qëllimi:Pavarësisht nëse është i motivuar nga konsiderata politike, filozofike, ideologjike, racore, etnike, fetare apo të ndonjë natyre të ngjashme, me qëllimin e provokimit të një gjendjeje terrori tek publiku i gjerë, tek një grup individësh, apo individë të veçantë, frikësimin e popullatës apo duke detyruar një qeveri apo organizatë ndërkombëtare të kryejë apo të mos kryejë një veprim;

Sjellja specifike:Që përbëjnë krime nën kornizën dhe sipas përshkrimit të konventave dhe protokolleve ndërkombëtare në lidhje me terrorizmin.

Në përfundim mund të thuhet se vitet e fundit në kundërpeshë me ngjarjet dhe zhvillimet globale, radikalizimi është shtuar dhe përdorimi i tij në disa raste edhe është justifikuar. Në anën tjetër, ka pasur momente kur akte terroriste nuk janë prezantuar si të lidhura me radikalizmin. Kjo gjë vërtetohet fare thjesht po t’i referohemi dy rasteve të përmendura në fillim të shkrimit. Radikalizmi terrorist është një proces dinamik, sipas të cilit individi nis ta pranojë dhunën terroriste si një rrugë të mundshme, madje edhe legjitime të veprimit.

Nuk ka asnjë profil të vetëm i cili do të përfshinte të gjithë terroristët, sikundërse nuk ekziston asnjë rrugë “e prerë me thikë“, e cila i çon individët në rrugën drejt terrorizmit. Shtysat e mundshme të radikalizmit terrorist janë të ndryshme dhe komplekse, duke u ndërthurur në mënyrë unike për çdo rast specifik. Profilet që ndërtohen mbi bazën e supozimeve të stereotipizuara, mbi bazën e përkatësisë fetare, racore, etnike, gjinore, statusit shoqëror dhe ekonomike etj., jo vetëm që janë diskriminuese, por po ashtu janë edhe të paefektshme. Shtetet pjesëmarrëse të OSBE-së hedhin poshtë me vendosmëri identifikimin e terrorizmit me kombësinë, përkatësinë fetare apo etnike. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit