12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Turqia, referendumi, dhe përroi europian ku përfunduan “parimet demokratike”

Më të lexuarat

Nuk keni dëgjuar më për protesta të llojit “Gezi Park”, nuk keni dëgjuar më për përpjekje për grusht shteti, nuk keni dëgjuar më për shpërthime e për vrasje jetësh të pafajshme në Stamboll, Ankara e gjetkë në Turqi? Kundërvënia ka marrë formë tjetër, është e një lloji tjetër, veçse përmbajtja është e njëjtë: Turqisë i duhen vënë patjetër shkopinj nën rrota, kjo Turqi, me këtë qeverisje legjitime, nuk duhet më të bëjë përpara!

Një referendum mbi ndryshimet kushtetuese që e kthejnë sistemin qeverisës në presidencial do të mbahet mesin e prillit në Turqi. Bëhet fjalë për amendamente kushtetuese që kanë marrë miratimin e parlamentit falë votave të partisë qeverisëse dhe një prej partive opozitare, e që tani do duhet të marrin dhe pëlqimin popullor.

Me ndryshimet kushtetuese e me formën e re qeverisëse i jepet fund një periudhe të gjatë paqartësie, pasigurie, pështjellimi. Turqia kërkon të hapë një faqe të re të historisë së saj, pa frikën se mund të mbetet pa qeverisje, pa frikën se qeveritë e koalicionit do të jenë veç një mashë për ta zhytur në llucë, pa frikën se grushti i shtetit i radhës qëndron pas dere.

Nuk është forcim i pushtetit të Erdoganit, siç kërkohet të shitet; është forcim i shtetit, për t’u bërë ballë krizave, për t’i bërë ballë së tashmes së ndërlikuar si dhe së ardhmes më të errët në dukje. Situatat rajonale e më gjerë, konfliktet përtej kufirit, e bëjnë të domosdoshme një qeverisje jo të hallakatur, të ndarë mes pushtetesh që shpesh e kanë bërë vendin të paqeverisshëm.

Por kjo nuk i pëlqen ndokujt. Në të vërtetë, nuk i pëlqen shumëkujt. Nuk u pëlqen atyre që nuk duan që në këtë pjesë të globit të ketë prosperitet, atyre të cilëve nuk duan që më së paku një vend në këtë hapësirë të mos jetë zhytur në kaos, në mjerim, të mos jetë rrënuar.

Dhe mënyra në radhë për ta ndalur këtë është të pengohet një fitore e “po”-së në referendum. Me çdo mjet! Me “jo”-në gjërat do të ishin më të thjeshta më pas, pasi refuzimi do të përligjte një valë të re kundër qeverisjes së AKP-së, kundër vetë Erdoganit, objektivit kryesor.

Mijëra turq jetojnë e punojnë në shumë vende europiane. Vetëm në Gjermani ka rreth 1.5 milionë turq me të drejtë vote, që do duhet të sqarohen për referendumin, që do duhet të dinë diçka në mënyrë që të marrin vendimin se në ç’kuti do ta hedhin votën, në të “po”-së apo të “jo”-së. Por që t’ua shpjegosh ndryshimet kushtetuese atyre tani po bëhet e pamundur. Në Gjermani, Austri, e së fundi në Holandë, janë anuluar dhjetëra aktivitete të shtetarëve turq me bashkatdhetarët e tyre.

Liria e fjalës, liria e shprehjes, liria e tubimit, ku janë? Në ç’vrimë janë futur “demokracia”, të “drejtat demokratike”? Aq absurde është situata, sa një ministre e qeverisë turke nuk lejohet të futet as në konsullatën e vendit të saj! Aq i verbër është zemërimi.

Janë të njëjtat vende ku dyert u janë hapur puçistëve, terroristëve të PKK-së, njerëzve që kanë kryer tradhti ndaj vendit, “gazetarëve” kundërshtarë të “regjimit erdoganist”. Ata mund të strehohen, mund të japin intervista, mund të organizojnë dhe manifestime, tubime, konferenca, por jo përfaqësuesit e një qeverie që ka mbështetjen e shumicës së popullsisë në Turqi.

Të gjitha justifikimet janë profka. Siguria e të tjera broçkulla të ngjashme janë thjesht preteksti për të frenuar një proces demokratik: fushatën për referendumin para votuesve ngado nga janë.

Mendoni se ç’absurd është të ndalësh ministrin e Jashtëm të fluturojë drejt Holandës, mendoni se ç’absurd është të ndalosh një ministre të vërë këmbën në konsullatën e vendit të vet!!!

Dhe nuk është e para herë. Presidentit turk i qe mohuar vitin e shkuar, pas përpjekjes për grusht shteti, një fjalim përmes ekranit për bashkëkombasit në një qytet gjerman!

Situata ka njohur së fundmi përkeqësim orë pas ore në përplasjen e nxitur nga autoritetet holandeze. Në Roterdam ka patur rrethim të konsullatës turke, ndërkohë që qytetarët turq po protestojnë atje, në Stamboll e Ankara.

Pas fasadës tërë shkëlqim janë mure të rëna, pas “parimeve demokratike” ka errësirë…

Se ç’do të ngjasë në ditët pasardhëse askush nuk di ta thotë, por çfarë ka ndodhur tani nuk lë vend për të shpresuar për gjëra pozitive.

Asgjë të re nga fronti i Perëndimit… Në Turqi do duhet të mësohen me faktin se nuk i duan kësisoj, duke përparuar. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit