12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Qasja e pakripë ndaj fitores së “po”-së në referendumin turk

Më të lexuarat

I tërë opinioni publik, në Turqi e kudo gjetkë, mbajti frymën të dielën për orë të tëra, ndërsa njerëzia kishte vërshuar në qendrat e votimit për të hedhur votën në referendumin për ndryshimet kushtetuese.

E tërë media ndërkombëtare, më së paku ajo europiane, kishte si lajm të parë referendumin në Turqi. Thënë pa zbukurime, shpërudhja e lexuesit dukej të ishte qëllimi i parë i gjithë mbulimit mediatik, pasi më parë se të analizoheshin thellë amendamentet kushtetuese të sjella për votim, titujt kërkonin të nxinin figurën e Rexhep Tajjip Erdoganit me terminologjinë e njohur tashmë e të bërë bajate të njeriut që mendon veç për autoritarizmin e tij.

Ashtu siç mendohej dhe besohej, populli turk dha miratimin për ndryshimet kushtetuese me një përqindje të pritshme, jo shumë mbi cakun ndarës, siç ndodh rëndom në kësi rastesh, kur bëhet fjalë për referendume mbi çështje të prekshme aty për aty për jetën e qytetarit. Për më tepër, ashtu siç vetë Erdogani e theksoi në të parën konferencë shtypi pas bërjes të njohur të rezultatit, fjala është për ndryshime thelbësore në qeverisjen e vendit, çka do të thotë se nuk mund të pritet e nuk mund të pritej assesi një fitore dërrmuese.

Shtoji tërë kësaj një fushatë të shfrenuar brenda e jashtë Turqisë kundër kryetarit të shtetit me gjithfarë etiketimesh, bllokimin tërësor të tubimeve të qeveritarëve turq në një numër vendesh europiane, veç thirrjes së hapur në këto vende për një votë kundër ndryshimeve kushtetuese, nuk ka dyshim se rezultati ishte spektakolar, fitorja ishte spektakolare.

Mjaft të kujtojmë se në Gjermani, ndërsa nuk u lejuan takimet e ministrave turq me bashkëqytetarët e tyre, PKK-ja u la të manifestonte në Frankfurt, në Bernë të Zvicrës u shpalos pankarta me një pistoletë në kokën e Erdoganit, e në Parlamentin Europian, prej nga bien daullet për lirinë e shtypit, u ndalua shpërndarja e Daily Sabah-ut!

Mospranimi i rezultatit nga opozita turke, e kapluar nga një zhgënjim shumëvjeçar për rënien nga fiku dhe fatalitetin e mosngjitjes më në pushtet, ishte i pritshëm, siç ishte i pritshëm dhe reagimi i mëtejshëm i qarqeve të caktuara mediatike dhe politike jashtë Turqisë.

Do të ishte naivitet i madh të prisje tjetër reagim prej tyre pas fitores së “po”-së në referendum, do të ishte verbëri e pafalshme të besoje se rezultati kishte për ta marrë miratimin e çdo gjë do të mbyllej me kaq.

Gjithçka që pason në ditët pas referendumit është në të njëjtën logjikë, në të njëjtën valë, e kështu do të vazhdojë.

Deri këtu nuk ka asnjë surprizë. Bezdisëse është qasja ndaj referendumit nga ca mirëdashës të Turqisë, të presidentit turk e të qeverisjes aktuale atje, analiza e tyre, e cila sillet rreth demokracisë, pranisë dhe forcimit të saj në atë vend. Kështu, zhvillimi i referendumit paraqitet si sukses i demokracisë turke, e me këtë argument kërkohet të kundërshtohet ligjërimi negativ karshi Turqisë e Erdoganit.

Të ecësh me këtë argument do të thotë të biesh në grackën e atyre të cilët faktin se nuk e honepsin dot një Turqi në prosperitet e kamuflojnë me ligjërimet mbi demokracinë, mbi të drejtat e njeriut, mbi lirinë e shtypit…

Sigurisht që fitorja në referendum gëzoi shumë njerëz ndër ne, ashtu siç besohet se do të ketë gëzuar shumë të tjerë në botën islame. Sigurisht që gëzimi nuk ishte e nuk është për shkak të fitores së demokracisë, por diçka shumë më tej.

Në flasim në terma politikë, referendumi qe vërtet shprehje e demokracisë së gjallë në Turqi, e kjo të gëzon. Ama çështja nuk është politike, gëzimi nuk ka ngjyrim politik, por ka të bëjë me identitetin tonë si muslimanë.

Qasja mbi referendumin duhet të ketë një kontekst më të gjerë. Për këtë duhet hedhur një sy në tërë hartën rajonale, ashtu si në gjeopolitikën globale.

Siria është e rrënuar fund e krye, kështu është dhe Libia. Iraku çapitet tërë mund pa arritur ta marrë veten nga vite të tëra lufte e kaosi. Libani mezi arrin ta zgjedhë presidentin pas një riciklimi të vazhdueshëm krizash politike, Egjipti qeveriset nga një president puçist. Edhe aty ku ka njëfarë stabiliteti mungon figura me peshë e shtetarit, që rrallë shihet të ndikojë përtej lokalitetit të vet. E ashtuquajtura Pranvera Arabe më shumë prodhoi dramë sesa solli verën.

I vetmi vend në tërë këtë hapësirë të populluar mbizotërueshmërisht nga popullsi muslimane që ia ka dalë të ketë prosperitet e një zë të fuqishëm në arenën ndërkombëtare është pa dyshim Turqia. Pesëmbëdhjetë vitet e AKP-së në pushtet kanë qenë një histori e vërtetë suksesi, ku vend kryesor sigurisht që zë Erdogani. Mënyra se si mund të qeveriset një vend muslimanësh, si mund të ruhet natyra deri diku konservatore, brenda ca kornizave islame, e të jetuarit teksa përparohet në botën e sotme postmoderne, si mund të ngrihet zëri në mbrojtje të të pambrojturve të ummetit, është e mishëruar në Turqinë e sotme, në figurën e Erdoganit. Mund të ndeshësh shumë muslimanë që mbase nuk e kanë fort për zemër atë, por askush nuk e mohon se ai mbetet i vetmi frymëzim për tërë botën islame. Është i vetmi në tërë këtë ummet të mbetur në duar qyqarësh që del ngahera nga rreshti i recituesve, i imituesve, që nuk nguron ta thotë të vërtetën edhe kur ajo djeg.

Turqia është vendi ku thyen qafën klisheja e dështimit të botës islame. Erdogani është shtetari që simbolizon pikërisht theqafjen e klishesë errësuese për botën islame!

Pikërisht në këtë kontekst duhet të mbështetet qasja mbi referendumin, analiza për të, si një sfidë, si një fitore ndaj standardeve të dyfishta, si triumf ndaj një fushate të padenjë e të pamerituar kundër Erdoganit e Turqisë së sotme.

Vetëm kështu dhe gëzimi për fitoren e referendumit gjen përligjje. Në këndvështrimin lokal, rezultati i referendumit, mënyra e zhvillimit të tij, standardet demokratike në të, janë çështje të Turqisë, pak të lidhura me ne. Çfarë na intereson është mosrënia në gjunjë e Turqisë, moskthimi i saj dy dekada prapa. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit