11.3 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Nga Bujar M. HOXHA: Drejtësi? Të dënohesh aq pak për ekzekutimin e një palestinezi!

Më të lexuarat

24 mars 2016! Në El-Halil, apo në Hebron, siç njihet ndryshe, një palestinez i shtrirë përdhe i plagosur u qëllua për vdekje nga një ushtar izraelit.

21 shkurt 2017! Një gjykatë izraelite vendos ta dënojë me vetëm një vit e gjysmë burg vrasësin e palestinezit!

Vrasja ishte makabre…, gjyqi po ashtu. Ishte ekzekutim i pastër…, ishte tallje e pastër.

Thuajse një vit më parë, i riu palestinez dergjej në tokë mes ushtarëve e civilëve izraelitë, pa më të voglin rrezik se mund të bëhej kërcënues për ata që ishin rrotull tij. “Ai meriton të vdesë,” është raportuar në gjyq të ketë thënë ushtari izraelit që e ekzekutoi atë.

Po si e ekzekutoi? Sy të gjithëve mbushi armën dhe qëlloi pa iu dridhur qerpiku, me urrejtjen që i lexohej qartë në sy. Gjakftohtësia e tij u shoqërua nga e njëjta gjakftohtësi e të pranishmëve, që as bënë përpjekjen më të vogël për ta ndaluar, as reaguan fare kur gjaku i palestinezit filloi të rridhte vrullshëm në asfaltin ku ai dha shpirt.

Ekzekutim pa gjyq!

Ky ekzekutim nuk mbaron me kaq. Muaj më vonë, pikërisht dje, e paralajmëruar, një farsë gjyqësore i jep vrasësit një dënim qesharak: vetëm 18 muaj burg! Tallja shkon më tej, me avokatët e vrasësit që paralajmërojnë apelimin e vendimit, me deklarata politikanësh e gjithfarë njerëzish atje për mosdënim fare të tij.

Vrasësi nuk kishte shprehur asnjë pendim për mizorinë. Rioshi izraelit do të shfaqej i buzëqeshur së bashku me të ëmën në sallën e gjyqit. Lumturi e gjetur mbi gjakun e një të ekzekutuari!

Në kontrast me triumfin dhe buzëqeshjen e vrasësit dhe të atyre pranë tij, babait të të ekzekutuarit, të pafuqishëm për të bërë diçka më shumë, i mbetet vetëm ta quajë një farsë, një shaka, gjyqin e vendimin gjyqësor.

Ç’kuptim ka drejtësia, ç’kuptim ka një sistem i tërë i vënë në lëvizje për të dhënë drejtësi, kur një ekzekutues gjakftohtë dënohet kaq pak e një palestinez që hedh një gurë mbi një ushtar izraelit merr si dënim më së paku tre vite burg?

Palestinezi u ekzekutua dy herë, në mars të vitit të shkuar dhe në shkurt të këtij viti, atëherë me plumb, këtë herë me një vendim tallës, cinik.

Gëzimi i vrasësit qe i dyfishtë, së pari kur i dha fund jetës së palestinezit duke u sjellë hem si gjykatës, hem si ekzekutues, e së dyti dje, kur me vendimin iu la të kuptohej se mund të bënte ç’të donte me jetën e një palestinezi.

Heshtja e përgjithshme për këtë vendim skandaloz është ekzekutimi i radhës i palestinezit. Lotët e krokodilit janë harxhuar këtyre javëve për tjetër gjë, por pakkush kujtohet të ngrejë zërin për atë që ndodhi dje në një sallë gjyqi në Izrael. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit